E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tenton vetëvrasjen 24-vjeçarja shtatzënë



FIER - Një grua e re në Fier ka dashur të vetëvritet së bashku me foshnjën, që nuk e kishte sjellë ende në jetë, duke pirë një sasi të madhe valiumi, por falë ndërhyrjes në kohë, 24-vjeçarja ka shpëtuar. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se Emalda T., lindur dhe banuese në Bunacë të rrethit Fier, ka tentuar t’i japë fund jetës në orët e para të ditës së djeshme, duke gëlltitur një sasi medikamentesh (valium). Hetimi nxori se 24-vjeçarja e ka kryer tentativën për vetëflijim në rrethana depresive për shkaqe ende të paqarta. Familja e saj është marrë në pyetje, por nuk ka arritur të gjejë shkaqe të forta për të shpjeguar vetëflijimin e tentuar. Gruaja e re, shtatzënë, është dërguar me shpejtësi në Spitalin e Fierit menjëherë pasi u konstatua si e intoksikuar dhe atje ndodhet aktualisht jashtë rrezikut për jetën. Mjekët po bëjnë ekzaminimin e nënës në mënyrë që të mbahet në jetë edhe foshnja 15-javëshe. Ndërkohë, kanë nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve që çuan në tentativën e vetëhelmimit.

Policia heton vdekjen e 56-vjeçares Oshafi

POGRADEC - Një grua në moshën 56-vjeçare ka gjetur vdekjen, por shkaqet mbeten të mistershme, ndërsa ngjarja është duke u hetuar nga policia. Jetere Oshafi, lindur e banuese në Blacë të Pogradecit, u raportua nga i shoqi se në orën 09:00 të ditës së djeshme, ka humbur jetën në oborrin e shtëpisë. Tefik Oshafi deponoi se e shoqja Jeterja ndodhej bashkë me të në oborr ku po mblidhnin kumbulla. “Ime shoqe, Jeterja, ishte lart në pemë dhe në një moment që unë po mblidhja kumbullat e rëna në tokë, pashë Jeteren të rrëzohej nga pema dhe ajo mbeti pa ndjenja”, - ka deponuar bashkëshorti. Ai deklaroi edhe se menjëherë, me ndihmën e fqinjëve e ka çuar të shoqen në spitalin e Pogradecit. Policia sakaq tha zyrtarisht se Jetere Oshafi ka mbërritur në orën 11:00 e vdekur në këtë spital. “Ne jemi duke kryer veprimet hetimore në bashkëpunim me Prokurorinë e Pogradecit”, - deklaroi policia.

15 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›