ISKSH monitoron zonat e përmbytura
Eljona Lata
Instituti i sigurimeve Shëndetësore ka bërë një raport mbi monitorimin e situatës në zonat e përmbytura për sa i përket shërbimit shëndetësor dhe furnizimit me medikamente. Sipas këtij raporti situatë është nën kontroll dhe të gjitha klinikat shëndetësore janë të pajisura me medikamentet e nevojshme. Para disa ditësh ISKSH-ja ka urdhëruar personelin mjekësor, të punojnë 24 orë pa ndërprerje për t’i ardhur në ndihmë banorëve të këtyre zonave të përmbytura. Sipas drejtoreshës të ISKSH-ës në qendrat shëndetësore të pesë komunave situata paraqitet e normalizuar.
Situata
Në Komunën e Dajçit, Ana e Malit, Gurit të Zi, Berdicës dhe të Velipojës qendrat shëndetësore janë pajisura me medikamentet e nevojshme për përballimin e situatës dhe ofrohet një shërbim prej 24 orësh sipas grafikut. Drejtori i Mjekut në ISKSH, Gazmend Koduzi, ka vendosur një shërbim të pandërprerë në këto komuna me anë të një grafiku të përcaktuar nga ISKSH në bashkëpunim me Qendrat Shëndetësore të 4 fshatrave të këtyre komunave. Për të mbuluar shërbimin 24 orë, janë caktuar edhe mjekë të zonave përreth për të qenë të pranishëm në këto qendra shëndetësore në rast nevoje të banorëve. Sa i takon medikamenteve, sipas ISKSH-së, qendrat shëndetësore janë të pajisura me të gjithë setin e medikamenteve të emergjencës, i nevojshëm në këto raste.
Sëmundshmëria
Gatishmëria e mjekëve është maksimale edhe për pacientët e sëmurë kronikë për të cilët nuk është ndërprerë në asnjë moment mjekimi i përditshëm. Edhe spitalet janë në gatishmëri të plotë për situatën e krijuar nga reshjet e shumta të ditëve të fundit. Deri tani situata paraqitet nën kontroll, dhe sëmundshmëria nuk është në ritje. Përsa i përket masave të marra për pritjen e popullatës së evokuar janë shfrytëzuar ambientet e konvikteve të shkollës Pedagogjike, shkollës Industriale, shkollës Artistike dhe në ambientet e Hotel-Turizmit. Përkatësisht në konviktin e shkollës Pedagogjike janë strehuar 5 persona të ardhur nga Komuna Berdice, në konviktin e shkollës Industriale janë strehuar 226 persona te ardhur nga Komuna Gur i Zi, fshati Kuç, në konviktin e shkollës Artistike janë strehuar 58 persona të ardhur nga lagja Kiras e qytetit. Dhe në të gjitha vendstrehimet situata shëndetësore paraqitet e qetë. ISKSH thotë se do të vijojë të ketë gatishmërinë maksimale, duke dhënë shërbim të pandërprerë për këta banorë.
Shkodër
Frikë nga epidemia, ujërat e zeza dalin në sipërfaqe
Ujërat e zeza dalin në sipërfaqe në zonën e Shkodrës për shkak të bllokimit të kolektorit të shkarkimit pas përmbytjeve në zonën e Livadit. Bllokimi i kolektorit po pengon zhbllokimin e rrugëve nga uji, ndërkohë që në sipërfaqe kanë dalë ujerat e zeza. Ky fenomen shfaq rrezikun për rënien e një epidemie nga ndotja e ujit të pijshëm për shkak të bashkimit me ujërat e zeza, të cilat ndodhen në sipërfaqe. Përkeqësimi i situatës dhe frika për rënien e ndonjë epidemi të mundshme për shkak të ndotjes së ujit të pijshëm pritej qysh më përpara. Para disa ditësh për këtë arsye, dy grupe specialistësh të lartë të shëndetit publik nga Instituti i Shëndetit Publik u nisën drejt zonave të Lezhës e Shkodrës. Grupi i specialistëve i nisur drejt Lezhës do të monitoronte për tre ditë me radhë situatën e ujit të pijshëm në këtë zonë, ndërsa drejt Shkodrës grupi i drejtuar nga Dritan Ulqinaku do të vëzhgonte nga afër situatën epidemiologjike në zonë, për të shmangur në kohë një katastrofë të dytë që mund të vijë si pasojë e shpërthimeve epidemike. Të dy grupet do të kontaktojnë me specialistët e shëndetit publik të zonave për të shkelur terrenin e parë nga afër situatën e krijuar nga përmbytjet e mëdha të këtyre ditëve. Ndotja e ujit të pijshëm nisur nga përvojat e kaluara në raste të tilla përmbytjesh, ujërat e zeza bashkohen me ato të bardha dhe krijojnë vatra infeksioni. Për këtë arsye ka nisur parapritja e situatës për të mos lejuar rënien e ndonjë epidemi të pashmangshme. Deri tani s’ka asnjë të dhënë nëse mund të ketë shpërthime epidemike të krijuara. Specialistët që ndodheshin në këto zona janë udhëzuar të marrin mostra të ujit për t’i analizuar ato në laboratorin e ISKSH-së. Por situata ka dalë jashtë kontrollit dhe pritet të merren masa të menjëhershme për të parandaluar përkeqësimin e gjendjes. Mësohet se janë piketuar tre zonat në Bunë që pengojnë shkarkimin e ujerave, ndërkohe që forcat e ushtrie janë gati për ndërhyrje.
Bashkia e Tiranës akuzon qeverinë për bllokim fondesh
Bashkia e Tiranës akuzoi dje ministrin e Financave, Ridvan Bode se u ka bllokuar fondet për shërbimet publike që kanë kryer disa biznese sipas kontratave që kanë lidhur me të. Sipas zëdhënëses së Bashkisë, Joana Bushi që nga data 18 dhjetor, Drejtoria e Thesarit ka kthyer mbrapsht pagesat që kanë të bëjnë me rindërtimin e rrugëve dhe pastrimin e kryeqytetit. “Këto pagesa që arrijnë në 101 milionë lekë të reja dhe bëhen nga arka e Bashkisë së Tiranës dhe jo nga buxheti i shtetit, u mohohen në mënyrë të paligjshme 24 kompanive. Arka e shtetit mund të jetë bosh, por qeveria nuk asnjë të drejtë të fusë duart në arkën e bashkive dhe as t’u faturojë krizën ekonomike kompanive private. Ky arbitraritet i ri i qeverisë bie mbi punëtorët e këtyre kompanive, dhe mbi vetë qytetin tonë, që duhet pastruar përditë dhe mirëmbajtur gjithashtu. I bëjmë thirrje ministrit të Financave të zhbllokojë pagesat që Bashkia e Tiranës u detyrohet sipas kontratave të punëve të kryera, kompanive të kontraktuara”, thuhet në deklaratën zyrtare të Bashkisë së Tiranës.
12 Janar 2010