Përmbytjet, në ditën e dymbëdhjetë nis të ndjehet rënia e nivelit të ujit
Ervin KOÇI
Situata e rëndë e shkaktuar nga përmbytjet e dy javë të fundit në veri të vendit, rezulton të jetë më e përmirësuar në ditën e dymbëdhjetë të saj. Kjo vetëm falë rënies së intensitetit të ujit që shkarkohej prej hidrocentralit të Vaut të Dejës, i cili dy ditët e fundit e ka ulur fuqinë shkarkuese. Lajmi konfirmohet edhe nga burimet zyrtare të Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, sipas të cilëve, niveli i shkarkimit është ulur me gati 200 m3/sekondë dhe po ashtu ka rënë edhe niveli i prurjeve në të gjithë kaskadën e Drinit. Të dhënat që raportohen prej METE-s flasin për një nivel prurjesh prej rreth 500 m3/sekondë në kaskadën e Fierzës dhe më pak në atë të Ulzës dhe Komanit. METE bëri të ditur dje se, të tjerë ekspertë digash kanë ardhur nga Italia për të dhënë konsulencën e tyre mbi situatën e rënduar hidrike në vend, shkaktuar nga përmbytjet pas hapjes së portave të hidrocentraleve. Po ashtu edhe Forca e Sigurisë së Kosovës dërguan dje në Shqipëri, një njësi shtesë për të mbështetur autoritetet në përballjen e gjendjes së krijuar pas përmbytjeve të ditëve të fundit. Dërgimi i trupave shtesë pasoi kërkesën e djeshme të qeverisë së Kosovës, e cila ndau po ashtu një ndihmë fillestare prej 200 mijë eurosh për të mbështetur banorët e zonave të përmbytura.
KESH-i
Të dhënat e fundit në kaskadën e Drinit që i përkisnin mesditës së djeshme tregojnë se niveli i Fierzës arriti në kuotën e 291.01 metrave, ndërkohë që shkarkimet janë 900 metra kub/sekondë. Rënie të ndjeshme të nivelit të ujit ka pësuar hidrocentrali i Komanit, i cili ndodhet në kuotën e 170 metrave, ndërkohë që derdhjet arrijnë në 1350 metra kub/sekondë. Për sa i përket nivelit të ujit në Vaun e Dejës, deri dje në mesditë u regjistrua kuota e 74.48 metrave, ndërsa shkarkimet ishin 1550 metra kub/sekondë. Niveli i prurjes në të tre HEC-et ka pësuar rënie krahasuar me 24 orët e fundit. Korporata Elektro-energjetike shprehet se do të vijojë me shkarkimet deri në zbatimin e rregullores që është në fuqi, për të ulur nivelin e Fierzës deri në 290 metra. KESH-i ka bërë me dije se prurjet në kaskadat e hidrocentraleve janë përkatësisht: në Fierzë aktualisht prurjet janë 550 m3/sekondë, ndërsa në Koman arrijnë në kuotën e 250 m3/sekondë dhe në Vaun e Dejës 250 m3/sekondë. Këto shifra të krahasuara me ato të një ditë më parë rezultojnë më të ulëta.
Rrugët
MPPTT-ja njoftoi dje se qarkullimi në aksin Qafë Mali-Fierzë ishte i bllokuar si rezultat i rrëshqitjeve të dherave që janë shkaktuar prej reshjeve të ditëve të fundit. Qarkullimi për në Tropojë sipas MPPTT-së, do të bëhet duke ndjekur trajektoren Kukës-Kam- Sopot- Bajram Curri. Ekspertët e Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve dhe të shërbimit gjeologjik janë aktualisht në Fierzë për të identifikuar dhe për të zgjidhur problemin. Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve i ka marrë të gjitha masat që aksi të jetë sa më shpejt i lirshëm për qarkullim.
12 Janar 2010