Tuneli i Kalimashit rikthen fluksin, 5000 makina në ditë
KUKES/ JONUZ HALLAçI
“Tuneli i Kalimashit”, një ndër togfjalëshat më të përdorur në tre vitet e fundit dhe ndër ëndrrat më e madhore të shqiptarëve tashmë është kthyer në segmentin rrugor më të përdorur në vend, bashkë me gjithë autostradën Durrës-Kukës–Morinë. Duket se dimri i sivjetshëm, i fundit për nga rruga e vjetër, ka qenë shumë i gjatë dhe i mërzitshëm, saqë njerëzit i ka përmalluar ndjenja për të udhëtuar shkurt nga tuneli. Në fakt, për ta bërë këtë ata nuk po presin sezonin turistik ose t’u dalë ndonjë punë, por që në ditët e para të hapjes së tij janë “sulur” edhe për udhëtimin joshës që në këtë fund maji të ofron gjithë autostrada nga Morina në Tiranë, 168 km e gjatë, jo më shumë se 2.5 orë udhëtim. Mësohet se që nga hapja e tunelit kalojnë rreth 5 mijë vetë në ditë, ndërsa ky numër mendohet të 3-4 fishohet me fluksin e pushuesve gjatë verës. Për të shkuar nga Kukësi deri në portat gjigante të tunelit të Kalimashit duhen 15 minuta në 13 km rrugë, jo e gjitha autostradë e re. “Mirë se vini në tunel!”, shkruhet në një tabelë të madhe elektronike, 1 km pa mbërritur aty. Vendi i pushimit të detyruar është thuajse një ndalesë e vogël. Në galerinë e hapur lëvizet vetëm më një kah dhe udhëtimi është detyrimisht nën shoqërinë e forcave të sigurisë me mjete të posaçme. Ndalesa u shërben udhëtarëve nga Kosova për t’u çmpirë. Një cigare, një pije freskuese në kioskat e panumërta që janë anës tunelit është mikpritja e parë për ta. Polici me tabelën e kuqe në dorë thotë se duhet pritur. Në bisedë e sipër, një i moshuar, Hajdini, me cigare të dredhur dorë, tregon se vjen nga Malisheva e Kosovës. “Jam i mallëngjyer që e arrita këtë ditë të madhe për kombin shqiptar. Tash shkojmë e vijmë shumë më shpejt dhe shpesh në shtetin amë. Edhe në plazhet e Shqipërisë, sivjet do të shkojmë në Vlorë, bashkë me djemtë që kam jashtë shtetit”, tregon i moshuari. “Na ka nxi jetën Qafa e Malit, jemi bllokuar dhe për ditë të tëra nga bora. Tashmë shkojmë bëjmë vizita, kryejmë punë dhe kthehemi në shtëpi. E gjitha kjo shkurton lodhje, mund, para, hotel, kohë”, shprehet një banor i Hasit. Edhe shoferi më të cilin udhëtojmë thotë se tashmë bën dy rrugë në ditë, kur më parë ishte i detyruar të flinte në Tiranë në furgonin e tij, pas një udhëtimi 6-orësh. Mjaftojnë këto grimca bisedash dhe në dalje të tunelit duket një fenelinë e ndezur që paralajmëron se nga ana tjetër tashmë kolona me automjete po vjen. Të gjithë hipin nëpër makina dhe për pak momente jemi në hyrje. Që në fillim të shoqëron uturima që lëshon tuneli. Lart në tavanin e tij herë pas here del sinjali paralajmërues “NGADALë”. Arbeni Plushi, një ish-emigrant i sapokthyer nga Italia në Kukës, për të punuar në profesionin e tij si biolog, thotë se është shumë i emocionuar që kalon në këtë tunel. “Tuneli është i jashtëzakonshëm. Nuk i mungon asnjë tregues teknik që kanë tunelet e tjerë nëpër Europë. Më kujtohet kur isha student, ndihsha shumë keq kur do vija tek prindërit nga Tirana, vetëm prej rrugës së mundimshme dhe e tmerrshëm”. Këto biseda dhe vështrime përgjatë tunelit zgjasin vetëm 6 minuta, për t’u gjendur në portën tjetër, në Thirrë, ku vargu i makinave në krahun e kundërt pret për të vijuar hyrjen në tunel. Vetëm 6 minuta, duke shkurtuar 3 orë të rrugës së vjetër.
Të dhënat e tunelit
Ai është i gjatë 5800m. Janë dy galeri me dy kalime secila. Në galerinë e vënë në punë, e cila pësoi shembje në dhjetor të vitit të kaluar janë vënë gjitha pajisjet e duhura: ajrimi, ndriçimi, kamerat që vëzhgojnë çdo metër të tunelit nga salla moderne e komandimit, sistemi i alarmit dhe emergjencës. Galeritë kanë dhjetë dalje emergjente për pasagjerët dhe 6 lidhje për automjetet. Për çdo avari ndërpritet udhëtimi në njërin dhe vijon në tjetrin. Në hyrje të tunelit në Kalimash është stacioni i zjarrfikësve, ai i policisë dhe nënstacioni elektrik. Vënia në punë edhe e galerisë tjetër i jep fund pritjes për të vazhduar rrugën në tunel. Ende nuk ka një ide të qartë se si do bëhet pagesa në një kohë më vonë, të cilën Qeveria e ka lënë të kuptojë se do të paguhet për të mbuluar mirëmbajtjen.