E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëshmia e Trebickës, provë për "Gërdecin"

Dëshmia e të ndjerit Kosta Trebicka konsiderohet provë dhe është veçuar e përfshirë në dosjen e trafikut të armëve, e quajtur "Gërdeci 2". Prokuroria e Përgjithshme i ka konsideruar mjaft të domosdoshme rrëfimet e Trebickës në datën 3 prill të vitit të kaluar, kur u pyet në organin qendror të akuzës për më shumë se 6 orë, për të zbardhur aferën e trafikut të armëve nga Shqipëria drejt Afganistanit. Hetimet pritet të plotësohen me letër-porositë që do të vijnë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për dëshminë e Efraim Diverolit dhe hetimeve të prokurorisë vendase për këtë aferë, ku është përfshirë edhe Shqipëria, e cila ka dërguar në vendet e Lindjes municione të vjetruara kineze, duke i shitur si municione të reja hungareze.

Provat e dosjes

Denoncuesi i tregtisë së fishekëve drejt Kabulit, Kosta Trebicka, i cili humbi jetën në një aksident misterioz në Rrethin e Korçës, ka dëshmuar në datën 3 prill të vitit të kaluar takimet me Pinarin dhe Mediun. Ai është marrë në pyetje nga një grup special hetimor, i ngritur në Prokurorinë e Përgjithshme për të dëshmuar mbi gjithçka dinte për kontratën e lidhur mes kompanisë MEICO dhe pronarit të kompanisë amerikane AEY, 22-vjeçarit Efraim Diveroli. Mësohet se ai u ka dorëzuar prokurorëve që po hetojnë paralelisht me tragjedinë e Gërdecit edhe çështjen e tregtisë së fishekëve, një sërë dokumentesh që vërtetojnë dëshminë e tij. "Kosta Trebicka është marrë në pyetje në cilësinë e deklaruesit dhe personit që ka dijeni për çështjen, për të ndihmuar hetimin e tregtisë së fishekëve shqiptarë drejt Afganistanit", pohuan burime nga prokuroria, të cilat shtuan se edhe pas vdekjes, deklarimet e tij do të përdoren në dosjen hetimore "Gërdeci 2", e cila bën fjalë për trafikun e armëve Shqipëri-SHBA-Afganistan. Dëshmi e Trebickës janë deklaratat publike të bëra nga ai. Mësohet se në dosjen hetimore janë të regjistruara edhe bisedat e përgjuara mes Trebickës dhe Diverolit, si dhe dokumentet që lidhen me abuzimet që ai ka denoncuar. Sipas këtyre burimeve, dëshmia e Trebickës për prokurorët është e vlefshme dhe do të verifikohet, pasi në deklarimet e tij përmendet edhe emri i Mihal Delijorgjit, i cili është arrestuar si njëri prej përgjegjësve për tragjedinë e Gërdecit.

Municionet

Megjithëse historia e tregtisë së dyshimtë të fishekëve nga Shqipëria drejt Afganistanit gëlonte prej disa muajsh në qarqet politike, Kosta Trebicka u bë personazh publik vetëm pas tragjedisë së rëndë të Gërdecit. Në vitin 2007 ai është kontraktuar nga kompania amerikane AEY, e cila drejtohej nga 22-vjeçari Efraim Diveroli, për të bërë paketimin e municionit. Por gjatë fazës së parë të punës, Trebicka mësoi se futja në skenë e kompanisë "EVDIN", me administrator Henri Tomein, kishte shkaktuar dyfishin e çmimit, fakt të cilin ia bën me dije Diverolit. Pas këtij momenti, Trebicka është shmangur nga zbatimi i kontratës, proces pune të cilën MEICO ia dhuroi Delijorgjit, duke bindur edhe pronarin e AEY-së. Historia bëhet edhe më e rëndë kur Diveroli vjen në Shqipëri për të negociuar një çmim të dytë, në një takim të fshehtë me Pinarin, Delijorgjin dhe një djalë të moshës 27-30 vjeç. Trebicka ka dëshmuar se MEICO kishte si qëllim të sabotonte furnizimin e AEY, pasi tregtia e skrapit ishte më fitimprurëse. Investigimi i gazetës prestigjioze, "The New York Times", nxori në sipërfaqe një tjetër skandal me fishekët shqiptarë, një pjesë e të cilëve ishin shumë të vjetër dhe jashtë standardit.

"Njeriu i sekreteve" rrëfente para aksidentit se ishte takuar me Mediun dhe djalin e Kryeministrit

Trebicka denoncoi edhe në SHBA

Njeriu i sekreteve të trafikut të armëve, Kosta Trebicka, tashmë i vdekur, nuk ka ngurruar që këtë aferë ta denoncojë për Departamentin amerikan të Mbrojtjes, Prokurorinë e Përgjithshme, për mediat shqiptare dhe ato amerikane. Madje dëshmia e tij është regjistruar edhe në Kongresin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Nga një biznesmen i njohur vetëm prej një rrethi të ngushtë njerëzish, Kosta Trebicka u kthye në një personazh publik, që nuk reshti së denoncuari pazaret e ish-kreut të ndërmarrjes MEICO, apo drejtuesve të tjerë të Ministrisë së Mbrojtjes, të cilët i kanë përdorur municionet e ushtrisë shqiptare si të ishin pronë e tyre. Në dëshmitë e tij para hetuesve të Prokurorisë së Përgjithshme, Trebicka do të deklaronte se është interesuar dhe e ka takuar dy herë Mediun, pas bllokimit të kontratës nga Pinari. "Ai u tregua shumë indiferent, duke e cilësuar këtë çështje si punë private mes kompanive. Mediu, sikurse çdo ministër para tij, ka pasur marrëdhënie me zotin Pinari. Funksionarët e MEICO-s i dinë shumë mirë marrëdhëniet e tyre të vjetra dhe të reja, i dinë shumë mirë rrjetet e tyre edhe brenda edhe jashtë, që do të thotë se dinë ta manipulojnë shumë mirë situatën, kushdo ministër që vjen", mësohet se shkruhet në dëshminë e të ndjerit, në akuzën qendrore. Për hetuesit e grupit hetimor, dëshmitë e Kosta Trebickës janë me interes edhe për zbardhjen e çështjes së Gërdecit, kryesisht për dyshimet se në këtë fabrikë janë paketuar dhe trafikuar fishekë të paçmontuar.

Ndërkohë, në media, Trebicka do të rrëfente edhe për takimet me djalin e Kryeministrit. "Djalin e Kryeministrit e kam takuar për 5 apo 6 minuta, në sheshin ‘Nënë Tereza‘, për të sqaruar ato që kishte thënë Pinari", do të deklaronte denoncuesi i skandalit të trafikut të armëve. Në një intervistë televizive, Trebicka ka pohuar se me Shkëlzenin është takuar brenda makinës së këtij të fundit, që ishte parkuar përpara Akademisë së Arteve. Sipas rrëfimit të mësipërm, takimi është bërë pasi denoncuesi Trebicka u ka dhënë dokumentet dhe kasetën e përgjimit, ku përmendet emri i Berishës dhe djalit të tij, investigatorëve amerikanë. "Unë kisha një detyrim moral që kur të diskutoja për Kryeministrin tim, më parë këtë ta diskutoja me familjen e Kryeministrit. Dhe kur unë pashë reagimin e djalit të Kryeministrit, që me shumë qetësi, me shumë vendosmëri, kërkoi që të ballafaqohej me Presidentin dhe me punonjësin amerikan, natyrshëm unë krijova bindjen se ai nuk ishte i përfshirë në këtë aferë", ka shtuar atëherë Trebicka. Burime nga Prokuroria e Përgjithshme nuk deklarojnë nëse këto pohime janë verifikuar apo do të verifikohen në të ardhmen, pasi personi që ka lëshuar këto deklarata ka ndërruar jetë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›