E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rasha dhe Cici, kandidaturat për kreun e SHISH

22/01/2005  Në tryezën e Kryeministrit brenda dy ditëve është shtuar numri i kandidaturave, për postin e kryespiunit të Shqipërisë. Ambasadori i Shqipërisë në Kroaci, Arben Cici, si dhe kreu i Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Rendit, Saimir Rasha, janë emrat që cilësohen më të fortët për të marrë detyrën e kreut të Shërbimit Informativ Shqiptar. Para tyre, në selinë e Kryeministrisë janë përfolur emrat e Ilir Gjonit si dhe ai i ish-ministrit Besnik Dervishi. Por, duket se Nano nuk do të pranojë asnjë nga kandidaturat. Burimet thanë se Nano mund të zgjedhë nga të dy emrat e rinj. Në lidhje me Rashën, theksohet se ai ka eksperiencë, pasi është në post drejtuesi në SHKB, kurse Cici ka mbajtur dhe detyrën e shefit të protokollit të Qeverisë për 7 vjet, ndërsa pas kësaj është vendosur në detyrën e ambasadorit të Shqipërisë në Kroaci. Pas vdekjes së Kujtim Hysenaj, Nano është detyruar që të nisë procedurat e emrit të zëvendësuesit. Hysenaj ka dhënë dorëheqjen nga detyra për shkak të sëmundjes, disa muaj më parë, por kreu i qeverisë ka vendosur të mos nxitohet në përzgjedhjen e kryespiunit. Madje, në atë kohë në tryezën e Nanos janë hedhur disa propozime, por që nuk u morën asnjëherë parasysh. Por duket se, pas largimit nga jeta të Hysenaj, Kryeministri do të jetë i detyruar për të bërë zëvendësimin.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›