E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në gjyq, çoi bashkëshorten në vetëvrasje

Prokuroria ka zbardhur ndoshta për herë të parë një rast vetëvrasjeje, duke dërguar në gjykatë një person të akuzuar. Besnik Hasa akuzohet nga organi i akuzës kryeqytetas se është shkaktari kryesor i vetëflijimit të bashkëshortes së tij, Elisabeta Hasa. Ngjarja ka ndodhur në fillim të këtij viti, në periferi të Tiranës, dhe pas aktit vetëflijues, policia dërgoi materialet në prokurori ndaj 44-vjeçarit Hasa, që ushtronte dhunë fizike ndaj 27-vjeçares. Hetimet kanë përfunduar tri ditë më parë dhe në datën 23 prill procedimi i prokurorisë u regjistrua në gjykatë me numrin 1180. Akuza që rëndon ndaj Besnik Hasës është "shkaktim vetëvrasjeje", e cila ka një maksimum dënimi pesë vjet burg. Ndërkohë, Gjykata e Tiranës ka hedhur shortin për dosjen dhe gjyqtari që do ta gjykojë këtë histori është Petrit Çomo.

Burri 44-vjeçar, Besnik Hasa, nuk ka hezituar aspak kur, pas drurit të radhës, i ka vënë në duar bashkëshortes mjetin me të cilin ajo duhej të vetëflijohej. Ndërsa më pas, duke menduar se nuk kishte të bënte aspak me ndonjë vepër penale, ia ka rrëfyer ngjarjen të atit dhe policëve, natyrisht duke menduar se ishte i pafajshëm dhe se gruaja "ishte vetëflijuar me dëshirë". Sipas prokurorisë, babai i tre fëmijëve të mitur, tashmë jetimë, më i madhi 12 vjeç e më i vogli vetëm 7 vjeç, rrëfeu para punonjësve të policisë ngjarjen, duke pranuar se ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes. Në bazë të rrëfimit të 44-vjeçarit të pandehur, Besnik Hasa; babait të tij Iliaz Hasa dhe provave të mbledhura në vendngjarje, ekspertët e prokurorisë kanë dalë në konkluzionin se më datë 6 janar, rreth orës 02:20, në banesën e saj është vetëvarur Elisabeta Hasa, për shkak të trajtimit të keq e sistematik të bërë nga bashkëshorti i saj. Ka rezultuar gjithashtu se Besnik Hasa, me origjinë nga Kukësi dhe banues në Bathore, si pasojë e dhunës së vazhdueshme, e ka detyruar gruan edhe më parë të largohet për disa ditë nga banesa si dhe të tentojë vetëvarjen. Besnik Hasa ka deklaruar në polici se ai kishte rreth dy muaj e gjysmë që kishte konflikte me bashkëshorten e tij Elisabeta Hasa, pasi ishte bërë xheloz ndaj saj. Më 7 tetor 2008 ajo ishte larguar nga banesa së bashku me tre fëmijët e saj dhe kishte shkuar në Laç. Që nga dita e kthimit të Elisabetës, Besniku ka ushtruar dhunë fizike, në disa raste duke e goditur me grushte dhe shpulla në pjesë të ndryshme të trupit, për shkak të xhelozisë, duke e keqtrajtuar në mënyrë të vazhdueshme. Ditën para krimit, më 5 janar, Besniku ka punuar në ndërtim në Borizanë të Krujës, dhe është kthyer në banesë rreth orës 14:00. Pasi kanë darkuar rreth orës 22:00 kanë rënë për të fjetur; fëmijët në kuzhinë, ndërsa ai dhe bashkëshortja në dhomën e gjumit. Rreth orës 01:30 është ngritur për të pirë ilaçet dhe ka zgjuar edhe bashkëshorten, duke filluar ta godasë. Sipas prokurorisë, akti i Besnik Hasës ka shkaktuar vetëvrasjen e bashkëshortes së tij.

Kodi Penal

Neni 99, shkaktimi i vetëvrasjes

Shkaktimi i vetëvrasjes, ose i tentativës së vetëvrasjes së një personi, si rrjedhojë e trajtimit të keq dhe sistematik, ose nga sjellje të tjera sistematike që prekin rëndë dinjitetin, të kryera nga personi që e ka në vartësi materiale apo çfarëdolloj vartësie tjetër, dënohet me gjobë ose me burgim deri në pesë vjet.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›