Ushtari i qëlloi fëmijët jashtë repartit, e shanë nga nëna 2 ditë më parë

20/05/2005 Prokuroria e Tiranës ka arritur në konkluzione përfundimtare dhe zyrtare rreth shkaqeve që çuan në masakrimin e një të mituri dhe plagosjen e një tjetri nga ushtari i Batalionit të Xhenios së Ushtrisë në Babrru, afro dy javë më parë. Kështu, Prokuroria ka konkluduar se gjithçka ka ndodhur si shkak i një zënke banale mes ushtarit dhe viktimës së tij, dy ditë para ngjarjes. Lajmi është pohuar dje për gazetën nga burime të Prokurorisë së Tiranës, të cilat sqaruan se nga dëshmitë e mbledhura nga personat që kanë pasur dijeni mbi ngjarjen dhe nga vetë i akuzuari për vrasjen e 17-vjeçarit Afrim Versuli dhe plagosjen e 18-vjeçarit Dashamir Gjoni. Burimet e Prokurorisë, pohuan se nga deklarimet e dëshmitarëve është konkluduar se viktima e kishte sharë nga nëna dy ditë para ngjarjes ushtarin. Ndërsa atë paradite, ata janë konfliktuar me fjalë ofenduese sërish me njëri-tjetrin dhe ushtari, i cili duket se ka mbartur edhe mërzitjen e dy ditëve më parë, i ka shkrehur tri krehëra kallashnikovi. Burimet pohojnë se ngjarja ka ndodhur jashtë rrethimit të repartit dhe se nuk ka pasur asnjë subjekt rreth mbrojtjes që ka përdorur ushtari 19-vjeçar Naim Avdia. Ky i fundit ka pohuar para hetuesve se kishte qëlluar mbi fëmijët, pasi këta të fundit nuk i ishin bindur urdhrit të tij për të dalë nga rrethimi. Madje, ai ka ngulmuar se i kishte paralajmëruar disa herë që të dilnin, por se këta e kishin ofenduar. Nga hetimet, Prokuroria ka konkluduar se ky pohim i Avdisë nuk ka qenë i vërtetë. Burimet e Prokurorisë përfundojnë se ndaj kavajasit Avdia, rëndojnë akuzat e vrasjes me dashje dhe vrasjes me dashje të mbetur në tentativë. Gjithashtu ai akuzohet për shkelje të rregullave të shërbimit ushtarak dhe shpërdorim armatimi. E.H.