E Diel, 1 Nëntor 2026

Tragjedia në familje, 11-vjeçari vret vëllanë e mitur

Ngjarja ka ndodhur në një fshat të Shkodrës, ndërsa 11-vjeçari kishte marrë armën që të afërmit e tij e mbanin pa leje. Në këtë qark janë shënuar dhe dy viktima të tjera, një i plagosur dhe një vetëvrasje

Shkodër Një ngjarje e rëndë është shënuar ditën e djeshme në një fshat të Shkodrës, kur një fëmijë 11-vjeçar ka qëlluar me armë dhe e ka lënë të vdekur në vend vëllanë e tij dy vjeç më të vogël. Por kjo nuk ka qenë e vetmja ngjarje e ndodhur dje, pasi dje është shënuar dhe një plagosje nga pakujdesia si dhe një vetëvrasje në qarkun e Shkodrës, gjatë të dielës në zona të thella malore të tij.

Vrasja

Sipas burimeve nga policia e Shkodrës, mësohet se A.G. 9 vjeç, nga fshati Nicaj i komunës Shosh në Dukagjin, ka gjetur vdekjen pasi është vrarë aksidentalisht nga vëllai i tij 11-vjeçar. Po të njëjtat burime kanë bërë me dije për gazetën se rreth orës 20.10 të së dielës dy vëllezërit kanë qenë duke luajtur në afërsi të shtëpisë së tyre, pas saj dhe 11- vjeçari ka marrë një pistoletë që e dinte se ndodhej në shtëpi dhe duke luajtur ia ka drejtuar vëllait të tij. Arma ka qenë e mbushur dhe ndërsa është shkelur këmbëza plumbi ka goditur për vdekje 9-vjeçarin që ndodhej në distance të afërt. Familjarët kanë dëgjuar të shtënën dhe britmën e 11-vjeçarit dhe janë përpjekur të japin ndihmë, por vdekja e vogëlushit ka qenë e menjëhershme. Edhe pse të afërmit janë përpjekur ta çojnë atë në spital për të marrë ndihëm e parë mjekësore, duket se gjithçka ka rezultuar e kotë, pasi i mituri ka humbur jetën si pasojë e goditjes në organe jetësore si dhe humbjes së një sasie të madhe gjaku.

Pas veprimeve të kryera nga policia ka rezultuar se ngjarja ka qenë aksidentale dhe është sekuestruar arma tip pistoletë me një krehër me 5 fishekë.

Vetëplagosja

Aksidentalisht është vetëplagosur me armë zjarri dhe një 24-vjeçar nga Gjegjani i Pukës. Ngjarja ka ndodhur në 23.50 të së dielës në banesën e 24-vjeçarit Florin Zefi, i cili është vetëplagosur aksidentalisht me një armë zjarri tip automatik, teksa po e pastronte atë. I dëmtuari ndodhet në spitalin rajonal të Shkodrës, jashtë rrezikut për jetën.

Ndërsa 52-vjeçari Gjelosh Grizhaj, banues në fshatin Vukël, komuna Këlmend, e rrethit Malësi e Madhe, ka vrarë veten me armë zjarri automatik. Mësohet se 52-vjeçari vuante nga sëmundje psikike, ka marrë një armë zjarri automatik dhe në afërsi të banesës ka qëlluar veten duke gjetur vdekjen e menjëhershme. Policia ka gjetur në vendin e ngjarjes dhe armën automatik, si dhe ka marrë në pyetje familjarët për të mësuar më shumë rreth arsyes që e shtynë atë drejt vetëflijimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›