Gjermania do të ndihmojë në procesin e liberalizimit të vizave për shqiptarët
Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, zhvilloi dje një takim me Jorg Shonbohm, ministër i Brendshëm i landit të Brandenburgut dhe kryetar i Konferencës së Ministrave të Brendshëm të Gjermanisë. Ministri Basha nënvizoi marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve, gjë që doli në pah edhe gjatë vizitës së fundit të kryeministrit Berisha në Berlin. Ministri Basha e njohu ministrit Shonbohm me zhvillimet politike dhe ekonomike nё vend, ecurinë e procesit të reformave, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Një vëmendje e veçantë gjatë takimit iu kushtua procesit tё liberalizimit tё vizave dhe lëvizjes së lirë të njerëzve. Ministri Basha e njohu Shonbohm me hapat që janë ndërmarrë për arritjen e standardeve europiane: krijimi i regjistrit të përgjithshëm të popullsisë, pasaportat biometrike, forcimi i kontrollit të kufijve dhe një bashkëpunim më i ngushtë me partnerët evropianë. Ministri Shonbohm, nga ana e tij, vlerësoi përparimet që janë arritur në Shqipëri, masat e ndërmarra nga qeveria shqiptare në drejtim të procesit të reformave dhe rikonfirmoi mbështetjen e palës gjermane për të bashkëpunuar me autoritetet shqiptare në drejtim të plotësimit të standardeve të nevojshme europiane për të arritur liberalizimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve shqiptarë.
16 Tetor 2008