E Diel, 1 Nëntor 2026

Shteti "u tregon dhëmbët" kultivuesve të kanabisit

Shteti i ka treguar "dhëmbët" të gjithë kultivuesve të drogës, duke konfirmuar edhe një herë se lufta për parandalimin e mbjelljes së kanabisit në vend është një ndër prioritetet për sigurinë. Dje, një gjë të tillë e kanë sjellë ndërmend prefekti dhe drejtuesit e Policisë së Tiranës. Madje, ata nuk kanë përtuar t‘u tregojnë edhe vartësve se do të jenë objekt hetimi e mbase përgjegjës nëse nuk kryejnë detyrat e tyre për parandalimin e këtij fenomeni. Edhe drejtuesve arsimorë apo pyjorë u është bërë thirrje që të bashkëpunojnë në këtë luftë të ndërmarrë, pavarësisht se vitet e fundit, kultivimi i lëndëve narkotike, sidomos në Tiranë, ka qenë në rënie dhe në raste të rralla.

Dje, në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës u zhvillua një takim mes drejtuesve të policisë si dhe përfaqësuesve të pushtetit vendor, ku mori pjesë edhe prefekti i Tiranës, Ruzhdi Keçi. Në fokus të takimit ishte "parandalimi, organizimi i punës dhe kryerja e operacioneve policore për identifikimin, asgjësimin e sipërfaqeve të mbjella me bimë narkotike dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve të kultivimit". Në takim, Keçi deklaroi se Tirana nuk ka pasur probleme me kultivimin e lëndëve narkotike. "Kjo nuk do të thotë se duhet të kalojmë në vetëkënaqësi, por duhet të luftojmë që të rrisim edhe më tepër këto standarde, pa lënë mënjanë edhe bashkëpunimin, sidomos me drejtoritë arsimore. Kemi vënë re raste që përdorues të kanabisit janë bërë të shumtë nxënës shkollash, kështu që kërkohet bashkëpunim për sensibilizim", është shprehur prefekti i Tiranës. Nga ana tjetër, zëvendësdrejtori i Policisë së Tiranës, Artan Cuku, deklaroi se bazuar në Plan-Veprimin e miratuar këtë muaj, janë marrë të gjitha masat për organizimin e shërbimeve policore në luftën kundër kultivimit të bimëve narkotike. Drejtori i Rendit, Nazmi Kotarja, deklaroi se problemi i policisë qëndron sidomos te zonat e thella, që nuk mund të kontrollohen prej tyre. Për këto, ai ka kërkuar bashkëpunim më të frytshëm me banorët, por edhe me vendorët.

Për këtë qëllim, strukturat e Policisë së Tiranës kanë hartuar një tjetër plan të detajuar masash, mbi parandalimin, identifikimin dhe asgjësimin e sipërfaqeve të mbjella me bimë narkotike dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve të kësaj veprimtarie kriminale. Edhe pas mbledhjes së kësaj bime, shtabi i drejtuar nga prefekti i Tiranës, do të zhvillojë analiza të herëpashershme, ku do të bëhet evidentimi i problemeve dhe do të merren masa për eliminimin e tyre. Në aktivitetet parandaluese do të përfshihet njohja dhe vendosja e pikave të bashkëpunimit mes policisë dhe organeve të pushtetit vendor, të angazhuar në luftën kundër kultivimit të bimëve narkotike, si dhe aktivitete të ndryshme sensibilizuese për publikun. Ndërsa në aktivitetet operacionale janë parashikuar masat për organizimin e operacioneve policore për identifikimin dhe asgjësimin e sipërfaqeve të mbjella me bimë narkotike. Në aktivitete të tjera janë përcaktuar masa për planifikim të detyrave shtesë në kuadër të Planit të Veprimit dhe Planit të Masave, për ndëshkim të rreptë disiplinor dhe deri në ndjekje penale për personat përgjegjës për moszbatim e mosmarrje detyrimesh në kuadër të luftës kundër kultivimit të bimëve narkotike.

Në takim u theksua se lufta kundër kultivimit të bimëve narkotike nuk është vetëm angazhim i strukturave të policisë, por edhe i organeve të tjera, si bashkitë, komunat dhe me përfaqësues të tjerë vendore, madje edhe më gjerë, me vetë angazhimin e qytetarëve në këtë luftë. Për të pasur një shërbim policor profesionist, me synim për të fituar sfidën e besimit të publikut, me ndryshimet tashmë të prezantuara e të njohura të strukturës së re, në nivel qendror e vendor, janë ndërtuar sektorë e seksione të posaçme, të ndara sipas drejtimit të veprës penale të konsumuar, të cilat do të kenë për detyrë parësore përsosjen e raporteve të komunikimit midis policisë dhe publikut në mënyrë që imazhi i policisë tek qytetari të vijë gjithnjë e në rritje.

Takimi

Fushata antikanabis, edhe në qytetin bregdetar

Durrësi, një nga qytetet

problematike për drogë

Durrësi renditet në listën e qarqeve problematike për sa i përket situatës së kultivimit dhe shpërndarjes në treg të bimëve narkotike. Situata është përcaktuar problematike pasi statistikat e vitit të kaluar dhe katër muajt e parë të këtij viti flasin për një rritje të ndjeshme të rasteve të evidentuara dhe të goditura. Ndërsa gjatë një dekade janë regjistruar në qark 31 raste të evidentimit të parcelave me kanabis sativa, 12 prej tyre me 3560 rrënjë të asgjësuara i përkasin vitit 2008. Këtë vit, në Durrës, janë goditur 24 raste të shpërndarjes së hashashit dhe lëndëve narkotike. Ndonëse ekziston një ligj që parashikon penalizimin e drejtuesve vendorë dhe punonjësit të policisë së zonës ku gjendet e kultivuar bima, asnjëherë nuk është zbatuar. Drejtori i Policisë së Qarkut të Durrësit, Ilia Nasi, e argumenton këtë mungesë penalizimesh me nevojën për bashkëpunim dhe të qenit ende në një fazë ndërgjegjësimi për këtë problem. Bashkëpunimi i organeve të pushtetit vendor dhe forcave të policisë me komunitetin dhe institucionet e tjera të arsimit dhe shëndetësisë është vendosur dje në qendër të një programi që po përgatitet për goditjen dhe parandalimin e kultivimit të lëndës narkotike kanabis sativa. Gjatë takimit të shtabit që funksionon në prefekturë, prefekti Klodian Pajuni kërkoi më shumë efektivitet në punën e policisë dhe të gjithë aktorëve lokalë, për të mos mbetur thjesht goditje me aksione, por e shtrirë në kohë dhe aktorë që bashkërendojnë dhe bashkëpunojnë për të marrë rezultatin. Kryepolici i qarkut theksoi se përtej fitimit të shpejtë që siguron kultivimi dhe tregtimi i bimës së ndaluar ekziston burgu dhe mos gëzimi i të mirave materiale që sigurohen në këtë rrugë. Fshatrat e Ishmit, Shijakut, Manzës, Katundit të Ri në Durrës dhe Cudhisë, Niklës e Bubqit në Krujë renditen në zonat ku janë konstatuar parcela të tëra të kultivuara me kanabis. V. Qyrfyçi

Paralajmërimi

Prençi, vartësve: Do të

përballeni me masa

Masa të ashpra për punonjësit e policisë dhe ata të pushtetit vendor ka paralajmëruar edhe kreu i policisë, Ahmet Prençi. Në disa takime që ai ka pasur kohët e fundit për parandalimin e kultivimit të lëndës narkotike, ka vënë në dukje se do të merren masa për të gjithë përgjegjësit, duke mos lënë mënjanë edhe uniformat blu. Nëse punonjësit e policisë nuk mbledhin informacion të shpejtë për këtë fenomen, sidomos në zonat që do kenë nën mbikëqyrje, atëherë, ata të përgatiten për t‘u përballur me ligjin. Nga këto masa nuk ka përjashtuar edhe punonjësit e pushtetit vendor, të cilët janë më pranë banorëve. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë pohoi para pak ditësh se lufta kundër kultivimit të bimës narkotike ka qenë dhe mbetet një ndër prioritetet më të rëndësishme të Ministrisë së Brendshme. "Duke vlerësuar përpjekjet dhe luftën e deritanishme të strukturave të policisë kundër kultivimit, si dhe kërkesat për vitin 2009, është e domosdoshme, që lufta kundër këtij fenomeni të jetë më e organizuar, për të realizuar një bashkëpunim më efektiv me të gjitha strukturat e administratës shtetërore, duke vlerësuar drejt rëndësinë e këtij fenomeni jo vetëm si aksion policor, por si aksion kombëtar me përgjegjësi direkte, me qëllimin për të zhdukur përfundimisht këtë fenomen", u shpreh Prençi.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›