Ekspertizë për alkool efektivëve të Gardës, ekspertim sistemit drejtues të mjetit
20/05/2005 Policia dhe Prokuroria kanë vendosur të kryejnë edhe ekspertizën mjeko-ligjore të dy efektivëve të Gardës dhe ekspertimin e automjetit me të cilin po udhëtonin, para se do të konkludojnë në shkaqet zyrtare të aksidentit. Lajmi është bërë dje i ditur për gazetën “Metropol” nga burime të policisë së kryeqytetit, të cilat sqaruan se dy viktimat e aksidentit te Ura e Farkës në Tiranë, i janë nënshtruar autopsisë dhe ekspertizës mjeko-ligjore. Nga burime pranë këtij institucioni, mësohet se ende nuk janë konkluduar rezultatet e autopsisë dhe ekspertizës mjeko-ligjore, por mund të përfundojnë sot. Sipas policisë, ekspertiza mjeko-ligjore ka qenë e nevojshme për të parë nëse dy viktimat kanë konsumuar apo jo pije alkoolike. Kjo, pasi nga dëshmitarët okularë nuk është vërejtur përplasja e automjetit të Gardës me ndonjë tjetër. Nëse do të kemi një rezultat të mospërdorimit të alkoolit nga dy viktimat, atëherë do të përjashtohet pista e një gabimi të mundshëm të drejtuesit, thonë burimet. Ato shtojnë se edhe automjeti po i nënshtrohet një ekspertimi të imtësishëm, pasi dyshohet që të ketë pasur ndonjë defekt teknik, që ka sjellë si pasojë humbjen e kontrollit. Por dëmtimi i mjetit pas rënies në humnerë ka pësuar dëmtime dhe shtrembërime të mëdha dhe ekspertimi do të kërkojë kohë, theksojnë burimet. Dy efektivët e Gardës së Republikës humbën jetën mesditën e së mërkurës tek Ura e Farkës në Tiranë, si pasojë e një aksidenti të rëndë automobilistik. Teksa ktheheshin nga Reparti i Mulletit për në zyrat qendrore të Gardës, rreth orës 15.30 të dy ditëve më parë, Vladimir Xhangolli, 51 vjeç, drejtuesi i mjetit dhe Nok Noka, 45 vjeç, janë përplasur me hekurat rrethues të urës, duke u rrëzuar. Pas rënies nga një lartësi që i kalonte 12 metra, ata mbetën të vdekur në vend. Mjeti me të cilin ata udhëtonin i përkiste Gardës së Republikës dhe bëhet fjalë për një makinë ushtarake, të lartë, me targa TR 3954 I. Nga hetimet paraprake policia ka hedhur dyshimet se drejtuesi i mjetit të Gardës mund t’i jetë shmangur ndonjë përplasjeje të mundshme me automjete të tjera. Gjithashtu dyshohet se mund të ketë pasur defekt sistemi i drejtimit të mjetit, përfundojnë burimet. Edmond Hoxha