Jeruzalem, vendi i shenjtë nxjerr kryetar bashkie një laik
Kandidati laik Nir Barkat, një biznesmen i pasur i djathtë, fitoi sot zgjedhjet bashkiake në Jerusalem me 52 për qind të votave, mësohet nga rezultatet zyrtare të publikuara sot.
Rivali i tij ultraortodoks Meir Porush fitoi 43 për qind të votave, ndërsa miliarderi me origjinë ruse Arcady Gaydamak zuri vendin e tretë me 3,6 për qind të votave dhe kandidati i katërt Dan Biran, mori vetëm një për qind të votave.
Pak përpara mbylljes së qendrave të votimit, në orën 22:00 (20:00 GMT), pjesëmarrja në votime ishte në masën 42 për qind, vazhdon i njëjti burim.
"Këtë mbrëmje, Jerusalemi fitoi", u deklaroi Barkat, 49 vjeç, përkrahësve të tij, të mbledhur pak përpara agimit në selinë e fushatës së tij.
"Kjo fitore është e të gjithë atyre që duan dhe vlerësojnë qytetin tonë të mrekullueshëm, kryeqytetin e përjetshëm të popullit izraelit", shtoi fituesi, i cili ka një mandat prej pesë vjetësh të rinovueshëm pa afat.
Fituesi, ashtu si dhe tre rivalët e tij, bëri fushatë duke ndjekur një linjë të ashpër, duke kundërshtuar çdo lëshim të mundshëm ndaj palestinezëve në pjesën lindore të Jerusalemit, e pushtuar dhe e aneksuar nga Izraeli në vitin 1936.