E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Pay Tv", 19 vendimet e gjykatës për kontroll banese

Me urdhër të Gjykatës së Tiranës, policia e kryeqytetit ka kryer kontrolle në të gjithë Shqipërinë, me qëllim gjetjen e provave kriminale për ndërhyrjen në valët e televizioneve dixhitale. Gjyqtari Martin Deda, në harkun kohor të 24 orëve ka dhënë 19 vendime gjyqësore, pas kërkesës së prokurorit të çështjes, Erion Pano. Kontrolli i banesave dhe ambienteve tregtare është kryer njëkohësisht në dhjetëra qytete, duke filluar nga Tirana, Durrësi, Kavaja, Vlora, Pogradeci dhe Lushnja. Njëkohësisht janë kryer verifikime edhe në disa qytete të tjera, duke shkatërruar këtë "organizatë kriminale", e cila u ka shkaktuar televizioneve dixhitale miliona euro humbje.

Vendimet

Gjykata mori në shqyrtim aktet e paraqitura nga prokurori Erion Pano, i cili i kërkoi gjykatës pranimin e 19 kërkesave. Vendimet bazohen në faktin se në Gjykatën e Tiranës ka ardhur për gjykim çështja penale. Nga shqyrtimi gjyqësor rezulton se në datë 12.11.2008, Prokuroria e Tiranës ka regjistruar procedimin penal nr. 3778, që bën fjalë për ndërhyrjen në sistemin kompjuterik në dëm të kompanisë "Digitalb", ku pasojat për këtë shkak kanë qenë mjaft të rënda. Kallëzimi për këto ndërhyrje është regjistruar në datën 31 tetor 2008. Është kallëzuar se një grup personash të ndryshëm, të cilët ushtrojnë aktivitet tregtar, kryesisht elektronike, kanë mundësuar ndërhyrjen në sistemin kompjuterik, konkretisht internet, duke realizuar shkatërrimin e kodeve dhe si rezultat ofrohen në mënyrë të kundraligjshme programe që ekskluzivitetin e të cilave e ka vetëm kompania "Digitalb" në paketat e saj. Ky shërbim i kundraligjshëm, sipas prokurorisë, ofrohej kundrejt 230 eurove në vit, ku përfshihej dekoderi, karta, si dhe instalimi. "Nga kjo veprimtari e paligjshme, persona të ndryshëm përfitojnë shuma të mëdha materiale e ndërkohë i shkaktojnë kompanisë një dëm të jashtëzakonshëm material, mbi 1000000 euro. Nga hetimet e kryera rezulton se ka dyshime të bazuara që kanë të bëjnë me një aktivitet kriminal të mirorganizuar, në të cilin janë të përfshirë disa persona", thuhet në kërkesën e prokurorit Erion Pano në Gjykatën e Tiranës. Më pas shtohet se nga transkriptimet e bisedave telefonike të realizuara ka prova që në dhjetëra ambiente tregtare, si dhe në disa banesa, fshihen prova materiale të veprës së mashtrimit kompjuterik, parashikuar nga neni 143, germa b, i Kodit Penal. "Në mënyrë që këto prova të administrohen nga ana e prokurorisë, është i nevojshëm dhe i domosdoshëm lejimi i kontrollit. Gjykata arrin në përfundimin se kërkesa e prokurorisë është e drejtë dhe duhet të pranohet për 19 ambiente tregtare dhe banesa", thuhet në vendimin e gjykatës. Pas vendimit, për kryerjen e kontrolleve u ngarkua policia gjyqësore pranë Drejtorisë së Policisë së Tiranës.

Abuzimi me "Pay Tv"

Prokuroria dhe policia e kryeqytetit, që kanë bashkëpunuar ngushtë me Policinë e Shtetit, deklarojnë se kanë dokumentuar rreth 1000 raste të abuzimit me këtë skemë. "Janë rreth njëmijë raste të dokumentuara që janë shitur ‘Dream Box‘. Fillimisht, personat e ndaluar shisnin aparatin ‘Dream Box‘, që e mbanin në dyqanet e tyre. Më pas, në momentin që klientët vinin në punë këto aparate në shtëpi dhe i lidhnin me internetin, të arrestuarit kontaktonin me ta nëpërmjet numrit të telefonit dhe u tregonin procedurat për të hyrë në linjën e tyre. Më pas u aktivizonin linjën", thanë burimet nga prokuroria dhe policia. Sipas tyre, në serverët e tyre kishin dy programe. "Njëri prej programeve funksiononte për përshtatjen e ‘Dream Box‘ me sinjalet e televizioneve, si ‘Digitalb‘, ‘Sky‘ etj., dhe një program tjetër përdorej për thyerjen e kodeve të kartave", shtuan burimet nga grupi hetimor, i cili sqaron edhe se një server mbante rreth 50 klientë. Prokurorët e çështjes, Elio Mazreku dhe Erion Pano, kanë dokumentuar veprimtarinë e paligjshme të të ndaluarve, ndërsa kanë urdhëruar strukturat e policisë së Tiranës që të kryenin blerje të stimuluara për të zbardhur mekanizmin. "Grupi hetimor ka kontaktuar dhe blerë ‘Dream box‘ te të gjithë të arrestuarit dhe te disa persona të tjerë, që janë nën hetim. Për t‘u siguruar, agjentët civilë kanë shkuar te personat e dyshuar edhe nga 3-4 herë", thanë burimet nga prokuroria dhe policia. Sipas tyre, për këtë proces hetuesit shpjegojnë se në rrugë ligjore janë përdorur filmimet dhe përgjimet. "Janë 115 raste të dokumentuara që i ka blerë policia. Gjithashtu, ‘Dream box‘-et mund të sjellin probleme edhe për kontrabandë, pasi hyrja e tyre në Shqipëri nuk është regjistruar, pavarësisht se me ligj duhet paguar taksa", thanë burimet e prokurorisë dhe policisë. Sipas tyre, janë gjetur në serverët e sekuestruar edhe listat e klientëve që i kishin blerë këto pajisje. Madje ka nisur puna për identifikimin dhe marrjen në pyetje të tyre për dokumentimin e plotë të veprës penale.

Vendet ku gjykata ka urdhëruar kontroll

1- Lejimin e kontrollit të vendit ambient tregtar, "ARIO" sh.p.k., me adresë Rr. "Sami Frashëri", Tiranë

2- Lejimin e kontrollit të vendit ambient tregtar, "DigitAlb", në pronësi të shtetasit Altin Kuqo, si dhe banesës së këtij shtetasi, të ndodhur në Pogradec

3- Lejimin e kontrollit të vendit ambient tregtar dhe banesës së shtetasit Artur Barmeta, të ndodhur në Kavajë

4- Lejimin e kontrollit të vendit ambient tregtar ndodhur te "21 Dhjetori" dhe banesës së shtetasit Qemal Cakaj, në Tiranë

5- Lejimin e kontrollit të banesës së shtetasit Artan Priftuli, i biri i Vaskës dhe i Elentit, datëlindja 19.03.1965, Tiranë

6- Lejimin e kontrollit të vendit ambient tregtar ndodhur te Tirana e Re dhe banesës së shtetasit Selami Cakraj, në Tiranë

7- Lejimin e kontrollit të vendit ambient tregtar, "Arel", dhe banesës së shtetasit Artur Ceka, në Durrës

8- Lejimin e kontrollit të vendit ambient tregtar "Orbitër-al", me adresë Rr. "Myslym Shyri", Tiranë, në pronësi të shtetasit Damir Leko, si dhe banesës së këtij shtetasi

9- Lejimin e kontrollit të vendit ambient tregtar ndodhur në rrugën "Hoxha Tahsim", dhe banesës së shtetasit Edvin Derhemi, të ndodhura në Tiranë

10- Lejimin e kontrollit të vendit ambient tregtar ndodhur në vendin e quajtur "Rreth rrotullimi Vlorë", si dhe banesën e shtetasit Alfred Hoxhaj, Vlorë

11- Lejimin e kontrollit të vendit ambient magazinë në adresën Plazh, Durrës, dhe banesës së shtetasit Iljaz Cergani

12- Lejimin e kontrollit të vendit ambient tregtar ndodhur në Rr. "Bardhyl" dhe banesës së shtetasit Erion Koço, në Tiranë

13- Lejimin e kontrollit të vendit ambient tregtar, "Star Sat", dhe banesës së shtetasit Fatmir Çupi, në Tiranë

14- Lejimin e kontrollit të vendit ambient tregtar dhe banesës së shtetasit Maksim Gjeci, të ndodhura në Lushnjë

15- Lejimin e kontrollit të vendit ambient tregtar, "TRING", ndodhur pranë qendrës "GLOB", ish-parku i autobusëve, Tiranë

16- Lejimin e kontrollit të vendit ambient tregtar dhe banesës së shtetasit Elton Belliu, të ndodhura në adresën lagjja "Gafur Muço", pranë Komunales Lushnjë

17- Lejimin e kontrollit të vendit ambient tregtar përballë ish-Gjykatës Vlorë

18- Lejimin e kontrollit të vendit ambient tregtar pranë farmacisë "Shëngjergji" në Durrës

19- Lejimin e kontrollit të vendit ambient tregtar, "Albania Online", ndodhur në Durrës



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›