Ksamil, bllokohet skafi me drogë
KSAMIL/ SHPRESA DINE
Një skaf në pritje për t'u nisur drejt Greqisë me 300 kg kanabis sativa u bllokua mbrëmjen e së premtes. Mjeti i fuqishëm, me gjatësi 5 metra kishte në bord dy skafistë, por vetëm një prej tyre u arrestua. Dyshohet se pronarja e drogës është një grua nga Saranda, emri i së cilës do të zbardhet vetëm pas dëshmisë që i arrestuari do të japë. Policia kufitare dhe sektori i antikrimit të organizuar mësohet se e kanë finalizuar aksionin rreth orës 23:20, duke bllokuar sasinë e drogës. Pas informacioneve të grumbulluara në rrugë operative, policia ka ndërhyrë në gjirin e plazhit të quajtur "Pema e Thatë", në afërsi të Ksamilit, ku ishte vendosur edhe skafi që pas pak minutash do të ndizte motorët për t'u nisur drejt ishullit të Korfuzit në Greqi. Ndërhyrja e menjëhershme e agjentëve të policisë, ka bërë që në vendngjarje, përveç skafit dhe drogës ngarkuar në të, të gjendet dhe të kapet edhe njëri nga skafistët, ndërkohë që personi i dytë, ka përfituar nga errësira dhe është larguar përmes pyllit të dendur të "Pemës së Thatë". Forca policie janë vënë në ndjekje të tij, por pa mundur ta kapin. Pas shoqërimit të skafistit dhe lëndës narkotike në komisariat, skafi, me një motor 250 kuaj fuqi është ankoruar në Portin e Sarandës. Në Komisariat është bërë edhe peshimi i sasisë së drogës, e ndarë në disa çanta sportive, e cila kapte vlerën e rreth 300 kg. Agjentët e policisë kanë nisur menjëherë procesin hetimor si dhe atë të fotodaktiloskopimit dhe marrjes në pyetje të njërit prej skafistëve. Deri në orët e pasdites së të shtunës emri i tij nuk është bërë i ditur, për shkak të hetimeve të policisë të shtrira në disa grupe kriminale që veprojnë prej kohësh në Sarandë. Burime të mirinformuara pranë Komisariat të Policisë së Rendit Sarandë, janë shprehur se për këtë ngjarje, ka dhe do të ketë të arrestuar. Në lidhje me identitetin e skafistit të vënë në pranga, bëhet e ditur vetëm se ai është banor i lagjes nr.3, në qytetin e Sarandës. Nuk bëhet e ditur ende se cila ka qenë origjina e drogës, Lazarati apo fshatrat e Delvinës, vende këto, furnizuese prej kohësh të trafikantëve të "drogës së gjelbër" në Sarandë. Kjo ngjarje i ka kaluar në duar Krimeve të Rënda dhe i arrestuari ka udhëtuar drejt Tiranës për hetime të mëtejshme. Pritet që lista e të arrestuarve të shtohet, pasi veprimet hetimore po vazhdojnë me intensitet. Mes tyre do të përcaktohet dhe pozicioni i të implikuarve në këtë çështje.