Drejtuesit e “Çalik Holding” dhe “Eagle Mobile” vizitojnë zonën e përmbytjeve
Drejtuesit e “Çalik Holding” dhe “Eagle Mobile” vizituan dje zonën e prekur nga përmbytjet në Shkodër. Orhan Xhoshkun, President i “Çalik Holding” për Europën Juglindore dhe Ballkanin dhe Ali Taskin, Drejtor i Përgjithshëm i “Eagle Mobile”, vizituan banorët dhe biseduan me ta lidhur me gjendjen e tyre. Ata premtuan se do të bëjnë më të mirën e mundshme për të përshpejtuar shpërndarjen e ndihmave. Po ashtu Xhoshkun dhe Taskin vizituan shtabin e emergjencës ngritur në Prefekturën e Shkodrës. Ata u takuan me ministrat, Basha, Olldashi, Imami, Vasili si dhe deputetin e zonës së Dajçit, Uldedaj, duke shprehur mbështetjen për kapërcimin sa më të shpejtë të kësaj situate. Orhan Xhoshkun, President i “Çalik Holding” për Ballkanin dhe Europën Juglindore deklaroi: “Është në themel të parimeve të ‘Çalik Holding’ të ndihmojmë njerëzit në nevojë sidomos në fatkeqësi natyrore siç janë përmbytjet. Ne erdhëm këtu, takuam njerëzit dhe autoritetet dhe ndoqëm nga afër situatën dhe e pamë vetë që banorët janë në një situatë shumë të vështirë. Ne e shohim si detyrë t’i ndihmojmë ata dhe mendojmë se është edhe puna jonë të jemi pranë tyre. Janë 150 mijë euro në total për këta qytetarë, 120 mijë euro që do jepen cash në llogarinë e hapur për ta, pra në të holla, ndërsa 30 mijë euro të tjera do të jepen në formë ushqimesh për zonat e prekura, për ata që kanë nevojë. Përfitojmë nga rasti t’u themi ‘të shkuara’ gjithë banorëve të kësaj zone dhe të urojmë që kjo situatë e rëndë të kalojmë sa më shpejt. Ne ju garantojmë si ‘Çalik’ së bashku me tre kompanitë në Shqipëri që do bëjmë gjithçka që kemi në dorë t’ua lehtësojmë vështirësinë këtyre njerëzve”. Ali Taskin, Drejtor i Përgjithshëm i “Eagle Mobile” deklaroi: “Ne si ‘Eagle’, krahas ndihmës së dhënë, i japim një rëndësi të veçantë shërbimit në këtë zonë. Me gjithë ndërprerjet e gjata të energjisë elektrike ne kemi vajuar të japim shërbimet tona pas asnjë ndërprerje duke mbuluar më sinjal të gjithë zonat e prekura. Po punojmë që banorët e prekur, me gjithë këtë situatë të vështirë të paktën të mos kenë pengesë në komunikimin me njëri tjetrin”. Tre kompanitë e “Çalik Holding” në Shqipëri, “ALBtelecom”, “BKT”-ë dhe “Eagle Mobile” dhuruan 150 mijë euro. Tre kompanitë depozituan 120 mijë euro në “cash” në llogarinë e çelur për të prekurit, si dhe dërguan në Shkodër ndihmat në ushqime me vlerë 30 mijë euro.
12 Janar 2010