Dëshmia e gruas: Pas sherrit, burrin e gjeta të pajetë në banesë
Sipas prokurorit të çështjes, para se të vritej Xhelo Kasaj, ai është konfrontuar fizikisht me të shoqen. Kjo e fundit pohon se e ka gjetur të shoqin të vdekur, pasi ishte larguar nga shtëpia
FIER Gjykata e Fierit ka dhënë dje masën e sigurisë burg pa afat për 55-vjeçaren, e cila akuzohet për vrasjen e bashkëshortit të saj. Seanca gjyqësore është mbajtur në mesditën e djeshme, në një nga sallat e këtij institucioni, përballë gjyqtares Adelina Zarka. Ishin, e akuzuara për këtë krim, gruaja Dallëndyshe Kasaj, e mbrojtur në këtë proces nga avokat Gëzim Hajdëraj. Pala e akuzës ishte përfaqësuar nga prokurori Petrit Vukaj. Fillimisht ishte prokurori Vukaj, që ka lexuar para trupit gjykues akuzën e ngritur nga ky organ. Akuzë kjo e bazuar në nenin 76 të Kodit Penal, që e klasifikon ngjarjen si vrasje në grindje e sipër. Madje, prokurori Vukaj ka bërë edhe një përshkrim të ngjarjes së rëndë.
Akuza
E akuzuara gjatë gjithë natës kur ka ndodhur krimi është grindur me bashkëshortin e saj, duke pasur në themel të sherrit burrë grua, çështjen ekonomike të familjes e më konkretisht borxhet që familja Kasaj iu detyrohet të tretëve, borxhe që sipas gruas janë akumuluar dhe krijuar për shkak të paaftësisë për të shlyer ato prej ish bashkëshortit të saj Xhelo Kasaj. Grindja ka degjeneruar më pas deri në dhunë fizike, mes të dy palëve. Të dy kanë keqtrajtuar njëri-tjetrin, duke e goditur secilin me mjete të ndryshme rrethanore. Gjurmët e kësaj grindjeje duken qartë, si në trupin e viktimës, ashtu edhe në trupin e gruas 55-vjeçare. Pas grindjes, sipas pretendimit të saj, dhe deklaruar para grupit hetimor, e akuzuara është larguar nga shtëpia për një çast, që lidhet sipas saj me pamundësinë për të qëndruar në banesë, nga frika edhe e hakmarrjes së bashkëshortit. Por pasi është kthyer në shtëpi, ajo ka gjetur bashkëshortin të pajetë në mes të shtëpisë. Sipas versionit të dhënë para grupit hetimor, gruaja ka lajmëruar me telefon njërën prej motrave të saj në qytetin e Patosit. Kjo e fundit, pasi ka marrë vesh këtë lajm tronditës, ka mbërritur në Fier, në banesën e familjes Kasaj, banesë e cila ndodhet në katin e dytë të një pallati shumëkatësh në qendër të qytetit Fier, pas ish-shtëpisë së oficerëve, e marrë prej kësaj familjeje me qira. Pasi kanë parë bashkarisht gjithçka ka ndodhur, gruaja është drejtuar në polici, ku dhe ka deklaruar këtë ngjarje dhe versionin e saj.
Para grupit hetimor, e akuzuara ka deklaruar se “bashkëshortin e ka gjetur të vdekur”.
Prokurori Vukaj paraqiti gjithashtu para gjykatës edhe elementë të tjerë të hetimit, sipas të cilit, në veshin e majtë të viktimës është gjetur një shenjë që zgjatet deri në afërsi të qafës së tij, që lidhet me djegie nga vaji. Po kështu edhe në pjesë të gjymtyrëve të duarve të gruas, janë gjetur gjurmë djegie që vërtetohen nga mjekët e spitalit Fier. Nisur nga natyra e krimit, mënyra e vdekjes së burrit 63-vjeçar, si dhe gjurmët e mbledhura në vendin e ngjarjes, si dhe deponimi i të akuzuarës në polici dhe para grupit hetimor, prokuroria i ka kërkuar gjykatës që të vlerësoj të ligjshëm arrestin e kryer nga policia, si dhe të vlerësojë si masë arresti deri në përfundim të hetimit gjyqësor, arrestin me burg.
Avokati
Ndërkohë që pala mbrojtëse, avokat Gëzim Hajdëri, i ka kërkuar gjykatës që të çmojë ajo me vendimin e saj gjithçka që lidhet me klienten e tij. Sipas palës mbrojtëse, kjo e fundit do të flas vetëm pasi të ketë në dorën e saj aktin e ekspertimit të ngjarjes nga mjeku ligjor, ekspertimin kimiko-biologjik, etj. Pas marrjes së këtyre akteve të ekspertimeve, atëherë ne do të paraqesim edhe argumentet tona mbrojtës - ka deklaruar avokat Gëzim Hajdëri, para trupit gjykues. Pasi dëgjoi palët, gjyqtarja Adelina Zarka, në fund të seancës gjyqësore, vlerësoi të ligjshëm arrestin e të dyshuarës, për vrasjen e bashkëshortit të saj, Dallëndyshe Kasaj, si dhe vendosi si masë arresti, arrest me burg pa afat deri në përfundim të hetimit gjyqësor për këtë çështje. Në sallën e gjyqit ka qenë e pranishme edhe e akuzuara për këtë vrasje, njëra prej vajzave të saj, Sevina Kasaj, si dhe njëra prej motrave të saj. Askush prej këtyre familjarëve të pranishëm nuk ka folur, Po kështu nuk ka folur edhe vetë e dyshuara Kasaj.