E Hënë, 2 Nëntor 2026

KOP ndahet në 11 nënkomisione

22/01/2005  Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka thirrur dje në fshehtësi Komitetin e Orientimit të Politikave. Gjatë kësaj mbledhjeje mësohet se KOP-i është ndarë në 11 nënkomitete, që do të merren me shqyrtimin e projekteve për sektorë të caktuar. Berisha mësohet se u ka kërkuar anëtarëve të Komitetit të shtojnë radhët e forumit me prurje të tjera specialistësh apo përfaqësues të Shoqërisë Civile. Mbledhja është zhvilluar rreth orës 18 në ambjentet e "Hotel Tiranës" dhe me lajmërimet është marrë vetë kreu demokrat. Madje ra në sy dhe mungesa e drejtuesve më të lartë të PD-së në këtë mbledhje. Burimet shtojnë se Berisha u ka folur përfaqësuesve të Shoqërisë Civile dhe rreth takimeve të tij në Amerikë si dhe ka konfirmuar mbështetjen që kompania amerikane e zgjedhjeve BG&R i ka dhënë për administrimin e fushatës elektorale. Kompania në fjalë është ajo që administroi fushatën e Presidentit amerikan Xhorxh Bush, si dhe fituesit në Maqedoni e Serbi.

Nënkomitetet

Burimet shprehen se mbledhja e djeshme ka pasur më shumë karakter organizativ. Ndarja e KOP-it në 11 nënkomitete, mësohet se ka si qëllim përqendrimin e ekspertëve në sektorët e tyre. Në projekt janë renditur çështjet e ekonomisë, drejtësisë, bujqësisë, energjitikës , transportit, shëndetësisë, etj. Këto nënkomitete do të kenë si funksion jo vetëm hartimin e programit të Partisë Demokratike që është dhe boshti i fushatës por dhe hartimin e programit për çdo zonë elektorale apo qytet, ku do të konkurojnë kandidatët e partisë më të madhe të opozitës. Pra, kandidatët e çdo qyteti pasi të paraqesin në stukturat e partisë problematikën përkatëse të zonave të tyre, çështja do i kalojnë sektorit përkatës të specialistëve dhe ekspertëve të KOP-it për të dhënë alternativën e zgjidhjes së tyre. Pra, në rast se në në një zonë elektorale, apo qytet të Shqipërisë vihen re probleme në bujqësi dhe transport, atëherë nënkomiteti që merret bujqësinë apo transportin harton programin pëkatës apo projektin që i jep zgjidhje problemeve të kësaj zone.

Vizita në Amerikë

Burimet nga mbledhja e djeshme shprehen se lideri demokrat veç të tjerave ka dhënë detaje të vizitës së tij në Amerikë. Gjatë fjalës së tij ai ka shpalosur pjesërish një pjesë të projekt-idesë se si do të jetë fushata e ardhshme e PD-së. Demokratët do të dalin në fushatë elektorale me programe dhe alternativa të zgjidhjes së problemeve, duke lënë mënjanë sulmet boshe ndaj kundërshtarit politik. Ky variant është shumë i përdorur në vendet perëndimore dhe SHBA. Kompania BG&R, specialistët e së cilës kanë qenë dhe para disa muajsh në Shqipëri, ku kanë bërë një vëzhgim të gjendjes në PD, duke pasur parasysh situatën e vendit, kanë menduar se fushata duhet më shumë të përqëndrohet tek zgjidhjet e problemeve të lëna pezull sesa tek sulmet dhe akuzat ndaj kundështarëve.

Nënkomitetet

Financat

Bujqësia

Arsimi

Shëndetësia

Ambjenti

Urbanistika

Çështjet Sociale

Kultura

Drejtësia

Energjitika

Diplomacia

Kush është KOP

Komiteti i Orientimit të Politikave (KOP) është struktura më e re e krijuar pranë Partisë Demokratike. Ky forum është prezantuar para pak kohësh nga vetë lideri demokrat Sali Berisha. Komiteti ka si funksion kryesor orientimin e politikave të PD-së dhe është paraqitur më shumë si Komitet këshillues i strukturave drejtuese në parti. Anëtarët e Komitetit janë kryesisht përfaqësues të Shoqërisë Civile dhe ekspertë të fushave të ndryshme si ekonomi, bujqësi, drejtësi, shëndetësi etj. Ideja për krijimin e Komitetit është hedhur në tregun e politikës një vit më parë nga lideri demokrat Berisha, por ngritja e tij u mundësua vetëm në ditët e para të janarit. Dalja në skenë me përfaqësues të Shoqërisë Civile dhe ekspertë të fushave të ndryshme, ngjalli reagime jo vetëm tek kundërshtarët politikë të PD-së, por edhe në anëtarësinë e partisë, pasi anëtarët e Komitetit shihen si pretendentë për të marrë postet kryesore të administratës në rast fitoreje të PD-së. Mbledhja e djeshme është e para që zhvillon Berisha që pas prezantimit të tyre më datë 5 janar. Kjo mbledhje vjen vetëm pak ditë pas kthimit të liderit demokrat nga Amerika nga ku ka marrë mbështetjen e një kompanie amerikane për menaxhimin e fushatës elektorale të PD-së në zgjedhjet e ardhshme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›