E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëshmia: Si u rrëmbye Remzi Hoxha

Procesi për zhdukjen e Remzi Hoxhës vijoi dje në Gjykatën e Krimeve të Rënda, me dëshminë e një punonjësi të fabrikës, ku është kryer rrëmbimi i biznesmenit shqiptaro-maqedonas, i zhdukur më 21 tetor të vitit 1995 në Tiranë. Para trupit gjykues u paraqit Dalip Seferi, ish-punonjës i punishtes së prodhimit të materialeve duro-alumini në rrugën "Siri Kodra", në pronësi të biznesmenit Remzi Hoxha. Sipas tij, pasditen e 21 tetorit të vitit 1995, disa persona erdhën në punishte dhe u takuan me Remzi Hoxhën. "Më pas, ata i lidhën duart Remziut", tha ai, duke shtuar se në këto momente kishte tentuar t‘i jepte ndihmë, por nuk mundi dot, pasi u përball me kërcënimin e atyre personave. Sipas tij, ishin pikërisht këta persona që realizuan edhe rrëmbimin e biznesmenit, por nuk i mbante mend fytyrat e tyre. "Unë pashë Remziun me duar të lidhura dhe personin që tha me pistoletë: Futu brenda në makinë!" - u shpreh Seferi, duke shtuar se Remziun e kishin kapur për krahësh dy persona, të cilët pasi e futën në makinë u larguan, ndërkohë që më vonë të tjerë erdhën për të kontrolluar, por dëshmitari nuk mbante mend detaje të automjetit, me të cilin u rrëmbye biznesmeni Hoxha. Ndërkaq, prokurori i çështjes, Xhevat Hana, kërkoi të bëhet verifikimi i adresave për dëshmitarë të tjerë të thirrur në proces, që në këtë seancë munguan, sepse sipas prokurorit adresat e dhëna prej tij janë të sakta dhe oficerët duhet të mundësojnë sjelljen e tyre para trupës gjykuese. Në procesin e rrëmbimit të Remzi Hoxhës, Ziso Kristopulit dhe Avdyl Loshajt janë të akuzuar ish-zyrtarë të lartë të SHIK-ut, Arben Sefgjini, Avni Koldashi dhe Ilir Kumbaro.

Ekstradimi i Kumbaros
Në të njëjtën ditë kur në Gjykatën e Shkallës së Parë për Krime të Rënda në Tiranë po zhvillohej seanca gjyqësore për tre ish-shikasit, në Angli gjykata londineze, që ka marrë në shqyrtim çështjen e ekstradimit të Ilir Kumbaros për llogari të çështjes së zhdukjes së biznesmenit, Remzi Hoxha, verifikoi dokumentet e palës shqiptare. Mësohet se vendimi përfundimtar për ekstradimin ose jo të Kumbaros do të jepet në datën 19 mars, kur do mbahet seanca e radhës. Ilir Kumbaro u arrestua në Londër për llogari të drejtësisë shqiptare, i akuzuar për rrëmbim të trefishtë. Kumbaro ka paraqitur gjatë seancave të kaluara dokumente ku prezantohej si Shaqe Shatri, kosovar. Por, prokuroria britanike ka siguruar dokumente nëpërmjet prokurorisë shqiptare, ku vërtetohet identiteti i të kërkuarit nga drejtësia shqiptare. Madje, në seancën e djeshme gjyqësore në Londër ka udhëtuar edhe një përfaqësues i drejtësisë shqiptare. Burime nga Ministria e Drejtësisë shqiptare thanë se për të ndjekur nga afër gjyqin për ekstradimin e Kumbaros është dërguar një eksperte ligjore, e cila do të sjellë raportet për çdo seancë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›