E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një grua shqiptare, “truri” i arratisjes



Piloti tregon për dy personat që rrëmbyen helikopterin

Rizai komandonte operacionin me telefon – orë dore

Truri i operacionit të arratisjes së Alket Rizait dhe bashkëpunëtorit të tij, Vasilis Paleokostas, ka qenë një grua, e cila mendohet të jetë shqiptare, sipas mediave greke. Së bashku me një tjetër person, edhe ai sipas të gjitha gjasave shqiptar, ajo rrëmbeu helikopterin, të cilin më pas e uli në burgun e Koridhalosit për të mundësuar arratisjen e dy të shumëkërkuarve.

Gruaja ... e arratisjes

Gazeta greke “Kathimerini” shkruan në artikullin e saj të djeshëm se kjo grua “afërsisht 30 vjeçe, ishte paraqitur në kompaninë “Interxhet”, si sipërmarrëse dhe kishte paguar dy herë helikopterë më 13 dhe 15 shkurt, me të cilët shkoi në Itea”. Pikërisht të njëjtën rrugë ka ndjekur edhe helikopteri i dy ditëve më parë, që mundësoi arratisjen e Alket Rizait dhe Vasilis Paleokostasit.

E përditshmja greke, “Ta Nea”, shkruan se “dje, e njëjta grua, telefonoi në kompani duke dhënë të dhënat e saj, të cilat ishin të njohura për punonjësit, dhe kërkoi një helikopter që ta merrte së bashku me fëmijët nga Itea. Kur helikopteri mbërriti aty dhe u ul në vendin e paracaktuar, u shfaq gruaja së bashku me një burrë, afërsisht 35 vjeç, me një makinë, tip “Tojota””.

Sipas pilotit, i cili rrëfeu në polici atë çfarë kishte përjetuar gjatë orëve të rrëmbimit, ai i kishte kërkuar se ku ishin fëmijët, por gruaja tha se do të hipte në helikopter së bashku me burrin që e shoqëronte. Në polici, piloti rrëfeu se kur pyeti për emrin e burrit, ai u përgjigj në mënyrë të paqartë me një emër që u dëgjua si “Cinga”.

Sipas pilotit, kur po i afroheshin Athinës, burri nxori nga xhepi një granatë, të cilën e vendosi në qafë të pilotit dhe e drejtoi drejt burgut të Koridhalosit, ku e detyroi të ulej në nivelin e tarracës dhe të merrte me një shkallë litari dy të burgosurit. “Në çastin që dy të burgosurit hipnin në helikopter, gruaja kërcënonte rojën e burgut, që ishte në kullën e vrojtimit të tarracës, me një automatik tip “Skorpion” dhe ai nuk kundërshtoi”, – shkruan gazeta “Kathimerini”.

Telefon-orë dore

Ndërkohë policia greke, me anë të një njoftimi për shtyp, bën të ditur se dy personat që ishin në helikopter merrnin udhëzime nga Alket Rizai që fliste me ta në telefon. Telefoni ishte në formën e një ore dore, që Rizai e kishte brenda në burg.

Piloti rrëfeu në polici se menjëherë pas largimit nga burgu i Koridhalosit të arratisurit dhe dy personat që i ndihmuan i kërkuan që të ulej në rrugën Athinë-Lamia prej nga hipën në dy xhipa të zinj, të cilët nuk mundi t’i identifikonte. Përpara se të largoheshin, me të ulur helikopterin, Rizai dhe Paleokostas e lidhën me litar dhe e lanë në pjesën e pasme të helikopterit, me mjete që i kishte me vete gruaja, që duket se është organizatorja e gjithë operacionit.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›