E Diel, 1 Nëntor 2026

Ikja e parasë, bizneset e huaja nxorën nga vendi 350 milionë euro në 2009-n



Ervin KOÇI

Kompanitë e huaja që ushtrojnë aktivitetin e tyre në vendin tonë po largojnë çdo vit sasi të konsiderueshme valute nga Shqipëria në formën e fitimeve. Transferimi i fitimeve të realizuara në Shqipëri nga investitorët e huaj arriti në 350 milionë euro gjatë vitit 2009, bëhet e ditur nga statistikat mbi bilancin e pagesave që u publikuan së fundi nga Banka e Shqipërisë. Transferimi i fitimeve qe afërsisht 35 për qind më i lartë se në vitin 2008, pavarësisht krizës që filloi në tremujorin e fundit të vitit 2008 dhe që uli edhe fitimet. Nëse bankave nuk do t’u ishte ndaluar transferimi gjatë 2009-s (si një masë që mori Banka e Shqipërisë në mënyrë që sistemi bankar të ishte më rezistent ndaj krizës globale financiare), atëherë kësaj do t’i ishin shtuar dhe një pjesë e lartë e fitimit prej rreth 85 milionë eurosh që kishin bankat me pronësi të huaj gjatë 2008-s. Shuma e transferuar gjatë 2009-s ishte gati sa gjysma e të ardhurave që u siguruan nga eksporti dhe sa 45% e parave që emigrantët sollën në vend në 2009-n. Shkaku kryesor i rritjes së sasisë së fitimeve të transferuara lidhet sërish me projektin e rrugës Rrëshen-Kalimash, pasi afërsisht një e treta e parave të shpenzuara nga qeveria u transferuan nga kompanitë sipërmarrëse në formë fitimi neto. Ndryshe nga vitet e kaluara, kur thellimi i deficitit tregtar kishte çuar në përkeqësimin e deficitit të llogarisë korrente, viti 2009 nxori në pah një tjetër element: niveli i lartë i fitimeve, që po transferoheshin jashtë, ishte mjaft i lartë, në një kohë që të ardhurat hyrëse nga investimet u zvogëluan (investimet e shqiptarëve jashtë duket se dhanë më pak fryte për shkak të krizës globale). Zëri i të ardhurave nga investimet kaloi për herë të parë në bilanc negativ në 2008-n, duke u thelluar ndjeshëm në 2009-n.

Transferimi i fitimeve
Hemorragjia pritet të vijojë edhe këtë vit, pasi bankat nuk e kanë më kufizimin në të drejtën e transferimit të fitimeve dhe u lind e drejta të transferojnë si fitimet e pakta të realizuara në vitin 2009, ashtu edhe fitimet e bollshme të realizuara në vitet paraardhëse. Gjatë së njëjtës periudhë, për shkak të transferimit të fitimeve nga investimet e huaja, por edhe nga faktorë të tjerë, leku shqiptar humbi rreth 12 për qind të vlerës kundrejt euros dhe dollarit. Investimet e huaja në Shqipëri erdhën gjatë dekadës së fundit veçanërisht përmes privatizimeve të sektorit strategjik, ndërsa suksesi i tyre ekonomik u garantua nga sjellja miqësore e qeverisë kundrejt tyre, si dhe nga prapambetja institucionale e vendit. Pas disa vitesh ekspansioni në telekomunikacion, banka, sigurime e aktivitete të tjera, ishte e sigurt që kompanitë e huaja do të fillonin të vilnin frytet e investimeve të tyre. Ekspertët besojnë se kriza financiare ndërkombëtare e përshpejtoi procesin e tërheqjes së fitimeve për shkak se kompanitë mëmë në vendet europiane qenë në vështirësi financiare për vete. Sipas BSH-së, viti 2008 shënoi një rritje të transferimeve të fitimeve me rreth 340% në krahasim me 2007-n, teksa kompanitë çuan në vendet e tyre të origjinës fitimet e viteve të mëparshme (pjesën kryesore e zinin fitimet e kompanive celulare dhe të bankave, të cilat zotëronin norma të larta fitimi, rreth 20-30% për bankat dhe deri në 50% për kompanitë celulare). E njëjta situatë vazhdoi edhe vitin e kaluar, me transferimin e fitimeve të 2008-s (të dhënat tregojnë se për 9-mujorin 2009, shuma e dërguar te kompanitë mëmë ishte rreth 35% më e lartë se e njëjta periudhë e një viti më parë).

Ndikimi te kursi
Leku shqiptar ka pasur qëndrueshmëri të habitshme gjatë pesë viteve, nga 2004 deri më 2008, kryesisht për shkak se investimet e huaja në këtë periudhë kanë qenë të konsiderueshme. BSH-ja u detyrua në shumë raste gjatë kësaj kohe të blinte valutë në treg, me qëllim që të shmangte forcimin e mëtejshëm të lekut. Situata duket se u përmbys në vitin 2009, por kompanitë e huaja që veprojnë në Shqipëri morën porosi nga kompanitë mëmë të riatdhesojnë fitimet. Për pasojë, leku u zhvlerësua. Investitorët e huaj dalin të humbur nga zhvlerësimi i lekut, gjë që i shtyu ato të ndjekin këshillën e BSH-së për të grumbulluar valutë në mënyrë graduale. Megjithatë, investimet e huaja në vetvete janë një lloj borxhi që një ditë duhet të paguhen. Ato kanë sjellë zhvillim ekonomik dhe teknologjik në Shqipëri, por kanë krijuar edhe detyrime që vendi do të duhet t’i shlyejë shumëfish në vitet të ardhshme. Për disa ekspertë, politikat e qeverive shqiptare gjatë dekadës së fundit po sjellin atë që ishte paralajmëruar prej kohësh: privatizimet e pamenduara dhe të palogjikshme kanë sjellë pak vlerë të shtuar për vendësit dhe shumë detyrime.

Shkurt////////////////////////////////////
Nepravishta: “KESH-i, përgjegjës për përmbytjet e nën-Shkodrës”

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare konsiderohet si përgjegjësja kryesore për përmbytjet e ndodhura në zonën e nën-Shkodrës gjatë muajve të parë të vitit 2010. Këtë fakt e ka deklaruar dje kreu i Entit Rregullator të Energjisë, Bujar Nepravishta, gjatë paraqitjes së raportit vjetor për vitin 2009 në Komisionin Parlamentar të Veprimtarive Prodhuese. Duke i bërë KESH-it kërkesë që të parashikojë situatën në kaskada, Nepravishta e bëri përgjegjës Korporatën për situatën e përmbytjeve në vend në fillim të janarit duke deklaruar para deputetëve se “KESH-i duhej të parashikonte situatën në kaskadë”. Për këtë arsye, Kreu i ERE-s, kërkoi ngritjen e një strukture shërbimi hidrometeorologjike për parashikimin dhe lajmërimin e situatave hidrologjike në kaskadën e Drinit. Ai ka vijuar më tej duke raportuar se, gjatë vitit 2009 humbjet e energjisë në rrjet kapën masën 50%. Nepravishta u bëri të ditur anëtarëve të komisionit se, pikë kryesore në punën e tyre është pikërisht ulja e nivelit të humbjeve, pasi këto të fundit bëhen shkak më pas për kërkesën për rritjen e çmimit të energjisë. Sipas tij, nga 100kË/h, arkëtohen vetëm 50%. "Humbjet prej 35.3 % dhe niveli i arkëtimeve prej 76.4 % gjatë 2009-ës janë tregues të një eficence shumë të ulët të konsumit të energjisë elektrike, e cila vlerësohet me 49.4 %",- shtoi Nepravishta. Kryetari i ERE-s vazhdoi deklarimin me faktet e tjera ku një prej tyre ishte dhe furnizimi sipas tij pa ndërprerje i popullsisë me energji. "Ka arritur në 150 numri i aplikimeve për ndërtime HEC-esh dhe 90 kontrata koncesionare për ndërtimin e 231 HEC-eve me fuqi nga 1 - 150 MË secili", - tha ai. Pjese e referimit te Nepravishtës ishte dhe puna në vënien në funksionim të TEC-eve."TEC i Vlorës, nuk mund të vihet në punë për shkak të kostos së lartë pasi çdo vit ky TEC kërkon 250 milionë metër kub gaz në vit",- tha Nepravishta. Aktualisht TEC-i mund të prodhojë vetëm me naftë dhe çmimi i energjisë del tepër i lartë. "Prodhimi i energjisë elektrike në vend për vitin 2009 arriti në 5.2 TË/h, konsumi 6,6 TË/h, ndërsa importi 1.83 TË/h",- deklaroi Nepravishta, ndërsa shtoi se "KESH realizoi një eksport prej 486.4 GË/h dhe një bilanc pozitiv shkëmbimi me qeverinë e Kosovës prej 9.8 GË/h".

2 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›