E Shtunë, 31 Tetor 2026

Familjarët: Arratisja e Rizait, kurth për ta eliminuar atë



Sipas dajës së 35-vjeçarit, hetuesit grekë nuk kanë prova për fajësinë e nipit të tij dhe për këtë kanë ngritur këtë skenar, që ta eliminojnë

Ndërsa shqiptari Alket Rizai gëzon për të dytën herë lirinë, pas arratisjes spektakolare nga burgu i sigurisë së lartë greke, Koridhalos, për familjarët e tij e gjithë kjo është vetëm një skenar i organizuar për ta vrarë atë. Sipas dajës së një prej shqiptarëve më “të famshëm” në shtetin helen, Kastriot Beqiraj, nipi i tij është i pafajshëm. Në deklarimet e tij, ai e cilëson arratisjen spektakolare të Alket Rizait si një kurth të ngritur mirë, i cili ka si të vetmin synim vrasjen e 35-vjeçarit. Dhe kjo, pasi ndaj nipit të tij nuk ka prova nga prokurorët grekë që e inkriminojnë atë dhe kështu, ata kanë gjetur një mënyrë për ta eliminuar të arratisurin shqiptar. Alket Rizai dhe Vasilis Paleokostas ende rezultojnë të zhdukur dhe për vendndodhjen e tyre nuk ka asnjë informacion të besueshëm që mund të çojë në lokalizimin dhe prangosjen e tyre. Ditën e djeshme u dërgua në Gjykatën e Pireut piloti i helikopterit të arratisë, që u gjet i lidhur pas braktisjes së mjetit fluturues nga Paleokostas dhe Rizai. Në gjykatë u dërguan për masë sigurie edhe dy oficerë të burgut dhe një roje i jashtëm. Të tre përballen me akuza për përfshirje në largim, sipas nenit 173 të Kodit Penal. Sipas deklarimeve të bëra të pilotit, ai është kërcënuar me armë nga dy persona, të cilët i kanë kërkuar atij që të devijonte rrugën e helikopterit dhe të drejtohej për në burgun grek të Koridhalosit. Bashkë me të kanë qenë në helikopter dy persona, një mashkull dhe një femër. Më pas, pasi ka marrë dy të arratisurit, helikopteri është ndalur në rrethinat e Athinës, ndërsa piloti është lidhur dhe liruar më pas nga policia. Dyshimet e agjentëve kanë nisur, pasi piloti ka pasur në kokë një kapuç të zi dhe ata dyshojnë se ai mund të jetë pjesë e grupit që organizoi arratisjen spektakolare. Gjithashtu, ministri i Drejtësisë, Nikos Dendias, ka kërkuar dje zyrtarisht verifikim të llogarive bankare të zyrtarëve të burgut në Koridhalosit, nën dyshimet për afera korruptive. Paleokostas e Rizai akuzohen edhe për rrëmbimin e një industrialisti të madh grek, vitin e kaluar, për lirimin e të cilit familja kishte paguar 12 milionë euro. Një pjesë e mirë e parave u gjet gjatë arrestimit të Paleokostas, në gusht të vitit të kaluar. Por të paktën 5 milionë mendohet se kanë mbetur në duart e dy keqbërësve. Ndërsa për institucionet greke ky konsiderohet një turp i madh, që tregon edhe për dobësitë e sistemit të burgjeve në përgjithësi, për familjarët e Alket Rizait është e kundërta. Ata i tremben faktit se kjo nuk është veçse një kurth i ngritur për të vrarë shqiptarin më të kërkuar në të gjithë Greqinë, që për ta është i pafajshëm.

Gjashtë të arrestuar, kërkohet hapja e llogarive bankare

Gjashtë veta u arrestuan për arratisjen e Alket Rizait dhe të Vasilis Paleokostas, ndërkohë që ministri grek i Drejtësisë ka kërkuar hapjen e të gjitha llogarive bankare të rojeve të burgut që ishin në sektorin e dy të arratisurve. Pesë roje të burgut, prej të cilëve katër që ishin brenda dhe një në kullën e vrojtimit, u arrestuan dje dhe u dërguan në komisariatin e policisë, të akuzuar për ndihmë në arratisje. Ndërkohë, edhe piloti u dërgua në paraburgim, pasi dyshohet se ka luajtur rol të ndërgjegjshëm në arratisjen e dy të shumëkërkuarve.

Pesë rojet e arrestuar akuzohen se kishin lënë me ndërgjegje daljen e dy të burgosurve në oborr. Rizai dhe Paleokostasi ishin në dhomat e izolimit dhe ende janë të paqarta shkaqet e daljes së tyre në oborr. Të arrestuarit janë katër roje të dhomave të paraburgimit, si edhe vrojtuesi në kullën e oborrit, i cili kishte marrë paraprakisht urdhër të prerë që Rizai dhe Paleokostasi ishin në izolim.

Personat në fjalë dyshohen nga policia greke se janë korruptuar nga të arratisurit. Për këtë arsye, ministri grek i Drejtësisë, Nikos Dendias, kërkoi paraditen e djeshme që të kryhen procedurat për të hapur të gjitha llogaritë bankare të të gjithë rojeve që ishin në sektorin C të burgut, prej nga u krye arratisje spektakolare e dy të shumëkërkuarve.

Prokuroria e Pireut nisi menjëherë zhvillimin e hetimeve brenda në burgun e Koridhalosit. Sipas të dhënave që jep gazeta “Kathimerini”, rojet u shprehën se ata ishin të detyruar të rrinin si spektator të arratisjes, pasi dy bashkëpunëtorët e Rizait dhe Paleokotasit i kërcënonin me armë zjarri.

E planifikonin prej kohësh

Por, arratisja nuk është produkt i një vendimi të ditëve të fundit. Policia greke ka bërë publike dje se dy të arratisurit e planifikonin prej kohësh këtë ikje spektakolare. Duket se mendimi i parë ishte të mos përsërisnin largimin e vitit 2006, por plani i tyre i atëhershëm nuk doli i frytshëm. Në 29 janar, ata u kapën dhe u dënuan në dhomat e izolimit, pasi kishin përgatitur një plan alternativ arratisjeje.

“Dy të burgosurit e planifikonin arratisjen prej shumë kohësh. Në 29 janar ishte gjetur në qelinë e tyre, në Koridhalos, një litar i përgatitur prej batanijeve, që ishin lidhur me njëra-tjetrin. Këtë rast e kishte bërë të ditur një i burgosur tjetër, duke thënë se ata po përgatiteshin për t`u larguar. Për këtë arsye ai u rrah egër nga shqiptari Alket Rizai dhe ata gjendeshin në dhomat e izolimit”, – bën të ditur gazeta “Ta Nea”

Ndenja në dhomat e izolimit duket se u ka bërë mirë dy të burgosurve, pasi patën mundësinë të ripërsërisnin arratisjen e kaluar, duke komunikuar me një telefon që ishte si orë dore. Dalja e tyre nga dhomat e izolimit shton frikën e policisë për korrupsion në radhët e rojeve të burgut.

U zhvillua dje gjyqi për arratisjen e parë

Si për ironi të asaj çka ngjau, dje në gjykatën e parë e rrethit të Pireut u zhvillua gjyqi për arratisjen e parë të Rizait dhe Paleokostas, ndonëse natyrisht dy të akuzuarit nuk ndodheshin në sallë. Njëmbëdhjetë persona të tjerë, që akuzohen se i ndihmuan dy të arratisurit në planin e tyre “hollivudian” morën pjesë në gjykim dhe vijuan zhvillimin e seancës së parë gjyqësore.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›