E Shtunë, 31 Tetor 2026

Partizani, humbje mes polemikave në Ballsh

Partizani humbet mes kontestimeve sfidën e zhvilluar në Ballsh. Të kuqtë u dorëzuan 1-0 përballë Bylisit vendas, në një takim ku protagonistë janë bërë sërish ata: gjyqtarët. Në minutat e fundit të ndeshjes, skuadra e drejtuar nga Shpëtim Duro arriti të shënonte, por "bilbili" Kridens Meta e cilësoi rrjetën të parregullt, pas sinjalizimit të vijërojtësit Genc Maloku. Vendimi i dyshimtë është kontestuar ashpër nga lojtarët e Partizanit, megjithatë 90-minutëshi u mbyll me fitoren e Bylisit, falë golit të realizuar nga sulmuesi Roland Nenaj, në të 10-n. Trajneri i ekipit kryeqytetas ka reaguar ashpër ndaj ndikimit të "xhaketave të zeza" në rezultat. "Këto që po ndodhin në kampionatin shqiptar janë të turpshme", deklaroi Duro. "Nuk është hera e parë që gjyqtarët penalizojnë Partizanin. Shënuam një gol të rregullt, por pas sinjalizimit të anësorit Maloku, kryesori Meta e anuloi". Edhe në ndeshjen e mëparshme të këtij sezoni në Ballsh, Partizani është penalizuar: përballja e fazës së parë u mbyll në barazim 1-1, por gjyqtari akordoi një 11-metërsh inekzistent për vendasit. Por këtë herë, situata ishte më e tensionuar. Tashmë që luhen javët e fundit dhe lufta për mbijetesë është bërë shumë e fortë, drejtuesit e klubit mallakastriot kanë bërë shumë presione ndaj arbitrave dhe FSHF-së. Pas akuzave se drejtuesit e futbollit duan t‘i largojë nga Superiorja, ata kontestuan ashpër gjyqtarin Kridens Meta, i caktuar me short për takimin me "demat". Megjithatë, episodet e çuditshme janë vënë re që prej fillimit: ndryshe nga procedura standarde, treshja e gjyqtarëve nuk ka dalë në fushë për të bërë nxehjen. Sapo skuadrat kanë mbaruar përgatitjet, ata i kanë thirrur për të nisur takimin.

Në takimet e tjera, Tirana fiton me lehtësi 4-1 me Teutën. Memelli (2 gola), Daniel Xhafaj e Agolli me golat e tyre i dhanë tri pikë bardhebluve, që ruajnë kreun. Me fitore përgjigjet edhe Vllaznia, që duhet theksuar se ka vuajtur përballë Besës. Kuqeblutë, me formacion të përgjysmuar (Haxhiosmanoviç ka menduar më shumë për gjysmëfinalen e kthimit në Kupë) e kanë parë veten dy herë në dizavantazh. Gjithsesi, me dy rrjeta të Sinanit dhe golin e Shkëmbit, ata bënë të pavlefshëm golat e Sakajt e Fortunat. Fiton edhe Dinamo, që tashmë duket se ka siguruar vendin e tretë në klasifikim: heroi i bluve është Sebino Plaku, autor i të tre golave. Pas kësaj ndeshjeje, 23-vjeçari ngjitet në kuotën e 17 rrjetave. Peqinasit që kërkojnë finalen e Kupës kanë luajtur për 70 minuta në inferioritet, pas daljes me karton të kuq nga fusha të Byzhytit. Ashpërsohet lufta për mbijetesë, ku gjashtë skuadra rrezikojnë të bien nga kategoria. Diferenca është ngushtuar dukshëm, Flamurtari i vendit të shtatë ka vetëm katër pikë më shumë se Bylisi që mbyll tabelën, e kur mungojnë katër javë nga fundi, askush nuk ndihet i sigurt.

Bomberi

Memelli, dygolësh për 29-vjetorin

Migen Memelli e ka festuar në mënyrën më të mirë 29-vjetorin e lindjes, duke realizuar dy gola në takimin që Tirana fitoi 4-1 me Teutën. Sulmuesi pogradecar hapi serinë e golave në minutën e tetë, pas një asisti të Muzakës, ndërkohë që në të 86-n ngriti shifrat në 3-1. Me këto dy gola, Memelli ngjitet në kuotën e 19 rrjetave të realizuara në 29 javë të luajtura në Kategorinë Superiore. Me një mesatare prej më shumë se gjysmë goli në ndeshje, ai është shndërruar në lojtarin kryesor të bardhebluve në garën për titullin kampion, por edhe në synimet për të fituar Kupën e Shqipërisë. Me paraqitjet e tij gjatë këtij sezoni, Memelli ka fituar edhe një fanellë kuqezi. Sulmuesi debutoi me Kombëtaren më 1 prill, në humbjen 3-0 me Danimarkën në Kopenhagen.

Superiore / Java 29

NDESHJET

Tirana - Teuta 4-1

Memelli 8‘, 86‘, D. Xhafaj 43‘, Agolli 88‘ / Vila 31‘

Vllaznia - Besa 3-2

Sinani 26‘, 52‘, Dhëmbi 60‘ / Sakaj 9‘, Fortunat 32‘

Dinamo - Shkumbini 3-0

Plaku 8‘, 63‘, 84‘

Bylis - Partizani 1-0

Nenaj 10‘

Apolonia - Elbasani 3-1

S. Haxhibuliç 27‘, S. Haxhibuliç 60‘, Brkiç 78‘ / F. Xhafa 51‘

Lushnja - Flamurtari 1-1

E. Xhafa 34‘ / Brajkoviç 88‘

Klasifikimi

Skuadrat N P

1. Tirana 29 58

2. Vllaznia 29 57

3. Dinamo 29 51

4. Shkumbini 29 44

5. Teuta 29 41

6. Besa 29 39

7. Flamurtari 29 32

8. Partizani 29 30

9. Elbasani 29 30

10. Lushnja 29 30

11. Apolonia 29 29

12. Bylis 29 28


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›