E Diel, 1 Nëntor 2026

Ristani kërkon djegien e fletëve të votimit: “Na duhen kutitë për zgjedhjet lokale



Kryetari i Komisionit Qendror Zgjedhor, Arben Ristani, ka deklaruar se në bazë të Kodit Zgjedhor duhet të fillojë puna për përgatitjen e zgjedhjeve lokale dhe për këtë qëllim është e nevojshme të bëhet zbrazja e kutive të votimit, që do të përdoren më pas për zgjedhjet për pushtetin vendor. Debati për hapjen e kutive të votimit dhe për rinumërimin e fletëve të votimit ka qenë në qendër të skenës politike shqiptare që pas përfundimit të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare. Por pritet që deklarata e Ristanit të krijojë sërish tension politik, për shkak se Partia Socialiste në asnjë moment nuk është tërhequr nga kërkesa e saj për rinumërimin e fletëve të votimit dhe djegia e tyre është një përgjigje negative e formës së prerë që qeveria i kthen atyre. “Me afrimin e zgjedhjeve të ardhshme, përgatitja për të cilat fillon 9 muaj përpara, që do të thotë se diku nga gushti i këtij viti do të dalë dekreti i Presidentit për caktimin e datës së zgjedhjeve, ne do të na duhet të fillojmë përgatitjet dhe do të jetë besoj afati maksimal, i fundit për ta mbyllur këtë problem. Një pjesë e përgatitjeve është edhe pastrimi dhe lirimi i kutive”, - është shprehur Ristani. Ligji parashikon djegien e fletëvotimeve. Ky veprim mund të ishte kryer kohë më parë, por kreu i KQZ-së thotë se procesi është shtyrë për shkak të debatit politik, por edhe hapësirave që krijon ligji.

2 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›