Nis funksionimi i Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile
Regjistri i ri kombëtar i gjendjes civile nuk lë shteg për manipulime në zgjedhje, është një bazë e sigurt për lista zgjedhore të sakta dhe për dokumentet e reja të identitetit. Me anë të këtij deklarimi, ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, ka garantuar saktësinë dhe pamundësinë e manipulimit të këtij regjistri. Ndërkohë që edhe ambasadori austriak garantoi se regjistri i ri është më i sofistikuari dhe më moderni në botë. Ministria e Brendshme zhvilloi dje një ceremoni zyrtare për fillimin e funksionimit të Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile. Të pranishëm në ceremoni ishin ministri i Brendshëm, z. Bujar Nishani, zv.kryeministri z. Genc Pollo, ambasadori i OSBE-së, z. Robert Bosch, ambasadori austriak, z. Klaus Derkowitsch, drejtori i Përgjithshëm i Regjistrit Kombëtar të Austrisë, z. Oswald Kessler. Të pranishëm ishin edhe përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në vendin tonë. Gjatë këtij prezantimi, ministri i Brendshëm, z. Bujar Nishani, e vlerësoi si arritje të madhe e të rëndësishme realizimin e projektit të përbashkët midis qeverisë shqiptare dhe qeverisë austriake, përkatësisht ministrive të Brendshme të dy vendeve për krijimin e Regjistrit të ri të Gjendjes Civile. Gjatë fjalës së tij përshëndetëse, ministri Nishani e cilësoi si një arritje të madhe këtë regjistër, “duke pasur parasysh dy standarde të ndryshme, të atij që ekzistonte më parë, kur të dhënat e shtetasve shqiptarë në zyrat e gjendjes civile ishin të regjistruara dhe ruheshin në mënyrë manuale në libra, ku ekzistonin mjaft parregullsi dhe gabime, ku funksiononte një procedurë, e cila ishte jashtë kontrollit ligjor dhe procedural të punonjësve të zyrave civile, i cili përbënte një bazë të pasigurt dhe të pasaktë për gjenerimin e informacioneve, si në rastin e prodhimit të listave të votuesve gjatë zgjedhjeve në vendin tonë, gjithashtu si një burim i pasaktë për të gjitha shërbimet e tjera që kërkonin identifikimin e qytetarëve shqiptarë. Me modelin e ri kemi një regjistër elektronik të shtetasve shqiptarë, i cili është i ndërlidhur me zyrën qendrore të Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile dhe të gjitha njësitë e qeverisjes vendore në të gjithë vendin, regjistër i cili komunikon në mënyrë elektronike me të gjitha shërbimet që ndërlidhen me të, një regjistër i cili përbën sot një burim të sigurt dhe korrekt për një sërë shërbimesh”. Gjithashtu, ministri i Brendshëm evidentoi si mjaft të rëndësishëm edhe faktin se ky regjistër është i pastruar nga dublikimet, ka siguri të lartë në ruajtjen e të dhënave dhe dekonspiron çdo tentativë manipulimi, përbën një burim të sigurt për gjenerimin e listave të votuesve, e mbi të gjitha një regjistër që i parapriu fillimit të procesit të aplikimit të qytetarëve për letërnjoftimet elektronike. “Sot përpara qytetarëve shqiptarë dhe partnerëve ndërkombëtarë, jemi të kënaqur se tashmë kemi ofruar një produkt të standardeve evropiane”, - deklaroi ministri Nishani, duke falënderuar partnerët ndërkombëtarë që ndihmuan projektin, në veçanti qeverinë austriake, asistencën e OSBE-së dhe ndihmën financiare të delegacionit të Komisionit Evropian. Zv.kryeministri z. Genc Pollo u shpreh në takim se “me Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile, shteti shqiptar për herë të parë ka të dhënat për çdo qytetar të tijin, në mënyrë të plotë e të organizuar”. “Lidhja e Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile me database-t e tjera, si Qendrën Kombëtare të Regjistrimit të Biznesit, zyrat e tatimeve, ISKSH, ISSH etj., pra koordinimi i këtyre sistemeve, është gjithashtu një projekt i rëndësishëm i qeverisë”, - u shpreh zv.kryeministri Pollo. Ambasadori i Austrisë, z. Klaus Derkowitsch, në fjalën e tij e vlerësoi Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile të Shqipërisë si një nga regjistrat më të sofistikuar dhe më modernë, si dhe siguroi për vazhdimësinë e mbështetjes së qeverisë austriake për integrimin e këtij regjistri në të gjitha sistemet e tjera të regjistrimit për shërbimet ndaj shtetasve shqiptarë, e po ashtu ndihmën për organizimin e zgjedhjeve të lira dhe sipas standardeve. Ambasadori austriak ka siguruar se teknikisht ky regjistër do zgjidhë shumë konflikte në zgjedhje. “Jam i kënaqur që prezantoj Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile, që është më i sofistikuari dhe më moderni në botë, dhe që ne arritëm ta përshtatnim për Shqipërinë. Jam shumë i bindur që teknikisht, sipas specialistëve tanë, sepse austriakët përgjigjen për pjesën teknike, do të shërbejë për të zgjidhur konflikte në zgjedhje”, - u shpreh ambasadori austriak, Klaus Derkowitsch. Më tej, ceremonia u mbyll me prezantimin e sistemit online të Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile.