E Shtunë, 31 Tetor 2026

Poni; Aplikimet për letërnjoftime shkojnë në 115 mijë shtetas



Zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Poni, përmes një deklarate për shtyp ka bërë të ditur gjithë kalendarin e aktiviteteve të realizuara nga kompania kocensionare për hapjen e zyrave të aplikimeve në gjithë vendin. Në kuadër të zbatimit të kontratës koncensionare, në bazë të ligjit nr. 9972, të datës 28.07.2008, për ratifikimin e Kontratës Koncensionare “Për prodhimin dhe shpërndarjen e kartave të identitetit dhe pasaportave elektronike”, ndërmjet Ministrisë së Brendshme të Republikës së Shqipërisë dhe Grupimit “Sagem Securite dhe Fondit Shqiptaro-Amerikan të Ndërmarrjeve”, Ministria e Brendshme bën të ditur se për hapjen e 101 zyrave të aplikimit deri në fund të muajit shkurt 2009, që mbulojnë të gjitha bashkitë dhe komunat me një popullsi 3.100.247 banorë, që përbën më shumë se 73 % të popullsisë së vendit, deri në momentin që po komunikojmë janë hapur përveç gjithë qyteteve kryesore, qendër qarku ose mbi 30 mijë banorë, siç janë Tiranë, Kamëz, Durrës, Vlorë, Fier, Elbasan, Shkodër, Berat, Lushnje, Gjirokastër, Lezhë, Korçë etj., edhe bashkitë e komunat, gjithsej 41, me një popullsi 767.938 banorë. Në vazhdim, sipas Ponit, nga kompania koncesionare është marrë angazhimi i realizimit të planit për shtrirjen e procesit të aplikimit në gjithë territorin. “Ju informojmë se në shkallë vendi deri më 23 shkurt 2009, numri i aplikimeve është afërsisht 115.000 shtetas. Në të gjithë Tiranën ka filluar shpërndarja e dokumenteve të prodhuara. Janë në sportelet e shpërndarjes gjithë letërnjoftimet për të cilat është aplikuar javën e parë dhe nga pasnesër, e enjte, do të shpërndahen edhe për javën e dytë të aplikimit. Ju informojmë se nga numri total i aplikimeve 74. 022, të ngarkuara deri tani në sistem, nga kompania koncesionare, numri i shtetasve pa pasaportë që kanë aplikuar për letërnjoftimin elektronik është 31.820, në numrin e përgjithshëm prej 81.313 për qytetin e Tiranës”, - përfundoi zëvendësministri Poni.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›