E Hënë, 2 Nëntor 2026

PS e paqartë mbi përzgjedhjen e deputetëve

22/01/2005  Strukturat e Partisë Socialiste janë ende të paqarta mbi procedurat që do të ndiqen në përgatitjen e listës së kandidatëve për deputetë. Bllokimi i punës për ngritjen e strukturës më të re në këtë parti, atë të Komiteteve Zonale Elektorale, që ka ardhur për shkak të vonesës në miratimin e ligjit për ndarjen e re zonale, ka bërë që PS të mos procedojë sipas kalendarëve të përcaktuar më parë. Kjo ka sjellë dhe një paqartësi në strukturat e bazës së PS-së mbi përzgjedhjen e kandidaturave. Sipas projektit të socialistëve, janë KZE-të që duhet të organizojnë listën e deputetëve. Por, burime pranë selisë rozë theksojnë se ende nuk janë konstituar kryesitë e KZE-ve nëpër rreth, pasi, sipas procedurave, përzgjedhja e kryetarit, nënkryetarit dhe sekretarit të KZE-së duhet të bëhet në bazë të parimit "një anëtar, një votë", ndërsa kufijtë e KZE-ve do të jenë në bazë të ndarjes elektorale që do të ketë vendi.

Deputetët

Shtyrja e mbledhjes së Kongresit Elektoral të PS-së duket se do të zvarrisë zbatimin e parimit "një anëtar, një votë" për përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë të kësaj partie.

Sipas burimeve, ky konflikt do të shmanget duke bërë përzgjedhjen e kandidaturave për deputetë në bazë të statutit aktual të partisë. Kjo dhe për vetë faktin se koha, për konstituimin e KZE-ve dhe për përzgjedhjen e konkurrentëve për deputet, nuk është e mjaftueshme. Ndaj, duke parë se Kongresi i parashikuar për në fund të janarit, është shtyrë për në prill, pritet që dhe këtë radhë të zbatohet statuti i pandryshuar, sipas të cilit emrat e kandidatëve përzgjidhen nga kryesia e partisë. Përzgjedhja e kandidaturave, sipas statutit, bëhet nga propozimet alternative të ardhura nga Komitetet Drejtuese të rretheve.

KZE-të

Pas miratimit që u bë në mbledhjen e KPD-së të PS-së, të projektit për ngritjen e 100 KZE-ve, aktualisht nuk është arritur në përfshirjen e tyre në statusin e PS-së. Skeptikët në selinë rozë thonë se pa marrë miratimin e Kongresit, kompetencat e KZE-ve do të mbulohen nga forumet e larta të partisë siç është kryesia dhe KPD-ja, pasi ende nuk është arritur në dallimin e përzgjedhjes së drejtuesve të KZE-ve me një anëtar një votë dhe e kandidatëve për deputet me po të njëjtën formulë. Kjo ka lënë të nënkuptuar dhe mundësinë që kryetari i KZE-së të jetë dhe kandidat për deputet. Duke parë se koha nuk premton për sqarimin e kompetencave apo për nisjen e votimeve brenda partisë, është menduar që sërish të jetë Kryesia e Partisë që do të marrë frenat në dorë. Tashmë debati i hapur mbi përplasjet mes kryesive të rretheve dhe KZE-ve, ka kaluar në procedurën e përzgjedhjeve të deputetëve të PS-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›