Dëshmia në Gjykatë, Gramoz Selmani: “Koka Artur Dajës u pre nga Aldo Bare”
Laureta Rryçi
Kolegji penal në Gjykatën e Krimeve të Rënda dëgjoi dje ndoshta një nga dëshmitë më rrëqethëse mbi bëmat e bandës së Lushnjës. Nga vrasjet e deri në prerje kokash për larje hesapesh, për më shumë se dy orë, dëshmitari i radhës tronditi palët në proces. Kjo dëshmi solli furtunë në sallën e gjyqit mes të pandehurve dhe dëshmitarit. Debate dhe akuza të ashpra mes gjyqtarëve dhe avokatëve u dëgjuan sot në procesin e bandës së Lushnjës. Në kurriz të bandës famëkeqe rrëfeu dje Gramoz Selmani, miku i Artur Dajës. Dëshmia e Selmanit shkaktoi reagimin e avokatëve, të cilëve Selmani iu përgjigj se kishte ikur si klandestin nga Shqipëria dhe kishte hyrë po si klandestin në vend. Ndërsa gjykata e cilësoi ardhjen e tij në gjyq konform rregullave dhe iu drejtua avokatëve që faktet kundër Selmanit t’i çojnë në Prokurori.
Dëshmia
Selmani ka rrëfyer momentet se si u përça banda e Lushnjës. Fillimisht pohoi rrethanat kur u vra Genc Kashari. Në momentin e krimit ai gjendej së bashku me Artur Dajën dhe viktimën. “Një makinë Audi qëlloi mbi ne dhe mbeti i vrarë Kashari. Kashari u vra nga Ramadan Shkurti, vëllai i Aldo Bares. Nga këto të shtëna shpëtoi për mrekulli Artur Daja, i cili ishte shumë mik me Genc Kasharin dhe me mua. Ramadan Shkurti, pasi ka qëlluar, u largua me makinën e tij, mirëpo rrugës bëri aksident. Ai po ndiqej nga Artur Daja. Ky i fundit, pasi arriti makinën tip ‘Audi’, ekzekutoi me pistoletë menjëherë Ramadan Shkurtin dhe një person tjetër”, - dëshmoi Selmani. Sipas dëshmitarit, ky ishte dhe momenti i parë i përplasjes mes Artur Dajës dhe Aldo Bares, çka çoi në përçarjen e bandës. Ndërsa në lidhje me vrasjen e Artur Dajës, Selmani rrëfeu: “Pas vrasjes së Ramadan Shkurtit, i vëllai i tij, Alfred Shkurti, i njohur ndryshe me emrin Aldo Bare, e mësoi shumë shpejt emrin e ekzekutorit. Në shenjë hakmarrjeje Artur Dajës iu pre koka nga Aldo Bare. Sipas dëshmisë, Bare më pas jo vetëm që vrau, por edhe i preu kokën Dajës, duke e shëtitur në gjithë qytetin. Selmani theksoi se më pas pati atentate dhe kujtoi atentatin ku mbeti i vrarë Nimet Zineli dhe ku ai vetë shpëtoi për qime nga plumbat e bandës së Lushnjës. Ardhja e Selmanit në sallën e gjyqit rikthen edhe njëherë debate të forta nëse ky që cilësohet si një ndër dëshmitarët kyçë të krimeve të bandës së Lushnjës duhet të vihet në pranga ose jo.
Rëndësia
Kjo dëshmi pritet të jetë kyçe dhe në procesin ndaj Aldo Bares, që pretendon se është i pafajshëm dhe po gjykohet politikisht. Në seancat gjyqësore ndaj bandës në këto 3 vjet gjykim janë dëgjuar mjaft dëshmi rrëqethëse për ekzekutimet makabre të kryera në Lushnjë dhe rrethinat e saj. Disa seanca më parë, një tjetër dëshmitar i thirrur i akuzës, Adem Arapi, dëshmoi se Gramoz Selmani kishte lidhje krushqie me të, ndaj edhe u bë shkak që të ishte personi i duhur për t’i çuar “ushtarët” e Alfred Shkurtit në vendin ku strehohej i kërkuari i tyre. Sipas të dhënave që disponon hetimi, por edhe nga çka është dëshmuar jo pak herë në sallën e gjyqit për Krime të Rënda, është mësuar se Gramoz Selmani ishte shok me Artur Dajën. Nga lidhje kronologjike të ngjarjes thuhet se kreu i bandës u hakmor ndaj Dajës për vrasjen e vëllait të vet. Skena e vrasjes së Tur Dajës tregohet si një nga skenat e frikshme që mbart historia e një vendi. Hakmarrja e Alfred Shkurtit për të vëllanë u tha atëherë se nuk njihte kufi, derisa arriti të vriste edhe shokët e viktimës së tij. Për Gramoz Selmanin, dëshmia e nipit të Idajet Beqirit, ish-punonjës policie, tregoi muaj më parë një tjetër dëshmi tronditëse. Sipas tij, Idajet Beqiri u vra teksa pritej për t’u ekzekutuar Selmani.
Box
Vrasja e Nimet Zenelit
Në datën 13 shkurt të vitit 1998, në vendin e quajtur Kolonjë të Lushnjës, është vrarë me armë zjarri Nimet Zeneli. Në rrugën automobilistike, persona të armatosur, ku ndërmjet të tjerëve edhe të pandehurit Arben Boriçi e Ilir Stërgu, Enver Dondollaku dhe Aldo Bare i kanë zënë një pritë fuoristradës "Tojota", me targë FR 8079 A. Personat e armatosur, pasi kanë parë furgonin të afrohej, kanë qëlluar me armë automatik në drejtim të tij. Në fuoristradë udhëtonte Gramoz Selmani, shoku i ngushtë i Dajës, si dhe Masar Aliu dhe Nimet Zeneli, shokë të Selmanit. Ky i fundit, pas goditjes nga grupi i Aldo Bares, me qëllim për t'u shmangur nga goditja e grupit, fshihej te shtetasit e sipërpërmendur. Menjëherë shoferi i furgonit, Masar Aliu, ka nxjerrë nga rruga makinën dhe të tre personat kanë dalë nga furgoni dhe janë larguar me vrap. Të pandehurit Arben Boriçi dhe Ilir Stërgu kanë ndjekur me vrap dy shtetasit Nimet Zeneli dhe Masar Aliu, duke qëlluar me armë në drejtim të këtyre të fundit. Gjatë ndjekjes, Nimet Zeneli është plagosur me armë zjarri dhe nuk ka mundur të largohej. I pandehuri Ilir Stërgu, së bashku me të pandehurin Arben Boriçi, i janë afruar të plagosurit dhe kanë qëlluar në drejtim të tij me armë zjarri, duke i shkaktuar edhe vdekjen. Dy shtetasit e tjerë, Gramoz Selmani dhe Masar Aliu, kanë mundur t'i shpëtonin ekzekutimit.
Vrasja e Masar Aliut
Më tej, prokurori i çështjes tha se në datën 22 shkurt të vitit 1998, në rrugën Kolonjë-Bitaj të rrethit Lushnjë, me qëllimin e vetëm vrasjen e Masar Aliut, persona të armatosur, ku ndërmjet tyre edhe të pandehurit Enver Dondollaku, Ilir Stërgu dhe Arben Boriçi, kanë pritur ardhjen me makinë të Aliut. Pasi kanë pikasur ardhjen e makinës, kanë dalë dhe kanë ndaluar makinën. Ata kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të Aliut, duke i shkaktuar vdekjen. Pas kësaj ata kanë qëlluar edhe në drejtim të shtetasit Idajet Beqiri, i cili ka qenë rastësisht brenda në automjet.
Të dënuarit ankohen për dhunë
Ministri Nishani urdhëron kontrollimin e të gjitha qelive për celularë
Nëpërmjet një qarkoreje të brendshme, e cila është bërë pjesë e planit të masave të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, ministri i Drejtësisë kërkon nga sistemi penitenciar që deri në muajin qershor qelitë të pastrohen përfundimisht dhe asnjë i dënuar, në asnjë burg, të mos ketë telefon. Duke e lënë qershorin si afatin e fundit, Nishani kërkon në këtë urdhër të kontrollohen rigorozisht burgjet, në të kundërt, sipas tij, nëse më pas gjenden celularë, do të ketë direkt penalizim të drejtorëve të burgjeve. Kontrollet e rrepta kanë nisur fillimisht në qelitë e Lezhës, ku disa të dënuar, sipas Avokatit të Popullit, kanë paraqitur ankesa për ushtrim dhune gjatë kalimit në sitë të qelive ku ata mbahen. Sipas Avokatit të Popullit, në fillim të javës do ketë një rekomandim për dhunimin e katër të dënuarve në këtë burg. Por, nga ana e saj, edhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka hartuar një plan masash që ua ka përcjellë që në fillim të vitit të gjitha burgjeve. Sipas këtyre masave, nëse do të gjenden celularë në qeli, atëherë do të penalizohen direkt me masa administrative policët që shërbejnë në sektorët përkatës. Çështja e mbajtjes së celularëve nëpër qeli u tentua të zgjidhej pak vite më parë, kur në qelitë e 313-s u eksperimentua instalimi i një aparature që bllokonte valët e celularit në paraburgim. Gjatë kontrolleve të shpeshta, policia e burgjeve ka zbuluar dhjetëra mënyra se si arrinin të depërtonin celularët në qeli, mes të cilave fshehje në frigoriferë, në pult televizori, por edhe në ushqime. Pasi celularët futën në burg, të dënuarit arrijnë t’i fshehin aparatet duke gjetur mënyra nga më të çuditshmet që nga mbajtja e tyre në këpucë e deri në enë me fund të dyfishtë.
2 Prill 2010