E Diel, 1 Nëntor 2026

Fondacioni dhe kompania “Vodafone Albania” prezantojnë “Vodafone Red Alert”



Fondacionet lokale “Vodafone” dhe kompanitë lokale “Vodafone” në mbarë botën do të bashkëveprojnë për të iniciuar një program që shërben për mbledhjen e fondeve nëpërmjet SMS-ve, të quajtur “Vodafone Red Alert”. Në sajë të “Red Alert”, punonjësit e “Vodafone Albania” dhe klientët “Vodafone” do të mund të kontribuojnë nëpërmjet celularit në raste të fatkeqësive natyrore dhe emergjencave humanitare. Pjesë e këtij programi janë 21 vende ku operon “Vodafone” dhe Fondacionet lokale te saj. Ky program do të jetë funksional në të gjitha këto vende, që prej datës 1 prill 2010 dhe pa limit kohor. Pjesë e kësaj nisme është sigurisht edhe Shqipëria. Programi “Vodafone Red Alert” do të jetë veprues në momentin që një situatë do të konsiderohet si fatkeqësi natyrore apo emergjence humanitare dhe për pasojë do të njoftohet "thirrje për kontribute në ndihmë të popullsisë së prekur" në rang kombëtar apo dhe ndërkombëtar. Në këto raste, klientët e “Vodafone Albania” dhe punonjësit e “Vodafone Albania” mund të dërgojnë SMS nga celulari i tyre në kodin e shkurtër 54444 për të dhënë kontributin individual. Në fund të çdo iniciative humanitare për mbledhje kontributesh me ane të thirrjes "Red Alert", “Vodafone Albania” do bëjë publike shumën e dhuruar nga SMS-të e dërguara, shumë e cila do të vihet në dispozicion të Fondacionit “Vodafone Albania” për të kryer sa më shpejt dhe në mënyrën më efikase këtë dhurim. Iniciativa të ngjashme janë ndërmarrë edhe gjatë emergjencës humanitare që u krijua prej Cunamit në Azinë juglindore në vitin 2004, si dhe pas tërmetit të fuqishëm që goditi Haitin në janar 2010 ku 14 kompani “Vodafone” në mbarë botën aplikuan mbledhjen e fondeve me anë të SMS-ve. Një shembull i ngjashëm në vendin tonë, në janarin e këtij viti ishte përgjigja e “Vodafone Albania” për të mbledhur kontribute me anë të SMS-ve në ndihmë të popullsisë së prekur nga përmbytjet në Shkodër.

Ndërtimi, memorandum mes tre shoqatave

Shoqata e Ndërtuesve, ajo e Arkitektëve dhe Inxhinierëve konsulentë, firmosen një memorandum bashkëpunimi, qëllimi i të cilit është rritja e komunikimit dhe bashkëpunimit ndërmjet këtyre tre shoqatave për të trajtuar me specialiste të mirëfilltë gjendjen e aktivitetit të ndërtimit në vendin tonë. Mosfunksionimi për kohë të gjatë i organeve vendimmarrëse si KRRTRSH-ja apo KRRT-të e njësive vendore, sipas ndërtuesve ka shkaktuar paralizimin e veprimtarisë ndërtimore dhe sipas shoqatave firmëtare ky është problemi kryesor, por jo i vetmi në sektorin e ndërtimit që kërkon zgjidhje të menjëhershme. Përfaqësuesit e këtyre shoqatave vërejnë se mungon partneriteti me administratën publike në hartimin e akteve ligjore e nënligjore në aktivitetin e ndërtimit.

ALUIZNI: Gati legalizimet për 1537 ndërtime

Zyra e Agjencisë së Legalizimeve në Tiranë ka njoftuar se është gati lista me 1537 emra, të cilët mund të legalizojnë banesat e tyre. Sipas ALUIZNI-t pagesa do të bëhet në dy mënyra, me para cash dhe me bono privatizimi. Për të përfunduar këtë proces, këto subjekte duhet të bëjnë pagesën nëpërmjet dy formave: me para cash ose bono privatizimi. ALUIZNI njofton se qytetarët duhet të paraqiten pranë zyrave postare për të tërhequr faturat e pagesave dhe shlyer sa më shpejt detyrimin përkatës. Agjencia e Legalizimeve shpjegon se pagesa me bono privatizimi mund të bëhet vetëm për objektet e banimit ose me funksion të kombinuar.

2 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›