E Diel, 1 Nëntor 2026

Komisioni i Ligjeve miraton dënimin me burg në rast të trukimit të ndeshjeve sportive



Komisioni Parlamentar i Ligjeve miratoi gjatë mbledhjes së djeshme ndryshimin e paraqitur nga Ministria e Drejtësisë në Kodin Penal. Ky amendim parashikon që personat që trukojnë paraprakisht rezultatin e një aktiviteti sportiv të dënohen me burg. Deputetët e maxhorancës e miratuan këtë nen me konsensusin e deputetëve të opozitës. Të dyja palët e cilësuan të domosdoshëm miratimin e një neni të tillë, duke u nisur dhe nga situata shqetësuese e shitblerjes kryesisht të ndeshjeve të futbollit në kampionatin shqiptar. “Ne bëjmë shumë mirë që e fusim në Kodin Penal një vendim të tillë. Por pretendoj që ta forcojmë më shumë dënimin e parashikuar në paragrafin e parë, pasi kam përshtypjen se gjobitja s’ka për t’u zbatuar. Sepse unë, për shembull, kam përfituar para nga bastet, por ju se vërtetoni dot dhe më gjobisni, ndërkohë që veprimi është bërë për paragrafin e dytë dhe unë duhet të burgosem, por kjo nuk vërtetohet”, - është shprehur deputeti socialist Bashkim Fino. Neni 197/a i ligjit parashikon që “kryerja e veprimeve ose mosveprimeve për paracaktimin e rezultateve në garat sportive, kombëtare dhe ndërkombëtare, në kundërshtim me parimet e lojës së ndershme, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë nga 500 mijë lekë deri në 3 milionë lekë ose me burgim nga 3 muaj deri në 2 vjet”. Ndërsa në paragrafin e dytë të këtij neni parashikohet se “nëse kjo vepër e kryer për qëllime të fitimit pasuror, dënohet me burgim nga dy deri në shtatë vjet dhe me gjobë nga 2 milionë deri 10 milionë lekë”. Ndërkohë që debate në komision ka shkaktuar përmbajtja e nenit 197/b, i cili parashikon që “shtrembërimi i konkurrencës në garat sportive, prej pjesëmarrësve, nëpërmjet përdorimit të substancave të ndaluara, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy vjet”. Deputetët e opozitës e kundërshtuan këtë nen, duke kërkuar heqjen e tij, pasi sipas tyre përdorimi i substancave të ndaluara nuk përbën një shqetësim në shoqërinë shqiptare. Deputeti Fino dhe Peçi argumentuan se ndryshimet në Kodin Penal realizohen kur vërehet një fenomen shqetësues në shoqëri. Sipas tyre në aktivitetet sportive shqiptare nuk është vënë re që përdorimi i substancave të ndaluara të jetë bërë shqetësuese në përjashtim të ndonjë rasti sporadik. Ky nen u vendos t’i paraqitet seancës parlamentare me dy qëndrime të ndryshme. Nenet e tjera të paraqitura u miratuan me konsensus nga palët në komision.

16 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›