E Hënë, 2 Nëntor 2026

Memushi fton për dialog sindikalistët

22/01/2005  Mësuesit s'do të paguhen për ditët e grevës S'ka pushime, pasi asnjë shkollë s'ka bërë grevë tri ditë rresht

Memushi fton për dialog sindikalistët

Greva e mësuesve vazhdon në rrethe, Sindikata e Pavarur së shpejti takim me ministrin

Irma Paloli

Greva e mësuesve vazhdon në rrethet e tjera, duke përjashtuar Tiranën. Nga Ministria e Arsimit ka pasur një sinjal për të vazhduar bisedimet me Sindikatën e Pavarur të Arsimit. Nënkryetari i kësaj sindikate, Dëfrim Spahia, thekson se janë në pritje të një bisedimi dhe sigurisht të një zgjidhje të këtij problemi. “Me kërkesën e shefes së kabinetit të Ministrisë së Arsimit ne kemi një takim. Eshtë dërguar materiali për bisedime, kërkesat tashmë janë të ditura dhe jemi në pritje të kësaj bisede me shpresën se do të arrijmë në një rezultat të kënaqshëm. Nëse arrijmë të kemi një përgjigje pozitive, do të njoftojmë të gjitha këshillat nëpër rrethe, për të vazhduar punën e tyre normalisht”, tha Spahia.

Presionet ndaj mësuesve

Synimi i Sindikatave për të arritur rezultate pozitive nuk është përdorimi i dhunës dhe greva. Kjo ka qenë një derivat i mosrealizimit të kërkesave të vitit 2004-05, kërkesa për një rritje rroge prej 15-30%, nuk është një kërkesë taksative, por është një kërkesë shumë e domosdoshme dhe ka lindur nevoja për diskutime. Megjithë debatet dhe diskutimet greva vazhdon në shkallë republike. Ka disa luhatje të mësuesve që kanë qenë në grevë, për shkak të presionit që është bërë nga institucionet e larta. "Ka pasur edhe ndërhyrje të forcave policore dhe jo vetëm në Tiranë, por edhe në qytete të tjera. Nuk është se policia ka ndërhyrë fizikisht dhe të mund të ketë përdorur dhunën, madje forcat e policisë përgëzohen për ruajtjen e qetësisë", thotë Spahia. Ata janë të detyruar të zbatojnë urdhrin që u vjen nga Ministria e Arsimit, me arsyen se mund të ketë pasur konfrontime nëpër shkolla mes mësuesve dhe nxënësve. Presionet e ministrisë kanë qenë nga më të ndryshmet. Në qytete të ndryshme janë dërguar grupe vëzhgimi, me gjithë lajmërimin se greva do të vazhdojë dhe do të jetë pa afat. Me anë të këtyre formave dhe presioneve, ka arritur të zbehet pak situata dhe shumë prej mësuesve të mund të fillojnë mësimin nga frika e humbjes së vendit të punës. Nuk është dhuna që zgjidh problemet, por është dialogu. "Në rast se ne na jepet mundësia e këtij takimi dhe zgjidhjes së kërkesave në parim, të cilat ia kemi paraqitur ministrit Memushi, thekson Spahia, greva nuk do të ketë më kuptim".

Mësuesit-grevistë nuk do të paguhen

Ndërsa, drejtoresha e Drejtorisë Arsimore Tiranë, Majlinda Keta, është shprehur se, greva ka përfunduar dhe nuk ka zgjatur tre ditë në të gjitha shkollat, për këtë arsye nuk do të ketë pushime nga puna të mësuesve në shkollat 9-vjeçare dhe ato të mesme të përgjithshme. Ndëshkimi i vetëm për mësuesit ka qenë heqja e ditës së punës, për ato ditë që kanë qenë në grevë. "Kjo pasi nuk mund të paguajmë dy njerëz për të njëjtën punë, ndërkohë që këtë shërbim për nxënësit e kanë kryer vetëm mësuesit zëvendësues, jo ata të punësuar me kohë të plotë. Kështu që nuk do të paguhen vetëm për ato ditë që s'kanë punuar", tha Keta.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›