E Diel, 1 Nëntor 2026

Dëshmia: Ushtria refuzoi demontimin e municioneve në Elbasan



TIRANË – Ushtria ka kërkuar që demontimi të bëhet në Gërdec, dhe jo në vende të tjera më të sigurta që ka në përdorim Ministria e Mbrojtjes. Ky detaj ka dalë gjatë dëshmisë që dha ditën e premte Stavri Çipa, me detyrë kryeinxhinier i Uzinës Ushtarake të Mjekësit në Elbasan. Çipa ka rrëfyer detaje mbi një takim të gjerë të zhvilluar më 28 shkurt të vitit 2007 me drejtues të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë lidhur me alternativat e mundshme për realizimin e procesit të demontimit të municioneve ushtarake.

Debatet
Gjatë mbledhjes së 28 shkurtit të vitit 2007, vetëm një vit para tragjedisë së ndodhur në Gërdec, Çipa tha se ekspertët sugjeruan që një pjesë e municionit, kryesisht atij të lehtë, fishekë, të mund të demontoheshin në Uzinën Ushtarake të Mjekësit, e specializuar për këtë proces. “Por, ky sugjerim u rrëzua nga drejtuesit e atëhershëm të Ushtrisë, i pranishëm në mbledhje dhe Luan Hoxha, me pretendimin se demontimi i fishekëve në këtë uzinë kishte një kosto më të lartë se ai në linjën e demontimit në ish-repartin ushtarak të Gërdecit”, - pohoi dëshmitari Çipa.

Reagimi
Por, pas deklaratës së Çipës në seancë reagoi edhe i pandehuri Ylli Pinari, ish-drejtuesi i MEICO-s. Pinari theksoi se përfaqësuesi amerikan i SC-it, Patrik Henri, i këshilloi me anë të një e-mail-i elektronik se në rast se municionet demontoheshin në Mjekës, do të kishte humbje të mëdha.
Seanca vijoi me dëshmitarë të tjerë të prokurorisë, disa nga të cilët ish-punonjës të Ministrisë së Mbrojtjes.
Si pasojë e një shpërthimi të fuqishëm të ndodhur më 15 mars të vitit 2008 në ish- fabrikën e demontimit të municioneve luftarake në fshatin Gërdec të Tiranës, humbën jetën 26 persona, ndërsa shumë të tjerë mbetën të plagosur.
Çështja “Gërdeci” konsiderohet më e madhja në historinë gjyqësore në këto vitet e fundit, me 29 të pandehur dhe mbi 300 dëshmitarë, të cilët aktualisht janë duke dhënë dëshmitë e tyre para Gjykatës.

Trafiku i drogës, Gjykata britanike dënon 6 shqiptarët

LONDËR - Gjashtë shtetas shqiptarë dhe tre britanikë janë dënuar nga gjykata “Kingston Crown Court” me 64 vite burg në total për posedim, shitje të lëndëve narkotike, konspiracion në shpërndarjen e lëndëve narkotike, përfshirë pastrimin e 10 milionë paundve. Shqiptarët që morën dënime nga tre deri në 10 vjet burg janë: Elton Dika, Xhovan Gripshi, Fabiol Beqiri, Besnik Alla dhe Emiljan Shega. Ndërsa britanikët Abu Raja, Jaspreet Gill, Kanwaldeep Deol janë dënuar me nga 6 vite burg secili. Sipas gazetarit të Top Channel-it në Londër, të tetë të dënuarit e sipërpërmendur i kanë pranuar të gjitha akuzat që në fillim të procesit gjyqësor. Behar Dika, i cili është dënuar më 18 vite burg, nuk i ka pranuar akuzat pasi sipas avokatëve mbrojtës, ai ishte i pafajshëm dhe se një shqiptar me inicialet S. Q., që bashkëpunonte me policinë, e kishte përfshirë atë në këtë grup kriminal. Pretendimet e palës mbrojtëse të zotit Dika janë hedhur poshtë nga oficerët e Scotland Yard kur ata dhanë dëshmitë e tyre përpara gjykatës, ku deklaruan se nuk kanë pasur ndonjë informator shqiptar gjatë hetimit. Oficerët e skuadrës së antidrogës në Scotland Yard për 10 muaj mbajtën nën survejim të nëntë të arrestuarit duke siguruar prova për implikimin e tyre të tregtinë e lëndëve narkotike. Më 31 mars 2009 policia sekuestroi 8 kg kokainë dhe 100 mijë sterlina cash, në një prej tri shtëpive të marra me qira ku fshihej lënda narkotike.

Cannabisi çon në pranga një tjetër kryeplak, arrestohet për moskallëzim

TEPELENË – Pas dy kryepleqve të prangosur në Pukë dhe Pogradec, një tjetër është arrestuar për moskallëzim krimi në polici. Zbulimi i disa parcelave në fshatin Peshtan të Tepelenës përfundoi me prangosjen e shtetasit Nevruz Hysi, i cili punonte edhe si punonjës i Policisë Pyjore të Tepelenës. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se pas ndalimit të Hysit është shpallur në kërkim autori i mbjelljes së parcelave, Edmond Malo.
Ky i fundit, sipas policisë, është mbajtur në vëzhgim pas informacioneve se kishte mbjellë dy parcela me Cannabis në vendin e quajtur Përroi i Shën Mërtirit, mes pemëve të larta. Gjatë kontrollit të zonës u zbuluan 152 rrënjë Cannabis, të cilat u asgjësuan përmes djegies. Ndërkohë, në banesën e autorit, i cili rezulton të jetë kushëriri i kryeplakut Artur Malo, janë gjetur në cilësinë e provës materiale rreth një 1 kilogram lëndë narkotike, 540 fishekë, një armë gjahu pa leje si dhe një sasi fare për mbjelljen e lëndës narkotike.
Pas hetimeve policia ka shoqëruar dhe më pas arrestuar kryeplakun e fshatit dhe punonjësin e Policisë Pyjore, Novruz Hysi, për moskallëzim të krimit. Ky është një tjetër rast i arrestimit të një drejtuesi vendor, ndryshe nga çka ndodhur në Lazarat, ku pavarësisht se janë zbuluar parcela me bimë narkotike, në pranga nuk ka përfunduar asnjë drejtues lokal.

Ekspertiza mjeko-ligjore, mes viktimave edhe një femër

TIRANË - Nis faza e dytë e hetimeve për eshtrat që u gjetën afër malit të Dajtit më 10 shkurt të këtij viti. Mjekësia Ligjore ka përfunduar ekspertimin e eshtrave të zbuluara pesë muaj më parë, që besohet se u përkasin 19 trupave. Prokurori i kësaj çështjeje, Etjen Kapo, do të drejtojë hetimet e organit të akuzës në Tiranë për të përcaktuar më tej se në cilin vit janë varrosur aty viktimat, e më pas edhe për përcaktimin e identitetit të tyre, gjë që duket tepër e vështirë. Të dhënat e deritanishme, që vijnë nga Mjekësia Ligjore pas mbylljes së ekspertimit nga ky institucion, flasin se mes viktimave është edhe një femër. Ndërkaq, burimet pranë Mjekësisë Ligjore konfirmojnë gjithashtu se personat e vrarë kryesisht u përkasin moshave nga 25 deri në 40 vjeç, por ka edhe më të moshuar. Tjetër fakt i rëndësishëm në ekspertimin e kryer nga Mjekësia Ligjore është se jo të gjithë kanë plagë me armë zjarri, ndërsa për ekspertët ka qenë e vështirë të përcaktohet shkaku i vdekjes për këta persona. Për ekspertimin e eshtrave erdhi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës edhe një ekspert antropolog. Tashmë Prokurorisë i mbetet të realizojë analizën e ADN-së dhe të bëjë krahasimin me familjarë që kërkojnë ende të pushkatuarit e kohës së komunizmit. Dyshimet e hedhura deri tani janë ato se eshtra e gjetura u përkasin pikërisht të ekzekutuarve pa gjyq në kohën e komunizmit

Forca speciale të RENEA-s edhe për Tiranën

TIRANË - Drejtoria e Policisë së Tiranës do të ketë tashmë forcën e saj speciale të quajtur RENEA, e cila do të ndërhyjë në ngjarjet e rënda që mund të ndodhin në territorin e saj. Elementet e përzgjedhura për të përballur zgjidhjen e këtyre situatave janë trajnuar në repartin RENEA, që konsiderohet elita e Policisë shqiptare. Ministri i Brendshëm, Basha, e cilëson këtë si një strukturë tjetër që mund të arrijë nivele të larta.
“Ajo që kemi parë sot është transferimi i dijeve të këtij reparti elitë në një repart të sapokrijuar”, - u shpreh Basha. Ministri i Brendshëm ka deklaruar se gjendja e kriminalitetit në vend është në kontroll dhe ka ironizuar qëndrimin e opozitës.
“Strukturat e Policisë se Shtetit kanë treguar se janë ngritur në nivelin e policive europiane. Ftoj ata që mundohen t’u ofrojnë shqiptarëve xhama të zinj për të parë këtë realitet, të heqin dorë”, - u shpreh Basha.

Operacioni kundër lojërave të fatit bllokon 44 makina

SHKODËR - Një operacion policor i koduar “Lotaria e fundit” solli sekuestrimin e 44 makinave të lojërave të fatit në rrethin e Shkodrës. Policia vendore njoftoi dje se gjatë kontrolleve të ushtruara në mjediset e organizimit të lojërave të fatit u bë i mundur sekuestrimi i aparaturave dhe i një rulete. “Nga ana jonë u kryen të gjitha veprimet e duhura procedurale dhe materialet në ngarkim të shtetasve që ushtrojnë aktivitet të paligjshëm të lojërave do t’i kalojnë, në gjendje të lirë, Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprën penale të “organizimit të lotarive të palejuara”, - thotë zëdhënësja e Policisë, Fatbardha Çelepia.

10 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›