E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkurtimet në buxhet, më pak para për rrugët dhe spitalet



Ervin KOÇI

Buxheti i shtetit për vitin 2010 do të shkurtohet me plot 39 miliardë lekë, ku gërshërët e qeverisë nuk do të kursejnë as sektorët jetikë. Në një kohë që investimet do të preken me 19 miliardë lekë, shkurtimet do të prekin e dhe sektorë si arsimi dhe shëndetësia, të cilët do të kenë një mungesë të theksuar investimesh. Ministri i Financave, Ridvan Bode, paraqiti dje në Konferencën e Kryetarëve, ndryshimet në projektligjin për buxhetin e shtetit. Sipas tij, shkurtimet në buxhet u bënë si pasojë e efekteve të krizës globale, por nga këto shkurtime nuk do të preken prioritetet e qeverisë. Sipas ministrit Bode, shkurtimet në buxhet po bëhen për të mos rritur deficitin buxhetor dhe borxhin publik. “të ardhurat do të ulen me 27.2 miliardë lekë, në një kohë që shpenzimet do të ulen gjithsej me 39 miliardë lekë ndërsa investimet publike do të shkurtohen me 19 miliardë të tjera”, - ka deklaruar ministri Bode. Rritja e pagave dhe pensioneve ka kushtëzuar edhe shkurtime në investimet buxhetore. Bode tha më tej se, nuk do të ketë tenderime të reja por do të punohet në objektet tashmë të hapura. "Investimet publike po ashtu pësojnë një ulje. Vëllimi i shpenzimeve kapitale që zvogëlohen është rreth 19 miliardë lekë, nga 86 miliardë të programuara në fillim të vitit. Ajo që ka ndodhur në investimet publike është bllokimi i tenderimeve të reja, hapja e veprave të reja dhe intensifikimi në financimin e veprave ekzistuese. Në këtë buxhet me gjithë shkurtimin e shpenzimeve që kemi bërë, ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit për veprat në proces i janë shtuar dhe 4.3 miliardë lekë",- tha Bode. Në shkurtimin e të ardhurave të buxhetit uljen më të madhe e kanë tatimet e doganat. Shkurtim pësojnë edhe sigurimet shoqërore dhe të ardhurat e pushtetit vendor. Ministri i Financave tha se, me gjithë ndryshimet ruhen parametrat pozitivë të buxhetit.

Buxheti
Ai përbëhet nga buxheti i shtetit, buxheti vendor dhe fondet speciale që janë, sigurimet shoqërore, sigurimet shëndetësore dhe kompensimi i pronarëve. Paga minimale, për efekt të pagesës së kontributit të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, përcaktohet nga Këshilli i Ministrave dhe ndryshon sa herë që rriten pagat dhe pensionet. Këshilli i Ministrave ka të drejtë të përcaktojë një kontribut të veçantë minimal për personat e vetëpunësuar në bujqësi dhe kategori specifike të personave të vetëpunësuar. Diferenca ndërmjet kontributeve të veçanta me kontributin minimal mbulohet nga transferta e buxhetit të shtetit, por jo më shumë se kufijtë e transfertave të përcaktuara në këtë ligj. Për vitin 2010, teprica e të ardhurave, sipas degëve të sigurimit shoqëror, përdoret për mbulimin e deficitit të degës së pensioneve. Fondi për shërbimin spitalor ndahet dhe përdoret me vendim të Këshillit të Ministrave.

Deficiti
Kufiri i financimit të deficitit të buxhetit të shtetit nga burime të brendshme dhe të huaja është 38.109 milionë lekë, nga i cili 300 milionë lekë financohen nga të ardhurat e privatizimit. Në rast mosrealizimi të të ardhurave të buxhetit dhe të të ardhurave nga privatizimi, huamarrja për financimin e deficitit të brendshëm dhe të huaj, prej 46.468 milionë lekësh, nuk ndryshon. Këshilli i Ministrave merr masa për kompensimin e diferencave nga burime suplementare ose nga shkurtimi i shpenzimeve. Kufiri i huamarrjes së brendshme dhe të jashtme mund të reduktohet për çdo të ardhur të arkëtuar nga privatizimet strategjike në masën 50 për qind të të ardhurave të realizuara nga ky privatizim. Pjesa tjetër e të ardhurave nga ky privatizim përdoret nga Këshilli i Ministrave për rritjen e kufirit të shpenzimeve për investime, i cili, automatikisht, rrit kufirin e deficitit të buxhetit të shtetit, të përcaktuar në nenet 1 e 2, të këtij ligji.
Shtesa e stokut të borxhit deri në fund të vitit 2010 parashikohet të arrijë në 45,034 milionë lekë, i detajuar si vijon: 1. Për huamarrjen vjetore neto për mbështetjen buxhetore, deri në 29,018 milionë lekë. 2. Për huamarrjen neto për financimin e projekteve të huaja, deri në 32,111 milionë lekë. 3. Për rritjen vjetore të garancive të shtetit, në dobi të palëve të treta përfituese, është 1,100 milionë lekë. 4. Kufiri për rritjen vjetore të stokut të borxhit, si rezultat i riskedulimit të borxheve të vjetra, të jashtme, të papaguara, është 1,675 milionë lekë. 5. Ulja e stokut të borxhit si rezultat i rivlerësimit të valutës së Bankës së Shqipërisë është 18,870 milionë lekë.

Shpenzimet
Kufiri i shpenzimeve për çdo ministri dhe institucion, në nivel programi reduktohet ndjeshëm dhe është përcaktuar qartë në ligjin “Për buxhetin e shtetit 2010”. Po ashtu për institucionet e pavarura nga Këshilli i Ministrave përcaktohet edhe kufiri i shpenzimeve dhe numri i punonjësve që i bashkëlidhet këtij ligji. Në shpenzimet kapitale përfshihet edhe një fond kontigjence për mbështetjen e financimeve të huaja prej 3 000 milionë lekësh, i cili shpërndahet nga Ministria e Financave, në përputhje me ecurinë e projekteve të huaja. E drejta për të kryer shpenzime për kompensimin e ish-të përndjekurve politikë nga fondi i përcaktuar në këtë ligj, skadon më 31 maj 2011. Fondi për kompensimin e energjisë elektrike përdoret sipas kritereve të përcaktuara në vendimin përkatës të Këshillit të Ministrave dhe shpërndahet nga MF-ja. Fondi i përfshirë në programin “Mbështetje për shoqërinë civile” përdoret për organizatat jofitimprurëse sipas kritereve ligjore, si dhe për mbulimin e kostos administrative. Këshilli i Ministrave vendos norma dhe standarde financiare për shpenzimet korrente, të cilat janë të detyrueshme për t'u zbatuar nga të gjitha institucionet buxhetore, në varësi ose jo të Këshillit të Ministrave, si dhe për organet e pushtetit vendor. Fondi rezervë i Këshillit të Ministrave, prej 250 milionë lekësh, përdoret për raste të paparashikuara të institucioneve buxhetore. Fondi i kontingjencës për ruajtjen e deficitit, prej 2.730 milionë lekësh, dhe fondi për rritjen e pagave dhe të pensioneve, prej 4.366 milionë lekësh, përdoren me vendim të Këshillit të Ministrave.

Administrata
Numri maksimal i punonjësve buxhetorë në organikë në vitin 2010 është 90 mijë veta. Këshilli i Ministrave përcakton numrin e punonjësve buxhetorë për çdo ministri dhe institucion qendror, me përjashtim të numrit të punonjësve të institucioneve të pavarura, që përcaktohen në tabelën 1/1, që i bashkëlidhet këtij ligji. Këshilli i Ministrave përcakton edhe numrin maksimal të punonjësve me kontratë të përkohshme. Për vitin 2010, nuk do të miratohet asnjë ndryshim në strukturat organike të njësive të qeverisjes qendrore me efekte financiare shtesë në buxhet, me përjashtim të institucioneve të reja të krijuara me ligj. Paga e Presidentit të Republikës është 250 mijë lekë në muaj.

Tabela//////////////////////////
Buxheti për vitin 2010
Ishte:
Të ardhurat 333 658 milionë lekë
Shpenzimet 371 767 milionë lekë
Deficiti 38 109 milionë lekë

Bëhet:
Të ardhurat 264 283 milionë lekë
Shpenzimet 302 392 milionë lekë
Deficiti 38 109 milionë lekë

Buxheti vendor, për vitin 2010, është:
Të ardhurat total 29 686 milionë lekë
Granti i pakushtëzuar nga buxheti qendror 14 207 milionë lekë
Shpenzimet 29 686 milionë lekë

Buxheti i sigurimeve shoqërore, për vitin 2010, është:
l. Skema e sigurimit të detyrueshëm shoqëror
Të ardhurat, gjithsej 74 497 milionë lekë
- Kontributet 46 282 milionë lekë
- Transferimet nga buxheti i shtetit 28 215 milionë lekë
- Shpenzimet 74 497 milionë lekë

2. Skema e sigurimit suplementar:
Të ardhurat, gjithsej 4922 milionë lekë
- Kontributet 200 milionë lekë
- Transferimet nga buxheti i shtetit 4722 milionë lekë
- Shpenzimet 4922 milionë lekë

Buxheti i sigurimeve shëndetësore, për vitin 2010, është:
Të ardhurat, gjithsej 25 649 milionë lekë
- Kontributet dhe të tjera 6014 milionë lekë
- Transferimet nga buxheti i shtetit 19 635 milionë lekë
- Shpenzimet 25 649 milionë lekë

Buxheti i fondit për kompensimin në vlerë të pronarëve, për vitin 2010, është:
Të ardhurat, gjithsej 1700 milionë lekë
- Të ardhura të tjera 1400 milionë lekë
- Transferimet nga buxheti i shtetit 300 milionë lekë
- Shpenzimet 1700 milionë lekë

Të ardhurat e buxhetit të shtetit, sipas grupeve kryesore, janë:
Grantet 6310 milionë lekë
Të ardhurat tatimore 229 709 milionë lekë
Të ardhurat jotatimore 28 264 milionë lekë

Shpenzimet e buxhetit të shtetit, sipas grupeve kryesore, janë:
Shpenzimet korrente 225 685 milionë lekë
Shpenzimet kapitale 66 777 milionë lekë
Fondi rezervë 2500 milionë lekë
Fondi i kontingjencës 2730 milionë lekë
Fondi për rritjen e pagave dhe pensioneve 4366 milionë lekë

Miratimi i paketës për shkurtimin e 40 miliardë lekëve në pritje të FMN-së

Shkaku që vonoi vënien në zbatim të planit të ri të shpenzimeve për pjesën e mbetur të vitit 2010 ishte ekipi negociator i Fondit Monetar Ndërkombëtar. Edhe pse qeveria e kishte të qartë planin e shkurtimit të shpenzimeve dhe kuadrin e ri makrofiskal, për shkak të raporteve dhe marrëveshjes, nuk do ta miratojë paketën e ndryshimeve pa njohur më parë Fondin Monetar, sikurse kanë vepruar disa vende të rajonit. Burime zyrtare nga MF-ja konfirmojnë vizitën e shefit të misionit të FMN-së, Gerwin Bell, i cili duhet të kishte mbërritur më 7 korrik në Tiranë. Në axhendën e tij janë parashikuar zhvillimi i disa takimeve, ku më të rëndësime janë ato me kreun e Financave dhe Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë. Plani paraprak është për reduktimin e buxhetit me rreth 40 miliardë lekë, ku 10 miliardë janë masë shtesë që ndikon në zvogëlimin e deficitit buxhetor me 0.5 për qind. Sa i takon nivelit të ri të pagave, me premtimin se do të rriten deri me 6-7 për qind, vendimi nuk është marrë ende, edhe pse jemi në javën e dytë të muajit korrik. Lidhur me vonesën, MF-ja sqaron se nuk ka asnjë problem që lidhet me shpenzimet apo me shtyrjen e miratimit të buxhetit të ri, pasi fondi është i planifikuar te kontigjencat (rezervat) dhe se ajo çfarë po ndodh aktualisht lidhet vetëm me aspektin teknik, asgjë më shumë.

10 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›