Dëshmia, e fejuara e Banos mohon deklaratat
16/03/2005 TIRANË – "Kisha vetëm 1 muaj e gjysmë që njihesha me Klenti Banon dhe bashkëjetoja. Nuk kam dijeni për autorët e vrasjes së tij, madje, gjatë kohës që ka qëndruar me mua, nuk kemi diskutuar ndonjëherë për probleme të punës së tij. Nuk e di pse më keni thirrur, sepse unë jam e painformuar". E fejuara e oficerit të policisë kriminale të komisariatit të Lushnjës, Klenti Bano, vrarë në afërsi të banesës së tij nga persona të paidentifikuar, ka mohuar të ketë dijeni për këtë ngjarje. Vajza e quajtur Ela, është shprehur se ka dhënë intervistë në një gazetë të përditshme pas ngjarjes, por, kurrsesi nuk ka përmendur emra, edhe pse nga akuza u tha ndryshe. Prokurori Anton Martini i kujtoi dëshmitares se në intervistë kishte përmendur emrin e të pandehurit Maksim Çela, i cili edhe e kishte kërcënuar, por dje, ajo tha se këtë emër po e dëgjonte për herë të parë dhe nuk e kishte takuar asnjëherë. Ish e fejuara e Banos thirrej për herë të parë për të dëshmuar në gjykatë. Ndërkohë në policinë gjyqësore ajo nuk ishte pyetur rreth fakteve konkrete, të cilat i ka deklaruar në shtyp. Sipas akuzës, dëshmitarja ka deklaruar se është kërcënuar nga të pandehurit, nëse do të përmendte emrat e tyre, pas vrasjes së oficerit të policisë kriminale të Lushnjës. Po dje, në procesin gjyqësor ndaj të pandehurve të akuzuar për disa vepra penale të kryera në Lushnjë, erdhën për të dëshmuar disa djem. Edhe pse u pyetën për plagosjen e Leonard Linatopit dhe disa episode të tjera, dëshmitarët mohuan të kenë dijeni. Në proces pritet të vijë për të dëshmuar edhe vetë Leonard Linatopi, të cilin oficerët e policisë nuk e kanë gjetur në banesë. Të gjithë dëshmitarët në këtë proces erdhën të shoqëruar nga policia.