Gjykata, 18 vite burg për Cafin, vrau Nezirin

16/03/2005 TIRANË – Gjykata e Krimeve të Rënda dënoi dje me 17 vite burg të pandehurin Gëzim Cafi, akuzuar për vrasjen e Brunilda Nezirit dhe plagosjen e të dashurit të saj, Fatlum Kadia. Për gjykatën, i pandehuri është gjendur fajtor. Prova e vetme, ajo e gjurmës së gishtit, të gjendur në karikatorin e armës së krimit, është marrë në konsideratë nga gjykata në dhënien e vendimit. Ndërkohë, prokurori Eugen Beçi kërkoi dënimin e të pandehurit Gëzim Cafi me 20 vjet burg, për kryerjen e veprës penale të vrasjes. Fatlum Kadia e mbrojti të pandehurin para gjykatës, duke u shprehur se e njihte, por nuk kishte asnjë hesap për të larë me të. Ndërsa, Kadia ndodhet në gjendje arresti për vrasjen e tregtarit nga Saranda, Pirro Koçiu. Vendimi i dhënë dje nga gjykata, e quajti vrasjen e Nezirit një gabim nga i pandehuri, pasi në qendër të sulmit që u krye më 13 mars 2000, ishte Fatlum Kadia. Ky i fundit para gjykatës, ka mohuar gjithçka. Në 13 mars të vitit 2000, në Shkodër, në afrësi të vendit ku është ndërtuar "Kisha e Zonjës së Mirë", është vrarë Brunilda Neziri dhe plagosur i dashuri i saj, Fatlum Kadia dhe Gentian Selmani. Fillimisht, autorët e vrasjes nuk u identifikuan. Në vend u gjet një armë automatike së bashku me dy karikatorë. Po kështu u gjetën 17 gëzhoja të qitura nga dy armë, dhjetë prej të cilave ishin qitur nga arma automatike e gjetur në vendngjarje. Ndërsa vrasja ndodhi në vitin 2000, hetimet për të filluan vetëm më 10 qershor të vitit 2003, tre muaj pas arrestimit të të pandehurit Gëzim Cafi, që u bë në 28 mars 2003. Fillimisht hetimet u kryen nga Prokuroria e Shkodrës. Dosja me emrin e të pandehurit erdhi në Tiranë me akuzën e vrasjes me dashje. Por nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, pas marrjes së provave të para dhe studimit të dosjes, u bë ndryshimi i kualifikimit. Gjurmët e gishtave dërguan Prokurorinë tek Gëzim Cafi.