E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shembja e pallatit, akuzë për vrasje

Pas katër muajsh hetime intensive, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor në Gjirokastër ka mbyllur dosjen hetimore të tragjedisë së pallatit të shembur më 9 nëntor të vitit të kaluar, në lagjen "11 Janari" të Gjirokastrës, ku humbën jetën 3 persona, dy gra e një fëmijë dhe e ka dorëzuar atë dje në Gjykatën e Shkallës së Parë të këtij rrethi për t‘i hapur rrugë procesit gjyqësor.

Burime zyrtare nga Prokuroria e Gjirokastrës bënë të ditur se hetuesit dhe prokurorët kanë përfunduar brenda katër muajve ciklin e plotë të investigimit, grumbullimit të provave dhe dëshmive për shtatë të pandehurit e mbetur nga 10 të arrestuarit, menjëherë pas ngjarjes që akuzohet për vepra të ndryshme penale, si shkelje të rregullave në punë, shkatërrim të pronës dhe për disa prej tyre edhe për vrasje në rrethana të cilësuara. Gjatë procesit të grumbullimit të provave materiale dhe kryerjes së veprimeve hetimore, institucioni i akuzës në Gjirokastër dhe Gjykata e Lartë ka pushuar çështjen penale ndaj katër prej të akuzuarve, inxhinierit konstruktor Luan Bufi, arkitektit Njazi Çobani, gjeologut Thanas Llahana, si dhe aksionerit të firmës sipërmarrëse "Arti", Aristotel Haxhi.

Ndërkaq, mësohet se përgjegjësi i Inspektoratit të Ndërtimit në Bashkinë e Gjirokastrës, Admir Shehaj, ish-sekretarja e KRRT-së pranë Bashkisë së Gjirokastrës, Afërdita Papamihali, ish-shefi i urbanistikës në bashkinë e qytetit, Alfred Mamani dhe inxhinieri i firmës ndërtuese "Arti", Gjergji Meçe, me anë të kësaj dosjeje akuzohen për kryerjen e veprës penale të "shpërdorimit të detyrës", parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Ndërkaq, gjithmonë sipas burimeve zyrtare nga Prokuroria e Gjirokastrës, bëhet e ditur se shtetasi Jani Ndriço, ish-ekskavatoristi në firmën ndërtimore "Arti", i cili është liruar dhe hetohet në gjendje të lirë, dhe ing. Sotiraq Janora, presidenti dhe drejtuesi teknik i shoqërisë së ndërtimit "Arti", akuzohen nga prokuroria për kryerjen e veprës penale "shkelje të rregullave në punë", "vrasjes në rrethana të tjera cilësuese", si dhe "shkatërrimi i pronës me dashje".

Prokuroria e Gjirokastrës ka vazhduar hetimet prej ditës së tragjedisë në 9 nëntor të vitit 2008 dhe krahas deklarimeve të të arrestuarve të dëshmitarëve, të prekurve e të dëmtuarve nga tragjedia e shembjes së pallatit e pasi i ka mbledhur të gjitha provat materiale dhe shkencore që vërtetojnë fajësinë e të pandehurve për kryerjen e veprave penale të përmendura më sipër i ka mbyllur hetimet dhe dosjen e ka paraqitur në gjykatë për të filluar fazën e procesit gjyqësor.

Nga hetimet e deritanishme është arritur në përfundimin se pallati pesëkatësh i ngritur në një kodër në lagjen "11 Janari", u shemb për shkak të punimeve që kryheshin për ndërtimin e një godine të re, e cila do të shërbente si qendër biznesi, në pjesët poshtë themeleve të tij. Për këtë ngjarje fillimisht u ndaluan dhjetë persona, dy prej të cilëve janë çliruar nga akuzat, dy të tjerë po gjykohen në gjendje të lirë dhe dy do të vazhdojnë të gjykohen në masën e sigurisë "arrest shtëpie" të dhënë me vendim të Gjykatës së Lartë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›