E Diel, 1 Nëntor 2026

KLD-ja përzgjedh gjyqtarët për 25 vendet bosh të krijuara nëpër gjykata



Këshilli i Lartë i Drejtësisë, në një mbledhje maratonë, përzgjodhi dje emrat e 25 gjyqtarëve për vendet bosh të krijuara prej disa muajsh në tri gjykata të vendit. Burime pranë këtij këshilli sqaruan dje se mbledhja është zhvilluar me dyer të mbyllura dhe e gjithë mbledhja ka pasur për rend dite vetëm përzgjedhjen e këtyre kandidaturave. Vendet bosh ishin shpallur po me vendim të Këshillit të Lartë të Drejtësisë në gjykatat e Tiranës, të Durrësit dhe në Gjykatën e Shkodrës. Këto vende bosh ishin shpallur në mbledhje të ndryshme të KLD-së dhe kandidatëve iu la kohë për të dorëzuar dokumentacionin e nevojshëm. Pasi janë shqyrtuar dosjet për secilin, emrat u kanë kaluar prej pak ditësh të gjithë anëtarëve të KLD-së, në mënyrë që të kishin një informacion më të zgjeruar rreth kandidatëve. Burime që ishin prezente në sallë pohuan se përzgjedhjet pas diskutimit kanë kaluar me votim nga të gjithë anëtarët dhe përgjithësisht kanë qenë dakord për pjesën më të madhe të tyre. Këta emra, pas kalimit të këtij testi, do t’i nënshtrohen një tjetër testi që ka të bëjë me firmën e presidentit, që është në të njëjtën kohë edhe kreu i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Vetëm pas miratimit të tij, këta gjyqtarë do të munden të kalojnë nëpër gjykatat për të cilat dhe u përzgjodhën.

2 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›