Sherr me armë te taverna në Tiranë, plagoset 26-vjeçari
TIRANE - Një i plagosur, dy të arrestuar dhe një person i shpallur në kërkim është bilanci i ngjarjes së ndodhur në orët e para të mëngjesit të djeshëm në një tavernë me muzikë live në kryeqytet. Policia arrestoi dje dy punonjës të tavernës “Daja”, në afërsi të Laprakës, pasi nuk dhanë shpjegime për plagosjen që ndodhi në vendin e tyre të punës. Ngjarja, e cila çoi në qeli kamerierin 26-vjeçar, Adriatik Qarri, dhe banakieren 40-vjeçare Mimoza Sukaj, ndodhi në orët e para të ditës së shtunë kur në tavernën ku ata punojnë te Rruga e Durrësit në Tiranë u plagos me pistoletë 26-vjeçari Korab Çejku. Burime zyrtare nga policia thanë se nga hetimet rezulton se i plagosuri ka qëndruar tek taverna, deri në orët e para të mëngjesit dhe në gjendje të dehur, ka debatuar me disa persona, mes të cilëve edhe me 32-vjeçarin Martin Gjinaj, i cili ka qenë gjithashtu në gjendje të dehur, por edhe i armatosur. Dyshohet se Gjinaj e ka qëlluar katër herë me pistoletë 26-vjeçarin Çejku, duke e plagosur rëndë në trup dhe më pas është larguar duke u shpëtuar forcave të policisë. Oficerët e Seksionit të Krimeve Kundër Jetës dhe Shëndetit në policinë e kryeqytetit mbërritën menjëherë në tavernë, rreth orës 03:30, për të sqaruar rrethanat e ngjarjes, duke marrë në pyetje dëshmitarët. Por mësohet se policia është përballur me kundërshtimin e punonjësve të tavernës, të cilët nuk kanë dhënë shpjegime për ngjarje, gjë e cila u ka kushtuar atyre prangat, pasi akuzohen për veprën penale të “moskallëzimit të krimit”. Ndërkohë, policia ka shpallur në kërkim autorin e dyshuar të plagosjes Martin Gjinaj, i cili akuzohet për veprat penale të “Vrasjes me dashje e mbetur në tentativë” dhe të “Mbajtjes pa leje të armëve luftarake e municioneve”. I riu, i cili mbeti i plagosur është dërguar në Spitalin Ushtarak, ku aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ndërsa në vendin e ngjarjes policia ka mundur të sekuestrojë 4 gëzhoja fishekësh pistoletë, ndërkohë që autori dyshohet ta ketë marrë me vetë armën. Policia ka ngritur postblloqe në të gjitha rrugët dalëse të kryeqytetit, ka shoqëruar disa persona që kanë qenë të pranishëm në momentin e ngjarjes, por ende nuk ka arritur të ndalojë autorin e identifikuar tashmë të plagosjes. e.d