Djali i Remzi Hoxhës: Presione politike mbi Gjykatën e Lartë
TIRANË – Heqja e masës së sigurisë për Ilir Kumbaron, e cila vë në pikëpyetje ekstradimin e tij nga Londra, ka sjellë reagimet e familjes së Remzi Hoxhës. Vetëm pak orë pas dhënies së vendimit nga Gjykata e Lartë, ka reaguar djali i biznesmenit shqiptaro-maqedonas, i zhdukur 14 vjet më parë. Adrian Hoxha dhe vëllai i viktimës, Nexhmedin Hoxha, në një prononcim për mediat shprehën rezervat e tyre për Drejtësinë në Shqipëri duke akuzuar edhe zyrtarë të qeverisë si të implikuar në rrëmbimin dhe zhdukjen e njeriut të tyre në vitin 1996. Pas dhënies së vendimit nga Gjykata e Lartë mund të jetë i pritshëm një ndryshim në vendimin për ekstradimin e ish-shikasit, i cili akuzohet për përfshirje në zhdukjen e Hoxhës në tetorin e vitit 1995.
Deklarata
“Duket qartë se politika qeveritare ka direkt gisht ndaj personave që pa kompromis janë të implikuar në krime të papara dhe tani dëshirojnë të lirohen nga proceset gjyqësore", - tha Nexhmedin Hoxha, vëllai i të zhdukurit. Ai shtoi se Drejtësia në Shqipëri nuk po funksionon. Më tej ai shoi se pavarësisht rrethanave dhe proceseve gjyqësore, familja nuk do të ndalet së kërkuari drejtësinë dhe varrin e njeriut të tij të dashur. "Ne nuk do të hakmerremi ndaj atyre që pranojnë të rrëfejnë ngjarjen e vërtetë dhe ndoshta kanë qenë të detyruar ta bënin nga eprorët e tyre, ne do i falim, por me një kusht: që të na tregojnë eshtrat e tij që ta varrosim", - shprehet i vëllai i të zhdukurit, Nexhmedin Hoxha, duke cilësuar çështjen e tyre si një lojë të politikës qeveritare.
I biri i Remzi Hoxhës, Ardiani, në reagimin e tij akuzon Drejtësinë dhe politikën në Shqipëri se po shpërblejnë kriminelet. "Vendimi i Gjykatës tregon edhe njëherë se sa e brishtë dhe jo e drejtë është Drejtësia dhe politika në Shqipëri. Krimineli shpërblehet për krimet e kryera. Avokatët e ‘të fshehurit, gënjeshtarit dhe kriminelit’, kanë arritur që përkohësisht të gjejnë një hapësirë ligjore, të cilën e ka krijuar qeveria ‘Berisha’ për t'i falur kriminelet për krimet e kryera", - theksoi Ardian Hoxha. Ai paralajmëroi se Ilir Kumbaro dhe bashkëpunëtorët e tij nuk do të lirohen nga përgjegjësia.
Djali i Remzi Hoxhës vë në dukje provat e akuzës, të cilat, përveç se kanë provuar se babai i tij është rrëmbyer nga punonjësit e SHIK-ut të asaj kohe, kanë faktuar se i fundit që është parë më të zhdukurin ka qenë i pandehuri Ilir Kumbaro që është në proces gjyqësor ekstradimi në Angli drejt Shqipërisë. "Ka prova të mjaftueshme që dëshmojnë se Ilir Kumbaro ka qenë personi i fundit i që e ka pasur ‘në dorë’ babanë tim para se t'i mbeste në to. Ky vendim, për mua personalisht nuk ka ndonjë peshë të veçantë, përveçse na tregon edhe njëherë se në Shqipëri nuk ka drejtësi të mirëfilltë,- theksoi Ardian Hoxha për një media. Ai shprehu bindjen se pavarësisht vendimit të Gjykatës së Lartë, ngjarja do të zbardhet dhe autorët do të marrin dënimin e merituar dhe se nuk do ndalen se kërkuari eshtrat e njeriut të tyre të dashur të rrëmbyer nga punonjësit e SHIK-ut në tetor të 1995-s në punishten e tij në Tiranë.
Vendimi
Katër ditë më parë, Gjykata e Lartë hoqi masën e sigurisë “arrest me burg” për ish-shikasin Ilir Kumbaro. Me vendimin e kësaj gjykatë, me pretendimin se masës së marrë në vitin 2003 i kanë humbur efektet, të akuzuarit kryesorë për rrëmbimin dhe torturimin me pasojë zhdukjen e biznesmenit shqiptaro- maqedonas Remzi Hoxha i lind e drejta të kërkojë lirimin në Gjykatën e Londrës, vend ku dhe po mbahet për qëllime ekstradimi.
Vendimi i Gjykatës së Lartë vjen pas rrëzimit që Gjykata e Shkallës së Parë dhe ajo e Apelit i bënë kërkesës së avokatëve mbrojtës të Ilir Kumbaros. Ish-oficeri i lartë i shërbimit sekret, Ilir Kumbaro, që është nën akuzë për rrëmbimin dhe zhdukjen e biznesmenit Remzi Hoxha, u arrestua në Londër në muajin tetor të 2008-s, pas një kërkimi ndërkombëtar nga Interpoli. Kumbaro kishte ndërruar disa herë adresën e banimit në kryeqytetin britanik për të mos rënë në gjurmët e policisë, ndërsa jetonte me identitet të rremë.
Banda shqiptare e drogës shpallet e pafajshme në Britani
LONDËR - Shqiptarët që u arrestuan në marsin e vitit 2008, ku akuzoheshin për shitje heroine në qytetin e Oksfordit, fitojnë pafajësinë pas një gjyqi 11-mujor, ndonëse një vendim i tillë nuk është pëlqyer nga Skotland Yeard. Shtatë shqiptarët, për një vit e tetë muaj ndodheshin në burg, ndërsa juria i gjeti të pafajshëm nga akuzat e ngritura, gjë që iu ka kushtuar taksapaguesve britanike rreth 1.9 milionë sterlina. Juria rrëzoi të gjitha provat e hetimit 8-mujor të Policisë së Oksfordit që survejonte shqiptarët. Shqiptarët akuzoheshin si një grup i fuqishëm kriminal, të cilëve i janë kapur dy laboratorë droge, mijëra paund dhe sasi e konsiderueshme droge. Emrat e shtetasve me kombësi shqiptare që fituan lirinë janë: Leon Cohadari, Gentian Harizaj, Elmand Koshaj, Ervin Meta, Artan Lleshi, Uljan Nelku dhe Elton Celbiqiri. Shqiptarët shprehen pozitivisht për Drejtësinë angleze, ndërsa për policinë shprehen negativisht. Njëri prej shqiptarëve, Elton Celbeqiri, shprehet: “Falënderoj Zotin që në këtë vend ka juri. Ende nuk e di përse policia mendonte se ne ishim të përfshire në shitje droge. Ata kontrolluan shtëpinë time dhe të miqve të mi duke mos gjetur asnjë gjë. Unë u burgosa padrejtësisht për 20 muaj”. Ngjarja e pazakontë, e ndodhur në qytetin e Oksfordit, ku tani policisë do t’i duhet edhe të dëmshpërblejë shqiptarët për burgosje të padrejtë.
TË LIRUARIT
Leon Cohadari
Gentian Harizaj
Elmand Koshaj
Ervin Meta
Artan Lleshi
Uljan Nelku
Elton Celbiqiri
Prangosen tre të rinj, grabitën me maska dhe armë karburantin
VLORË – Tre persona, autorë të një grabitjeje me maska në një pikë karburanti në Vlorë, kanë rënë në pranga dy muaj pasi kanë kryer krimin. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se në kuadër të operacionit “Maska e grisur”, realizuar nga forcat e policisë dhe të prokurorisë në rrethin e Vlorës, është bërë e mundur të zbulohen dhe të shkojnë në pranga shtetasit e mëposhtëm: Blendi Patriot Zykaj, 19 vjeç, nga Selenica, bashkëqytetari i tij, Ermal Sokrat Rakipaj, 21 vjeç dhe Gëzim Vladimir Halilaj, 19 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Romës në Vlorë. “Ndalimi i këtyre shtetasve u bë pasi dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në datë 26.10.2009, kanë vjedhur të maskuar, nën kërcënimin e armës, pikën e karburantit ‘Kastrati’, në pronësi të shtetasit Mondi Veshaj, në fshatin Sherisht të Vlorës”, - thotë zëdhënësi i Policisë së qarkut Vlorë. Sipas tij, “për këtë ngjarje nga ana e Prokurorisë ka filluar procedimi që më datë 28 tetor ndaj personave të arrestuar dje, pasi akuzohen për veprën penale të “vjedhjes me armë, në bashkëpunim”. Zbulimi i autorëve të grabitjes me maska dhe armë erdhi pas hetimeve të vazhdueshme dhe përgjimeve të telefonave të personave të dyshuar. Materialet në ngarkim të tyre i kanë kaluar prokurorisë. Ata përballen me akuzën e “vjedhjes me armë, kryer në bashkëpunim”.
TË ARRESTUARIT
1. Blendi Zykaj, 19 vjeç, lindur e banues në Selenicë të Vlorës
2. Ermal Rakipaj, 21 vjeç, lindur e banues në Selenicë të Vlorës
3. Gëzim Halilaj, 19 vjeç, lindur e banues në fshatin Romës të Vlorës
7 Dhjetor 2009