Kavajë, babai denoncon "humbjen" e dy vajzave
Dy motra janë larguar nga banesa që prej katër ditësh dhe ende nuk dihet fati i tyre. Policia është vënë në dijeni për këtë ngjarje dy ditë më parë, nga babai i vajzave, i cili ka denoncuar largimin e tyre nga banesa që në orën 10:00 të datës 22 prill. Sipas informacioneve, dy ditë më parë, Bajram Aliu, 51 vjeç, është paraqitur në Komisariatin e Kavajës, ku ka deklaruar se në datën e lartpërmendur i kishin ikur nga banesa në fshatin Vilë vajzat e tij, Rajmonda dhe Xhulieta. Ai ka shpjeguar se dy motrat janë të moshës 21 dhe 15 vjeçe. Policia ka marrë fotot e dy vajzave, duke i shpallur ato në kërkim, ndërkohë që ende nuk janë të qarta motivet e largimit të tyre. Gjithashtu, policia ka nisur kërkimet për to, duke kontaktuar edhe me të afërm e miq të tyre. Por, deri në orët e vona, në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, komisariati nuk ka mundur të sjellë asnjë informacion në lidhje me vendndodhjen e tyre.