E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza, përkeqësohen treguesit e papunësisë në të gjithë sektorët

Nga Fitim Zekthi

Disa prej sektorëve kryesorë të ekonomisë në vend janë duke u përballur me uljen e numrit të të punësuarve, ku industria nxjerrëse, përpunuese dhe shërbimet janë më të prekurat. Të dhënat zyrtare bëjnë me dije se tremujori i parë i këtij viti në sektorin e industrisë nxjerrëse ka patur një rënie të numrit të të punësuarve krahasuar me tremujorin e parë të vitit të kaluar me rreth 8%. Në fakt, të dhënat tregojnë se ky sektor ka nisur të humbasë vende pune që në vjeshtën e kaluar, ku treguesi i numrit të të punësuarve në tremujorin e tretë ra me 4%. Sektorët e tjerë kanë po ashtu vështirësi dhe më i ndikuari nga kriza ekonomike botërore është ai i prodhimit të tekstileve dhe të këpucëve për import. Të dhënat bëjnë fjalë për një rënie me 10% të vendeve të punës në tremujorin e parë të këtij viti krahasuar me tremujorin e parë të vitit të kaluar. Industria përpunuese ka njohur rënie të ritmit të rritjes së numrit të vendeve të punës, po nuk ka më pak të punësuar se sa kishte vjet në tremujorin e parë. Kësisoj, tremujori i parë i këtij viti kishte aq punonjës sa kishte edhe vjet, ndërkohë që nga tremujori në tremujor në këtë sektor prej dy vjetësh ka patur një rritje të numrit të të punësuarve me 14%. Kjo rritje ka ardhur duke u ulur gradualisht duke mbërritur në 7% në tremujorin e tretë të vitit të kaluar për të arritur në 3% në tremujorin e fundit. Të dhënat tregojnë për një rënie të përgjithshëm të treguesve të punësimit në të gjithë sektorët e ekonomisë, ndonëse ende nuk ka humbje të ndjeshme të vendeve të punës. Shqipëria është ende një vend me ekonomi të ngadalësuar, por përsëri dinamika është rritëse. Parashikimet falsin për rritje vjetore në kufijtë e 1% dhe kjo pavarësisht se tregon që kriza ka dhënë efekte të mëdha, ekonomia nuk është në recesion si thuajse të gjitha vendet e rajonit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›