E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Malazezi Zoran Paviçeviç tregtari i raketave u shiti shkodranëve ‘Strela 2-M’”

20/05/2005  Hetim lidhjeve të tij në Shqipëri për zbulimin e organizatorëve të trafikut të armëve

Prokuroria shqiptare në bashkëpunim me homologen e saj malazeze, kanë konkluduar zyrtarisht në personin që u ka shitur raketat katër shkodranëve. Zoran Paviçeviç 48 vjeç, nga Nikshiçi i Malit të Zi, i arrestuar disa ditë më parë nga policia vendase, nën akuzën e trafikimit ndërkombëtar të armëve, pandehet se është personi që ka shitur tri raketat tokë-ajër “Strela 2-M”. Ndërkaq, si bashkëpunëtorë të tij në sigurimin dhe tregtimin e këtyre raketave, akuzohen bashkëqytetarët e tij, Dragan Radoviç 30 vjeç dhe Branko Sariç, 58 vjeç. Gjatë hetimeve disa mujore, prokuroritë e të dy vendeve dyshojnë se është pikërisht 48-vjeçari Zoran Paviçeviç, ai i cili u ka dorëzuar raketat katër shkodranëve të arrestuar në Vorë të Tiranës, dhjetorin e vitit të kaluar. Prokuroria po heton për të tjera ngarkesa të mundshme armësh të trafikuara nga Mali i Zi drejt Shqipërisë nga ky grup.

Shitësi i raketave

Identifikohet në bazë të provave personi i dyshuar si siguruesi dhe shitësi i tri raketave tokë-ajër tip “Strela 2-M”. Lajmi është bërë i ditur për gazetën “Metropol” nga burime pranë Prokurorisë së Përgjithshme, të cilat thanë dje se Zoran Paviçeviç është personi kryesor i dyshuar për gjetjen dhe shitjen e raketave. Burimet sqarojnë se si bashkëpunëtorë të tij, Prokuroria e Malit të Zi akuzon edhe Dragan Radoviç dhe Branko Sariç. Burimet e organit qendror të akuzës, pohojnë se nga hetimet e deritanishme dypalëshe është konstatuar 48-vjeçari Paviçeviç, si personi që ka pasur kontakt të drejtpërdrejtë me shqiptarët. Gjithashtu, dyshohet që ai të ketë pasur lidhje edhe më të vjetra në këtë rrjet ndërkombëtar të trafikut të armëve, theksojnë burimet e akuzës.

Hetimi

Nga ky hetim i përbashkët, pritet të sigurohen prova për burimin e armëve dhe linjat e këtij trafiku. Gjithashtu, po punohet për sigurimin e provave ndaj personave të dyshuar si anëtarë dhe organizatorë të kësaj bande të trafikut ndërkombëtar të armëve, theksojnë burimet. Sipas burimeve të Prokurorisë, dyshohet se malazezi i dyshuar si personi që ka siguruar dhe ka shitur raketat, Zoran Paviçeviç, mund të ketë trafikuar edhe herë të tjera armë drejt Shqipërisë me destinacione ende të pazbuluara. Prokuroria do të hetojë rreth aktivitetit të tij të mëparshëm dhe lidhjeve që mund të ketë në Shqipëri. Kjo, pasi dyshohet që ai të jetë i lidhur drejtpërsëdrejti me organizatorët e këtij trafiku në Shqipëri. Burimet pohojnë se nga hetimet e kryera rezulton se katër shkodranët e arrestuar nuk ishin të lidhur ngushtë me këtë grup dhe se kanë transportuar armë vetëm këtë herë që u kapën. Ndërsa nga verifikimi i aktivitetit të mëparshëm të Paviçeviçit, pritet që të identifikohen personat që kanë organizuar lidhjet mes tij dhe katër shkodranëve të arrestuar.

Katër shkodranët trafikuan armë për herë të parë

Katër shkodranët e arrestuar nën akuzën e trafikut ndërkombëtar të armëve, pasi u kapën me tri raketa tokë-ajër, dyshohet të kenë qenë thjeshtë transportues. Sipas Prokurorisë, dyshohet që ata të mos kenë pasur lidhje më parë me këtë grup dhe se kanë pranuar të bëhen transportues kundrejt pagesës. Burimet e Prokurorisë, thonë se nga hetimet dyshohet që ky grup i mirorganizuar i trafikut ndërkombëtar të armëve, të ketë rekrutuar për çdo ngarkesë transportues të rinj. Kjo me qëllim që, nëse ata kapeshin nga policia, nuk do të kishin dijeni mbi aktivitetin e mëparshëm të trafikantëve dhe çfarë të tregonin. Gjithashtu, duke përdorur në çdo rrugë transportues të rinj, nuk do të binin në sy të policisë, thonë burimet. Në fund të dhjetorit të vitit të kaluar, pranë qytezës së Vorës, ranë në pranga katër transportuesit, ndërsa po bëhej shkëmbimi i raketave tokë-ajër tip “Strela 2-M” me shumën e parave të paracaktuar, 100 mijë euro. Sokol Mujaj, Ilmi Isufi, Mentor Cami dhe Armir Troshani, u arrestuan nën akuzën e trafikimit të armëve të lehta në bashkëpunim.

Të arrestuarit

Sokol Mujaj

Ilmi Isufi

Mentor Cami

Armir Troshani

Dragan Radoviç

Zoran Paviçeviç

Branko Sariç

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›