E Diel, 1 Nëntor 2026

I vë zjarrin fqinjit të sëmurë mendor, prangoset nga policia



LAÇ – Një ngjarje e rëndë ka tronditur dy net më parë qytetin e Laçit. Një person i ka vënë zjarrin fqinjit të tij të sëmurë mendor, i cili ka përfunduar në gjendje të rëndë në spital. Ka qenë Altin Çoku, 26 vjeç, që i ka vënë flakën 16-vjeçarit Taulant Gega për shkaqe ende të paqarta. Sipas burimeve nga policia lokale mësohet se gjendja e të plagosurit është serioze për shkak të djegieve të shumta që ka marrë në trup. Vetëm pas disa orësh është vënë në pranga autori i këtij krimi. Fillimisht u dyshua si një vetëvrasje me anë të djegies e një të sëmuri mendor, por pas hetimeve të policisë rezultoi se e vërteta ishte tjetër.

Ngjarja
Në orët e mbrëmjes së datës 31 mars, në Urgjencën e Spitalit të Laçit është paraqitur 16-vjeçari Taulant Gega, i cili kishte plagë të rënda në trup si pasojë e djegies. Menjëherë pas marrjes së këtij njoftimi policia ka nisur punën për të zbardhur ngjarjen nëse kishin të bënin me një tentativë vetëvrasjeje, apo me një krim. Fillimisht policia ka dyshuar se ngjarja mund të ishte një tentativë vetëvrasjeje me anë të djegies të adoleshentit, pasi ky i fundit ishte person me të meta mendore, i kategorisë së parë, me shoqërues, por pas hetimeve rezultoi si kishin të bënin me një ngjarje kriminale. “Nga veprimet hetimore të kryera rezultoi se ngjarja ndodhi për motive të dobëta dhe se autor i ngjarjes është shtetasi Altin Çoku, banues në Lagjen Nr. 2 të qytetit te Laçit. Edhe i dëmtuari ishte banues në këtë lagje”, – bën të ditur Policia e Laçit.

Arrestimi
Menjëherë pas zbardhjes së skemës së ngjarjes, policia është vënë në lëvizje për arrestimin e autorit të krimit makabër. Rreth orës 00:30 të datës 1 prill, uniformat blu të qytetit të Laçit bënë të mundur arrestimin e Altin Çokut, 26 vjeç, lindur dhe banues në Lagjen 2 të qytetit të Laçit.
26-vjeçari akuzohet për veprën penale të “vrasjes me paramendim në rrethana cilësuese të mbetur në tentativë”. Ndërkohë që grupi hetimor ka nisur punën për zbardhjen e plotë të rrethanave që e çuan Çokun t’i vinte flakën 16-vjeçarit Gega. Pritet që autori i këtij krimi të merret në pyetje lidhur me shkaqet, ndërkohë që mjekët e Spitalit të Laçit bëjnë të ditur se gjendja shëndetësore e të riut vazhdon të jetë e rëndë.

Qëllon me armë ndaj 22-vjeçarit, shpallet në kërkim autori

SHKODËR – Qëllon me armë mbi 22-vjeçarin pas një sherri të çastit, shpallet në kërkim David Lazri. Policia e Shkodrës bën të ditur se dy ditë më parë, në lagjen “Tre heronjtë”, është njoftuar se po zhvillohej një konflikt midis tre personave. “Menjëherë pas marrjes së informacionit, forca të shumta policie kanë mbërritur në vendngjarje dhe nga veprimet para hetimore rezultoi se David Lazri, 26 vjeç dhe Gj. Lazri janë konfliktuar për motive të dobëta me Xh. Pusin, 22 vjeç, banues në Shkodër”, – bënë të ditur burimet policore. Si pasojë e këtij konflikti, David Lazri ka qëlluar me armë zjarri pistoletë në drejtim të 22-vjeçarit Pusi, i cili, për fat të mirë, nuk ka pësuar asnjë dëmtim.
Policia bëri menjëherë shpalljen në kërkim të Lazrit, mbi të cilin rëndojnë akuzat e “tentativës për vrasje” dhe “mbajtjes pa leje të armëve”. Uniforma të shumta policie janë vënë menjëherë në lëvizje për arrestimin e David Lazrit dhe për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

2 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›