Rojet ndihmuan në arratisjen e Rizait
Policia greke ka deklaruar dje se në arratisjen e Alket Rizait dhe Vasilis Paleokostasit ka pasur ndihmë aktive nga rojet e burgut të Koridhalosit. Sipas policisë helene, të dhënat e deritanishme tregojnë që jo vetëm rojet bënë sikur nuk panë se çfarë ndodhi, por ata ndihmuan drejtpërdrejt dy të arratisurit, duke iu mundësuar telefonat celularë dhe duke i lënë të lirë, ndonëse duhet të ishin në dhomat e izolimit.
Deklaratat paraprake të pesë rojeve të arrestuar ishin se ata “nuk e kuptuan menjëherë uljen e helikopterit”, çka shihet nga policia greke si një “pamundësi, pasi rojet ishin rreth e përqark oborrit dhe lëvizjet e shpejta të Rizait dhe Paelokostasit mjaftonin për të kuptuar çfarë ndodhte”.
Për më tepër, deklaratat e rojeve se nuk arritën të ndalonin helikopterin me armë, duken të pabesueshme nga policia, pasi rojet në burgjet greke, trajnohen në përdorimin e armëve përpara se të marrin punën, duke bërë të pabesueshme që asnjë plumb nga tre automatikë nuk preku helikopterin.
Paraburgim për pesë rojet dhe pilotin
Ndërkohë që vazhdojnë kërkimet për arrestimin e dy të shumëkërkuarve, në total 8 punonjës të burgut të Koridhalosit janë pushuar nga puna. Pesë rojet e burgut dhe piloti i helikopterit u çuan në paraburgim mesditën e djeshme, pasi dyshohet se të arratisurit kishin ndihmë nga vetë rojet dhe për këtë arsye pritet të hapen llogaritë bankare të pesë personave.
Në të njëjtën kohë, Shërbimi i Aviacionit Civil po heton nëse janë ruajtur rregullat e sigurisë nga piloti dhe kompania, nga e cila u mor me qera helikopteri. Sipas të dhënave paraprake, që ofron gazeta “Ta Nea”, policia dyshon se piloti ka qenë i përfshirë, pasi edhe pse plani i fluturimit parashikonte marrjen e një gruaje dhe fëmijëve të saj, piloti mori në kabinë një grua dhe një burrë, që ishin bashkautorët e arratisjes.
“Kathimerini”: Dështoi sistemi
Arratisja shkaktoi valë reagimi në mediat dhe politikën greke. Në editorialin e djeshëm të gazetës “Kathimerini”, shkruhet mbi dështimin e sistemit të burgimit në Greqi dhe korrupsionin në radhët e rojeve.
“Arratisja e dyshes Paleokostas – Rizai, që mendohet se u arrit me ndihmën e rojeve të burgut, tregoi një sistem të dështuar. Arratisja e para dy ditëve, e dy të burgosurve, me helikopterë nga burgu i Koridhalosit përforcon klimën e pasigurisë që ndiejnë ditët e fundit qytetarët grekë, – shkruan Kathimerini. – Ikja kinematografike, që mendohet nga policia se u arrit me anë të “shkatërrimit të sistemit nga brenda”, ngriti dhjetëra pyetje dhe shkaktoi shpërthimin e Kryeministrit, që kërkoi “të hiqen koka”, ndërkohë që ministri i Drejtësisë kërkoi hapjen e llogarive bankare të të gjithë të akuzuarve, si edhe të punësuarve në sektorin C të burgut të Koridhalosit”.
Dhjetë gabimet që mundësuan arratisjen
Nuk ishte siguruar oborri i burgut, në mënyrë që të mos ishte e mundur ulja e helikopterit
Nuk kishte plan operacional dhe bashkërendim mes shërbimeve të Ministrisë së Drejtësisë, Shërbimit Civil Ajror dhe Ministrisë së Brendshme
Nuk ishin marrë masa për sigurinë e të burgosurve, edhe pse një javë më parë ishte gjetur në qelinë e tyre një litar për arratisje
Nuk u gjet përdorimi i numrave telefonikë me kartë në burg. Rizai kishte telefon-orë dore, që iu mor, por vetëm pasi kishte hequr kartën SIM
Nxirreshin në të njëjtin oborr dhe në të njëjtën kohë, katër kriminelët më të rrezikshëm, ndër të cilët edhe Paleokostasi dhe Rizai
Nuk u kuptua menjëherë ulja e helikopterit
Nuk kishte vrojtues në oborrin e burgut, por vetëm një roje
Nuk u ndalua fluturimi i helikopterit, edhe pse dy prej rojeve gjuajtën me armë
Roja më afër të burgosurve nuk përdori armën
Piloti i helikopterit mori grua dhe burrë, edhe pse plani i fluturimit parashikonte grua dhe fëmijë
Marrë nga gazeta “Kathimerini”
Rizai “arreston” telefonat celularë
Paleokostasi dhe Rizai mund të mos jenë arrestuar ende nga policia e vendit fqinj, por arratisja e tyre ka bërë që qeveria greke të marrë masa të menjëhershme për sigurinë në burgje. Këshilli i Ministrave i Greqisë u mblodh dje dhe vendosi identifikimin e mbi 13 milionë numrave celularë në Greqi, në mënyrë që të mos përsëritet më situata e krijuar me Alket Rizain, i cili kishte brenda në burg një kartë SIM, që e aktivizonte në orën e tij të dorës.
Ndërkohë, në mbledhjen maratonë të qeverisë u vendos edhe trajnimi i vazhdueshëm i rojeve të burgjeve dhe ndërtimi i tri burgjeve të reja, në mënyrë që të ulet fluksi i kriminelëve në burgjet aktuale. Tashmë çdokush që do të bëhet roje në burgjet greke, do të duhet të deklarojë pasurinë e tij kur aplikon, edhe në rast se nuk shpallet fitues. Qeveria greke miratoi edhe një fond që do të mundësojë vendosjen e sensorëve elektronikë që dallojnë telefonat celularë brenda në burg.
Heqja e anonimatit nga telefonitë celulare, ka sjellë reagime nga gjashtë kompanitë e këtij shërbimi në Greqi. Përfaqësues të këtyre kompanive u takuan dje me ministrin e Transportit dhe Telekomunikacionit, Evripidhis Stilianidhis, duke kundërshtuar këtë masë, që ata e cilësojnë si të parealizueshme, ndonëse shumica e vendeve, përfshi edhe Shqipërinë, e kanë vendosur në jetë.
Kërkime shterpë, asnjë e dhënë për të arratisurit
Shterpë kanë rezultuar kërkimet e deritanishme për Alket Rizain dhe Vasilis Paleokostasin, të cilët sipas policisë greke, mund të kenë lënë në mënyrë ilegale vendin. Policia bëri publike fotografi të dy të shumëkërkuarve, që janë marrë gjatë ditëve të fundit të qëndrimit të tyre në burg dhe i ka shpërndarë ato, në të gjitha pikat kufitare, me Shqipërinë, Maqedoninë, Bullgarinë, Turqinë dhe në portet dhe aeroportet e vendit. Për më tepër, edhe zyra e Interpolit në Athinë ka marrë të dhënat, të cilat i ka shpërndarë në të gjitha vendet, me shpresë se do të mund të gjenden dy të arratisurit.
Reagimet: Të dorëhiqet qeveria
Arratisja e dy të shumëkërkuarve ka tensionuar jetën politike në Greqi. Brenda Partisë “Nea Dimokracia”, deputetët kanë reaguar ndaj ministrit të Drejtësisë dhe ministrit të Brendshëm, në lidhje me arratisjen, ndërsa Kryeministri Karamanlis ka kërkuar që të ikë çdo i implikuar ose i paaftë. Sakaq, partia kryesore e opozitës “Pasok” ka kërkuar dorëheqjen e qeverisë, të cilën e cilësoi të paaftë. Ndërsa partitë e vogla deklaruan se bëhet fjalë për situata tragjikomike, ku qeveria tregon pamundësinë për të qeverisur.