Dëshmia: E flaka fëmijën pas divorcit me gruan
SHKODËR – “E flaka foshnjën nga ura pas divorcit me bashkëshorten”. Këto kanë qenë fjalët e babait monstër teksa dëshmoi dje në mesditë para ekspertëve të policisë së Shkodrës në lidhje me ngjarjen e ndodhur dy ditë më parë. Eduard Gjoka, autori i vrasjes së mbetur në tentativë të djalit të tij, është gjetur i fshehur në fshatrat e thella të rrethit të Shkodrës. Që pas hedhjes nga ura të foshnjës ai është larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa policia organizoi një operacion special për kapjen e tij, i cili u drejtua nga kreu i Policisë së qarkut. Pas dëshmisë që ka dhënë babai vrasës, ai është dërguar në qeli dhe pritet t’i komunikohet akuza. Burimet spitalore raportojnë se gjendja e foshnjës është përmirësuar ndjeshëm dhe ndodhet në përkujdesjen mjekësore në Spitalin e Shkodrës.
Arrestimi
Eduard Gjoka, sapo ka hedhur nga ura nga një lartësi 5 metra, në shinat e trenit, djalin e tij 2-vjeçar, të lindur nga një martesë e dështuar, është larguar nga vendi i ngjarjes. Skena e tmerrshme ndodhi në sytë e dhjetëra personave, të cilët kanë parë dhe identifikuar personin. Ai është larguar nga qyteti në drejtim të fshatrave të thella malore të Shkodrës. Pasi i është dhënë ndihma e parë foshnjës dhe pasi janë marrë dëshmitë e para, nisi operacioni për kapjen e babait vrasës. Aksioni është kryesuar nga drejtori i Policisë së qarkut të Shkodrës. Që prej orës 15:30 të ditës së premte janë angazhuar të gjitha forcat policore për kapjen e 32-vjeçarit Gjoka. Përgjimi i linjave telefonike dhe ndihma që kanë ofruar të afërmit e të kërkuarit bënë të mundur që në orën 10:30 të gjejnë dhe prangosin. Burimet zyrtare shprehen se kapja e Eduard Gjokës është bërë rreth 12 kilometra larg qytetit të Shkodrës, pikërisht në vendin e quajtur “Kodrat e Bardhajve”. Ai ishte strehuar në fshatin Bardhaj të komunës Rrethina, te banesa e një të afërmi të tij. Në momentin e arrestimit Gjoka ka dëshmuar për motivet që e shtynë të bëjë këtë krim të rëndë.
Shkaqet
Eduard Gjoka e kishte përjetuar shumë keq divorcin me bashkëshorten e tij, me të cilën kishte edhe një fëmijë 2-vjeçar. Çifti ishte në proces gjyqësor për fëmijën. Që pas periudhës së ndarjes marrëdhëniet mes tyre ishin tensionuar. Ditën e premte Eduardi ka shkuar në banesën e gruas së tij dhe ka marrë fëmijën. Rreth orës 15:30 të asaj dite, teksa ndodhej në lagjen “Tre heronjtë” në qytetin e Shkodrës, hodhi nga ura që ndodhet te mbikalimi i trenit të birin, në tentativën për ta vrarë. 2-vjeçari E. Gjoka ra nga lartësia 5 metra, por fatmirësisht nuk gjeti vdekjen. Ai ka pësuar fraktura në trup dhe thyerje në këmbën e majtë. Policia, por edhe burimet spitalore pohuan se foshnja është jashtë rrezikut për jetën. Zëdhënësja e Policisë së qarkut të Shkodrës tha se “nga veprimet e para hetimore rezultoi se ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta, pasi autori ishte i divorcuar nga bashkëshortja e tij dhe veprimin e ka kryer në shenjë hakmarrjeje”. Sipas saj, “Gjykata, pas divorcit të çiftit Gjoka, i kishte dhënë të drejtën babit për të parë fëmijën vetëm 3 herë në javë dhe dyshohet se ky ka qenë shkaku që 32-vjeçari Gjoka është përpjekur të vrasë të birin”. Burimet policore sqarojnë se gjatë ditës së djeshme janë kryer të gjitha veprimet procedurale dhe hetimore. “Materialet në ngarkim të shtetasit Eduard Gjoka do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprën penale të vrasjes me dashje, të mbetur në tentativë”, - thotë zëdhënësja e Policisë, Fatbardha Çelepia.
Akti i rëndë i një prindi që tenton të vrasë foshnjën e tij ka tronditur opinionin në qytetin verior të Shkodrës.
7 Dhjetor 2009