Na kishte dikur një faqe interneti
Universiteti i Tiranës, i vetmi në Evropë pa faqe zyrtare interneti. Qëndron mbyllur prej mëse 8 muajsh
Vështrim në sitet shterpë të IAL-eve. Pjesa më e madhe, sa për sy e faqe, pa asnjë inormacion të dobishëm për studentët
Cila është qasja midis një dinosauri dhe faqes zyrtare të internetit të Universitetit të Tiranës? Në fakt nuk ka asnjë qasje në krahasimin e mësipërm, por vetëm një të përbashkët; që të dy janë zhdukur me kohë nga qarkullimi. Disa muaj më parë, gazeta “Shekulli”, duke nisur edhe nga shqetësimi i herëpashershëm i studentëve apo edhe personave të tjerë që kërkojnë të informohen mbi zhvillimet në Universitetin e Tiranës, ngriti si problematikë mungesën për një kohë të gjatë të faqes së internetit të këtij institucioni. Edhe sot, kur kanë kaluar disa muaj nga ngritja e shqetësimit, Universiteti i Tiranës vazhdon të jetë, ndoshta unikal në Evropë, i vetmi institucion arsimor i lartë publik apo edhe privat, i cili nuk disponon faqe të tij zyrtare të internetit. Parë në këtë këndvështrim, institucioni më i madh i lartë arsimor publik në vend, është më keq se edhe vetë gjimnazet e kryeqytetit apo edhe të ndonjërit në rrethe, të cilët, megjithë problemet që mund të hasin në punën e përditshme, kanë web-in zyrtar ku pasqyrojnë zhvillimet në institucionin e tyre arsimor. Muaj më parë, interesimit të gazetës “Shekulli” lidhur mbi mungesën e faqes së web-it në Universitetin e Tiranës, specialistë të teknologjisë, por edhe drejtues të institucionit, e justifikuan me mungesën e fondeve dhe ngërçin e krijuar në zgjedhjen e kancelarit, kompetencë e të cilit është menaxhimi i të ardhurave financiare. Tashmë, projektligji për kancelarët dhe kompetencat që ata gëzojnë në institucionet e arsimit të lartë publik është miratuar në Këshillin e Ministrave, madje në momentin e miratimit mori edhe pëlqimin e drejtuesve të IAL-eve, të cilët kishin kundërshtuar fort disa nga pikat e propozuara nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencave. Ajo që nuk dihet ende është fakti se, edhe për sa kohë Universiteti i Tiranës do të vazhdojë të jetë pa faqe zyrtare interneti. “Po punojmë”, - na thanë dy muaj më parë. “Shumë shpejt”, - na qetësuan herën e fundit. Në fakt, për të bërë një faqe interneti të mirë nga ana profesionale, specialistë të IT-së (Information Tecnology) sqarojnë për gazetën “Shekulli” se nuk duhen më shumë se 25 ditë. Por mesa duket, Universitetit të Tiranës nuk i mjaftojnë as 12 muajt e vitit. Në janar të vitit 2009, ky institucion mbush plot një vit pa faqe zyrtare, ndërkohë që edhe për një informacion fare elementar, studentët në këtë institucion, por jo vetëm ata, duhet të rropaten dyerve të sekretarive ku jo rrallëherë kanë marrë si shpërblim sorollatjen derë më derë. Shembull konkret është përzgjedhja e fituesve në institucionet e arsimit të lartë publik. Ende në vendin tonë vazhdohet me format primitive të komunikimit me publikun, sikurse mund të jetë afishimi i listave në muret e insitucioneve, ku fare mirë një informacion kaq elementar mbi të drejtën e studimit, mund të gjendet në faqen zyrtare të internetit të institucionit.
“Under Construction”. Kujdes po punohet
Të varfëra, pa informacione të dobishme për naviguesit dhe për më keq, të paabdituara në informacion prej shumë kohësh. Universiteti i Tiranës nuk është i vetmi, i cili shfaq probleme me faqen zyrtare të internetit. Sigurisht është i veçantë në llojin e tij, pasi nuk ka një faqe të tillë, por pak a shumë e njëjta histori shfaqet edhe në web-et e universiteteve të tjera në vend, të cilat duken sikur janë krijuar sa për sy e faqe. “Under Construction” është tabela e punimeve që të del sakaq ndërsa klikon në adresën e Universitetit Politeknik të Tiranës. Kështu ka prej mëse një muaji, ndërkohë që edhe më parë nuk është se në të mund të gjeje ndonjë inormacion të dobishëm, përveç emrave të fakulteteve dhe të rektorit të institucionit. Nëse shikon faqet zyrtare të internetit të institucioneve të larta arsimore në Evropë, është shumë e thjeshtë të bësh dallimin me homologet e tyre në Shqipëri. Nuk është vetëm pamja vizuale, por edhe informacioni që mund të gjesh në to. Së fundi, Këshilli i Ministrave miratoi programet Master të Nivelit të Parë dhe të Dytë. Kërkojmë të dimë diçka më shumë mbi mënyrën e organizimit të këtij programi në fakultete. Kërkimi është i pavlefshëm, pasi askund në web-et e institucioneve të arsimit të lartë publik, nuk mund të marrësh një informacion të tillë. E kundërta ndodh nëse klikojmë, marrim shembull, në Universitetin e Milanos, në Italinë përtej detit. Jo vetëm që mund të gjesh informacion të bollshëm mbi atë që kërkon, por ke të shkruar edhe pagesën, si edhe afatin e aplikimit në një nivel master. Dallimi është i qartë dhe nuk ka nevojë për komente të mëtejshme.
Hera e fundit, kur Drejtoria Arsimore Rajonale në Tiranë dhe ato në rrethe kanë abdituar informacionet në faqet e tyre zyrtare të internetit, është viti 2005. Që nga ajo kohë e deri më sot, askush nuk është kujtuar për të vënë dorë për të rregulluar statistikat e vjetëruara, apo qoftë edhe për të ndryshuar strategjitë arsimore aq shumë të pompuara në tri vitet e fundit nga qeverisja e djathtë. Harresë apo mungesë e qëllimshme interesimi, ajo që vlen të theksohet është fakti se faqet zyrtare dhe sidomos ato që lidhen me arsimin janë shumë larg standardeve të kërkuara. Ky fakt bie në kundërshtim edhe me thëniet e kreut të qeverisë, si edhe ministrave të arsimit, të cilët në fjalimet e tyre i kushtojnë rëndësi të madhe informatizimit në shkolla, ndërkohë që po vetë janë indiferentë në të tilla çështje.