Policia, qytetarëve: Denonconi autorët e mesazheve të lotarive mashtruese
TIRANË – Policia e Shtetit paralajmëron qytetarët që të jenë të kujdesshëm në lidhje me të ashtuquajturat e-mail-e ose SMS, sipas të cilave ata janë fitues të çmimeve të mëdha, por që në të vërtetë janë mashtrime. Në lidhje me këtë fenomen, Policia e Shtetit u bën thirrje të gjithë qytetarëve që të denoncojnë këto raste dhe se është duke punuar me policitë e shteteve të tjera për gjurmimin dhe arrestimin e këtyre personave.
Mashtrimet
Çdokujt nga ne i ndodh që në inbox-in e tij të gjejë me dhjetëra e dhjetëra e-mail-e, sipas të cilave është fitues i iks lotarie dhe ku çmimi që ka fituar arrin në qindra mijëra euro. Edhe pse shumica e personave janë në dijeni se këto e-mail-e janë mashtrime, ka pasur shumë raste ku personave të ndryshëm u janë zhvatur shuma të majme me anë të kartave të kreditit ose transaksioneve bankare që u janë kërkuar t’i kryejnë për të arritur të tërheqin shumën e fituar. Në lidhje me këtë gjë, Policia e Shtetit ka dalë ditën e djeshme në një konferencë për shtyp, ku u kërkon qytetarëve të jenë të kujdesshëm nga këto mashtrime dhe se për çdo rast të njoftojnë uniformat blu.
“Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit informon opinionin publik se kohët e fundit janë evidentuar disa raste mashtrimesh, pre e të cilave kanë qenë qytetarë të ndryshëm shqiptarë, të cilët, përmes mesazheve telefonike apo postës elektronike janë njoftuar se janë shpallur fitues të çmimeve të rreme në shuma të mëdha, me qëllim përfitimin prej tyre në mënyrë të paligjshme të parave apo përdorimin e të dhënave të tyre personale për qëllime kriminale”, - tha zëdhënësja e Policisë së Shtetit.
Parandalimi
Policia e Shtetit, me qëllim parandalimin e këtyre mashtrimeve në dëm të shtetasve të tjerë, bëri publike disa të dhëna mbi mënyrën se si realizohet ky mashtrim. “Nga hetimet e kryera rezulton se personat që kryejnë këtë mashtrim i gënjejnë qytetarët nëpërmjet mesazheve telefonike dhe postës elektronike në adresat e internetit, duke i bërë të besojnë se janë fitues të çmimeve të ndryshme deri në 500 000 paund, të organizuara nga kompani të mëdha si kompania "Nokia" etj.”,- sqaroi Policia. Sipas saj, për të qenë sa më të besueshëm për viktimat e tyre, ata dërgojnë në adresat e postës elektronike fotografi dhe të dhëna personale të personave të ndryshëm, duke i bërë qytetarët të besojnë se janë presidentë të fuqishëm të kompanive të mëdha. Policia pohoi më tej se menjëherë sapo kryhet kontakti me këta persona, mashtruesit i bindin viktimat e tyre se duhet të japin një shumë parash paraprakisht në forma dhe mënyra të ndryshme, gjoja për të paguar taksa të llojeve të ndryshme, si DHL për dërgesa apo dhe shërbime etj. Mësohet se me këto mashtrime ata kanë arritur në disa raste të përfitojnë shuma të mëdha parash nga qytetarët. Për këto raste, nga Sektori Kundër Krimeve Kompjuterike në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit janë marrë kallëzimet nga qytetarët e mashtruar dhe po kryhen hetimet përkatëse për veprën penale të "mashtrimit kompjuterik". Policia bëri me dije se në kuadër të këtyre hetimeve po bashkëpunohet dhe me strukturat policore të shteteve të tjera, pasi nga të dhënat e deritanishme rezulton se këta persona e kryejnë këtë veprimtari të paligjshme jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. “Policia e Shtetit fton qytetarët që të tregohen të kujdesshëm dhe të mos bien pre e mashtrimeve të tilla, si dhe për çdo rast të informojnë policinë përmes numrit telefonik 06941 0 2688, të Sektorit Kundër Krimeve Kompjuterike në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit”, – mbyllet deklarata e Policisë së Shtetit.
Vrasësi i Vidohovës i shpëton burgimit të përjetshëm
KORÇË – Vrasësi i tre vëllezërve Mulliri i shpëton burgimit të përjetshëm. Gjatë seancës së djeshme në ngarkim të Basim Karajt, Gjykata e Korçës ka pranuar kërkesën e të pandehurit për aplikimin e gjykimit të shkurtuar, çka nënkupton dhe shpëtimin e tij nga dënimi kapital. Mësohet se Karaj, në seancën e djeshme, e pranoi fajin për vrasjen e tre vëllezërve, Taulant, Eldi dhe Xhilion Mulliri, në fshatin e Vidohovës në datën 29 janar.
Sipas tij, ai u shty ta kryejë vrasjen për motive xhelozie, ndërsa kishte mësuar se gruaja e tij e tradhtonte me njërin prej tre vëllezërve, Taulantin. Trupi gjykues, pasi dëgjoi pretendimet e të pandehurit, vendosi ta pranojë kërkesën e tij për uljen e 1/3 së dënimit, që në rastin e tij përkthehet në dënimin maksimal prej 25 vitesh burg.
Tashmë pritet që gjatë seancës së radhës t’i jepet fjala organit të akuzës në lidhje me konkluzionet përfundimtare për vrasësin e tre vëllezërve dhe më pas do të jetë radha e mbrojtjes për të bindur trupin gjykues të japë një dënim sa më të butë për Karajn.
Ngjarja e ndodhur në janar të këtij viti tronditi për të dytën herë banorët e kësaj zone, pasi disa vite më parë, një tjetër krim monstruoz u krye në këtë fshat. Ka qenë pikërisht nëna e tre vëllezërve të vrarë, e cila, pasi ka rrëmbyer, ka vrarë dhe copëtuar trupin e një të mituri dhe më pas e ka hedhur në pus.
Plagos të dashurën dhe nënën e saj, në kërim Agron Bakiasi
SKRAPAR – Zihet me të dashurën, më pas i shkon në shtëpi dhe e plagos atë bashkë me të ëmën. Ngjarja e rëndë ka ndodhur ditën e djeshme në Spathar të Skraparit, ku 22-vjeçari Agron Bakiasi, i cili tashmë është shpallur në kërkim, pasi ka debatuar fillimisht me të dashurën e tij, 18-vjeçaren Olgerta Arizaj, ai ka shkuar në banesën e saj ku ka qëlluar ndaj të dashurës dhe nënës së saj që ishte aty. Grupi hetimor bën të ditur se dyshohet se plagosja ka ardhur pas një debati që çifti i të dashuruarve kanë pasur, por pa dhënë detaje lidhur me temën e diskutimit, e cila shtyu 22-vjeçarin Bakiasi të qëllonte në drejtim të dy femrave të familjes Arizaj. Dy të plagosurat Olgerta dhe Liri Arizaj gjenden të shtruara në spitalin rajonal ku janë nën kujdesin e mjekëve. Nga ana e saj Policia bën të ditur se është vënë menjëherë në ndjekje të autorit, i cili pas krimit është larguar në drejtim të paditur.
2 Prill 2010