E Hënë, 2 Nëntor 2026

Meta: Sportistët janë kontribut për integrimin

22/01/2005  Dje në darkë, kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, zhvilloi një takim me emrat më të njohur të sportit shqiptar në vite, të titulluar “Sporti për Integrimin”. Në këtë takim, ku merrin pjesë disa prej emrave më të njohur të llojeve të ndryshme të sportit në Shqipëri, Meta duke ngritur shqetësimin për largimin e kampionëve nga Shqipëria tha se ky takim duhet të vazhdojë edhe nga politikanë të tjerë, por sidomos nga shteti dhe nga Ministria e Rinisë dhe Sporteve dhe komisioni parlamentar në Kuvend, i cili ka për detyrë që të rrisë zhvillimin e sporteve. "Me këtë takim, le të hapim një komunikim, një debat se si të mos ndodhin më ngjarje të tilla në Shqipëri, se si të mos largohen më talentet nga vendi, se si shteti dhe shoqëria të jenë më të ndjeshëm, më të përgjegjshëm, për të administruar këto talente dhe për të nxitur zhvillimin e shumë e shumë talenteve të tjera në të mirë të rritjes së dinjitetit dhe të imazhit të vendit, si dhe se si sporti të zhvillohet edhe si kulturë edhe në shërbim të shëndetit, se si sporti të na ndihmojë të gjithëve për të larguar atë pjesë të dëshpëruar të rinisë, e cila është futur në rrugën e pijes apo të drogës, për ta rikthyer atë në rrugën e sportit dhe të perspektivës, se si sporti të mos i shërbejë politikës, por se si politika të vihet në shërbim të zhvillimit të sportit për shkak të gjithë këtyre mundësive që sjell zhvillimi i sportit në dobi të shoqërise sonë", tha Meta. Sipas tij, sporti është një mundësi shumë e mirë edhe për integrimin kombëtar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›