E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrahin fqinjin për Parkingun e makinës

Një sherr për parkingun e makinave për pak i ka kushtuar jetën një personi, i cili u masakrua me grushte paraditen e djeshme në qendër të kryeqytetit. Dy persona të identifikuar nga policia, babë e bir, dyshohet se kanë goditur me grushte qytetarin Xhemal Domi. Ngjarja ndodhi pranë pallatit ku banon Domi dhe Ismet Kurti me të birin, në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, pikërisht pranë shkollës "Edit Durham". Pas fjalëve të ndërsjella, dy autorët e dyshuar e kanë goditur disa herë me grushte Domin duke e lënë të plagosur në mes të rrugës. Forcat e policisë, të sinjalizuara për ngjarjen, mbërritën menjëherë për të zbuluar autorët dhe motivin e plagosjes, ndërsa transportuan të dëmtuarin në spital. Mësohet se pas ndërhyrjes mjekësore, i plagosuri ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Policia e kryeqytetit bëri të ditur nga hetimet e para se ngjarja ka ndodhur pas një sherri mes tyre për parkingun e makinave. Sipas të dhënave hetimore, autorët janë larguar nga vendngjarja dhe po punohet për kapjen e tyre.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›