Dëshiron të kthehet i fortë

Luan Krasniqi ende nuk ka caktuar një datë fikse se kur do t’i kryqëzojë dorëzat me amerikanin Johnathon Banks. Kosovari me pasaportë gjermane ka bërë të ditur se para muajit maj një gjë e tillë nuk mund të ndodhë.
Por boksieri me prejardhje nga Juniku njëherë nuk po mendon fort për datën e rikthimit. 39-vjeçari synon që të përgatitet mirë dhe kur të rikthehet në ring, të jetë në formë të shkëlqyeshme.
“Kur do të rikthehem në ring, dua të jem 100 për qind i gatshëm dhe për këtë kam nevojë për përgatitje të mirëfillta. Prandaj, një meç para muajit maj nuk është i mundshëm. Jam i përcaktuar të vazhdoj me duele të mira në Ludwigsburg”, ka thënë Krasniqi për uebfaqen lkz.de.
Dueli ndërmjet Krasniqit e Banks ishte paraparë të zhvillohej më 26 shkurt, por një sëmundje (infektim i sinuseve) e boksierit nga Juniku, e detyroi atë që ta anulojë meçin e shumëpritur nga të gjithë.
Deri më tani janë dhënë disa data për rikthimin e mundshëm të Krasniqit në ring, por si duket, 7 maji pritet të jetë dita kur kosovari pas një pauze të gjatë do t’i kryqëzojë dorëzat sërish.